Rama: Krishbaum flet në gjermanisht si PD-ja

513
Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për “Ora News”, foli për diskutimet mbi çështjen “Tahiri” gjatë vizitës në Berlin dhe debatet me deputetin e Bundestagut, Gunter Krishbaum. 

Pranuat se ju kanë pyetur për çështjen “Tahiri”. A mund ta dimë se çfarë ju pyetën?
“Më pyetën atë që dihet që lidhet me interpretimin e bërë nga Komisioni i Mandateve, sepse ata kanë një sistem tjetër. E dyta janë disa njerëz në atë grup parlamentar që janë fatkeqësisht nën presionin e dezinformimit të vazhdueshëm që bëhet nga Tirana dhe, edhe kohë për t’u marrë me detaje me Shqipërinë nuk kanë. Unë kam sqaruar atë që është edhe publikisht sqaruar”.

A pati një kërkesë shtesë?
“Komisioni ka bërë vetëm pyetje dhe jo kërkesa dhe unë u jam përgjigjur pyetjeve”.

Ka një deputet gjerman që thotë se hapja e negociatave është e parakohshme. Mendoni se mund të ndikojë? 
“Nuk është sekret që zotëria ka një mendim të konsoliduar kundër qeverisë tonë. Kemi pasur një debat në Tiranë dhe i kemi opinionet shumë të largëta. Kur flet, dëgjoj në gjermanisht Partinë Demokratike të Shqipërisë. Është pozicion legjitim i tij. Është një nga 600 e kusur deputetë të Bundestagut. Edhe sajesat e Partisë Demokratike merren të mirëqena prej tij”.

Si shkoi takimi me të?
“Nuk kisha takim”.

Drejton komisionin…
“Ishte korrekt dhe në fund të seancës më kërkoi ndjesë se nuk mund të më shoqëronte, sepse kishte një takim me ministrin e Brendshëm. Unë e kam vlerësuar faktin që kur bëhej fjalë për të nxjerrë nga bunkeri PD-në, ai ishte në krahun e duhur të historisë. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme, se sa çfarë mendon ai ndryshe nga unë. Ne i mbështesim me fakte dhe rezultate të konfirmuara nga Komisioni Evropian, ndërsa z. Krishbaum i merr nga selia e Partisë Demokratike”.

Nuk e bindët?
“Nuk kishte pse e bindja”.

Ai është i rëndësishëm tek parlamentarët e tjerë…
“Nuk gjykoj mbi rëndësinë e njëri apo tjetrit. Tani u bëra veteran në këtë fushë dhe qeniet politike i nuhas shumë kollaj. Unë nuk dua të bind, as z. Krishbaum dhe as Partinë Demokratike”. 

Basha ka thënë se ka lobuar për hapjen e negociatave…
“Janë disa njerëz që kanë qëllime pozitive dhe nuk kanë asnjë arsye të kenë qëllime negative dhe t’i bombardosh me të gjitha shpifjet është të punosh kundër Shqipërisë. Do të duhej një kohë e gjatë që ata të gjenin kohë për të pasur mundësinë dhe vullnetin dhe të dilnin në konkluzionin shumë miq të PD që tani janë ish-miq në Bruksel”.

A po komunikon qeveria me fraksionin CSU-CDU?
“Ne kemi nevojë të takojmë sa më shumë deri në qershor. Nga fraksionet e CSU-CDU ka shumë më tepër që janë pozitivë”.

Ishte folur se do të vinte një mision deputetësh fakt-mbledhës që është anuluar. Keni dijeni?
“Nuk e di. Ndoshta vizita ime në Berlin ka qenë shteruese. Është puna e tyre dhe nuk kam asnjë dijeni”.
Sigal