Rama: PS do të qeverisë e vetme, pa koalicion

506
Kryeministri u jep fund dilemave për përbërjen e shumicës së re parlamentare. Pse po ndërtohet platforma e bashkëqeverisjes reale
Kryeministri Edi Rama konfirmoi se Partia Socialiste do të qeverisë e vetme dhe pa një koalicion në mandatin e ri që do të nisë në muajin shtator. Ai shpjegoi edhe arsyet e nisjes së një fushate komunikimi me qytetarët. Në takimin me komunitetin e Vaqarrit, Rama ka sqaruar dhe një herë platformën e tij për bashkëqeverisjes apo si e ka quajtur koalicionin e madh qeverisës me njerëzit. “Po ndërtojmë bazën e një koalicioni të madh që do të jetë fuqia e domosdoshme për sfidat shumë të mëdha që kemi përpara. Koalicion i madh mes PS dhe njerëzve të zakonshëm, të cilët duam t’i bëjmë pjesë aktive të qeverisjes. Kjo për shkak të të shkuarës, por edhe pse është e re, tingëllon si një mënyrë për të komunikuar dhe për të thënë që ne jemi me njerëzit dhe kaq”, tha Rama. Ai shtoi se besonte shumë që, falë teknologjisë së re, edhe falë përdorimit gjithmonë e më masiv të internetit si dhe falë aksesit që gjithmonë e më shumë njerëz kanë në internet përmes celularit apo kompjuterit në shtëpi, është plotësisht e mundur që ne të krijojmë një bashkëqeverisje reale. “Çdo individ, i cili ka dëshirën dhe vullnetin për t’u bërë pjesë e një trupe të madhe bashkëqeverisjeje mes ministrave, deputetëve dhe drejtuesve të Partisë Socialiste, që do të qeverisë e vetme pa koalicion me parti të tjera dhe vetë njerëzve, të mund të jetë një trupë që komunikon në kohë reale për problemet, për nismat e ndryshme që merr qeveria, për vendimmarrjen e qeverisë dhe sigurisht, edhe për idetë e sugjerimet që kanë vetë njerëzit”, tha Rama. Kryeministri u dha mesazh njerëzve të zakonshëm që të jenë solidarë e të raportojnë për çdo problem, shqetësim apo arbitraritet që shohin në jetën e tyre të zakonshme nga persona të ngarkuar të bëjnë detyrën. “Kam shumë besim se, nëse do të arrijmë ta thyejmë pengesën e mosbesimit, sikletit që vjen nga mosbesimi që kanë njerëzit e zakonshëm, nëse ata e ndjejnë përgjegjësinë që janë në gjendje të mbrojnë vetveten dhe komunitetin, atëherë trupa që e mbron këtë pacenueshmëri është shumë më e madhe”- tha Rama, duke kujtuar se nuk janë spiunë gjermanët që janë aq të ndjeshëm me ligjshmërinë e asaj që ndodh rreth tyre. “Mes njeriut të zakonshëm dhe qeverisë ka një zonë ku vështirësitë janë të panumërta dhe ku vështirësia kryesore është çuarja më sipër sesa një zyrtar apo një drejtues që bëhet pengesë për të zgjidhur një problem e vetë problemit. Pra, si një njeri i zakonshëm mund të kapërcejë pengesën që i del përpara, duke komunikuar drejtpërdrejtë me pjesën më lart dhe po ashtu, çdo anëtar i kabinetit qeveritar, çdo autoritet i lartë shtetëror të mund të marrë në kohë reale sinjalin se në këtë pikë, një njeri i zakonshëm, një familje e zakonshme ka ngelur”, u shpreh kryeministri Rama.
Sigal