Rama-Basha, sherr për deklaratat e amerikanëve për Tahirin

502
Prej dy ditësh, politika zyrtare amerikane ka thyer heshtjen për zhvillimet politike në Tiranë dhe posaçërisht për hetimet e prokurorisë ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për trafikimin e drogës. Gjatë një aktiviteti me Këshillin Rinor kundër Korrupsionit, ambasadori amerikan foli pikërisht për rastin “Tahiri”. Ai bëri një paralele mes kohës së komunizmit kur njerëz të pafajshëm përfundonin në burgje dhe problemit po aq të turpshëm, siç e quajti ai, të 27 viteve demokraci, “me politikanë të fuqishëm, nga e djathta dhe nga e majta, që kanë kryer krime të tmerrshme dhe i kanë shpëtuar drejtësisë, pa pushim”. “Nuk do të ishte e përshtatshme për mua të them nëse Saimir Tahiri është fajtor apo i pafajshëm. Por, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ju si drejtues të shoqërisë civile, ju si të rinj, ju si qytetarë të Shqipërisë të zbuloni të vërtetën. E drejta për të ditur të vërtetën nuk i përket asnjë partie politike. I përket qytetarëve të Shqipërisë. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin”, tha diplomati amerikan, duke përsëritur fjalinë e zv/ndihmëssekretarit të Shtetit, Hoyt Brian Yee. Megjithatë, ambasadori i Uashingtonit në Tiranë theksoi se Tahiri ka marrë besimin e qytetarëve si deputet dhe ministër i Brendshëm, prandaj “është përgjegjësia juaj të kërkoni që publiku të dijë të vërtetën për këtë çështje”. “Nëse është i pafajshëm, njerëzit duhet ta dinë këtë. Nëse është fajtor, ai duhet të përballet me drejtësinë”, u shpreh Donald Lu.

Replikat
Ashtu si deklarata e mëparshme e zyrtarit të lartë të Departamentit të Shtetit, edhe komenti i Donald Lu u interpretuan në mënyra të ndryshme nga palët politike. Kryeministri Edi Rama ishte më i shpejti në reagimin e tij, duke falënderuar ambasadorin Lu. Shefi i qeverisë tha se deklaratat e tij ishin “një mesazh i qartë për shqiptarët që duan drejtësi, jo gjyqe komuniste për këdo që kanë votuar a paguar me taksat tyre”. Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili pati edhe një takim me ambasadorin Lu, u shpreh se “Qeveria e SHBA ka folur fare qartë”. “Unë nuk jam këtu për të interpretuar qëndrimet e tyre. Po ju mund të shikoni mbështetjen e plotë që i është dhënë hetimit, gjykatësve, prokurorisë dhe dënimit të çdo qëndrimi që mbron përmes imunitetit parlamentar, politikanët e akuzuar për lidhje me krimin”, ju tha Basha gazetarëve nga selia e PD-së. Për kreun demokrat, zgjidhja e vetme në këtë situatë do të ishte një qeveri antimafia që do të çmontonte krimin. Basha përsëriti se opozita do ta zhvillojë betejën e saj në Parlament, paralelisht me mbështetjen që i jep organeve të drejtësisë për hetimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Sipas Bashës, ai nuk do t’i shpëtojë drejtësisë. 
Sigal