Qeveria shqiptare, 30 milionë euro për decentralizimin e pushtetit vendor

483
Brenda pesë viteve, qeveria shqiptare, së bashku me donatorët do të shpenzojë 4.3 miliardë lekë të reja për procesin e decentralizimit.
Strategjia Kombëtare Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore (SKNDQV) për harkun kohor 2015 – 2020 kërkon për zbatimin e saj një fond të caktuar, që deri më tani është llogaritur 4.3 miliardë lekë ose 30 milionë euro. Ky fond është parashikuar që të shfrytëzohet pikërisht për 150 veprime. Gjithsesi ky fond është parashikuar të grumbullohet nga disa zëra përfshirë këtu buxhetin e shtetit apo dhe atë të vetë njësive vendore apo dhe donatorëve të ndryshëm. Kjo do të shoqërohet me ndërhyrjen për hartimin e një pakete të re ligjore, si pjesë e paketës së decentralizimit. Janë 15 vendime që duhen ribërë, e që prekin ligjet si organizimi e funksionimi i pushtetit vendor, ai i prefektit, për financat e lokalëve dhe deri te ngritja e Agjencisë së Zbatimit të Reformës Territoriale. “Strategjia (SKNDQV) 2015 – 2020 dhe plani i veprimit parashikojnë rreth 150 veprime, financimi i të cilave kërkon angazhim financiar prej 4,3 miliardë lekësh ose rreth 30 milionë euro. Nga analiza dhe kostimi i strategjisë parashikohet që financimi nga buxheti i shtetit (ministrive të linjës) të jetë rreth 1,9 miliardë lekë (rreth 44%) dhe 1 miliard lekë (rreth 23%) të jetë financimi i parashikuar nga buxheti i qeverisjes vendore. Angazhime konkrete janë marrë edhe nga donatorët dhe parashikohet që 0,85 miliardë lekë (rreth 20%) të jetë financim nga asistenca teknike e donatorëve. Boshllëku financiar i parashikuar është 0,58 miliardë lekë (13%) e kostos së strategjisë”, thuhet në draftin final të qeverisë pikërisht në kapitullin “Ndikimi fiskal, kërkesat dhe burimet financiare për zbatimin e strategjisë”. Ndërkohë, në buxhetin e shtetit për vitin 2015, si pasojë e reformës territoriale është parashikuar fondi i tranzicionit i aplikuar për herë të parë për të mbështetur NJQV-të, fond i cili u miratua në mbledhjen e fundit të qeverisë. Projektvendimi i qeverisë “Për shpërndarjen e fondit tranzitor, për zbatimin e reformës së re administrativo- territoriale”, parashikon pikërisht 1 957 683 mijë lekë, ku shpërndarja është bërë mbështetur në përllogaritjet e formulës së transfertës së pakushtëzuar për vitin 2015.
Monitorimi
Drafti i qeverisë parashikon që zbatimi i SKNDQV 2015 – 2020 do të shoqërohet më një proces monitorimi të vazhdueshëm, me qëllim që të sigurohet arritja e objektivave të parashikuar. I gjithë procesi i monitorimit dhe vlerësimit do të udhëhiqet në nivel politik nga ministri i Shtetit për Çështjet Vendore nëpërmjet një strategjie të caktuar, ku përfshihen dy instrumente kryesore. “Plani i veprimit i zbatimit të SKNDQV 2015 – 2020, i cili do të shërbejë për monitorimin e arritjeve dhe të ecurisë në proces, përmes matjes së veprimeve dhe rezultateve brenda kohës së programuar. Plani i veprimit përfshin të gjithë komponentët, me objektiva specifikë, veprimet e parashikuara, afatet kohore, kushtet dhe përgjegjësitë për zbatimin e tij; matrica e treguesve të performancës, e cila përfshin treguesit bazë që do të përdoren për monitorimin e performancës dhe arritjeve të politikave në fusha të ndryshme, si politika fiskale, reforma territoriale-administrative etj.”, thuhet në draftin final të miratuar në mbledhjen e qeverisë.
Vlerësimi
Pas monitorimit të zbatimit të planit të veprimit, strategjia në një kapitull të saj sqaron edhe vlerësimin e rezultateve, duke filluar që nga ai për periudhën afatmesme (2015 – 2017) dhe deri tek ai final që përfshin periudhën nga 2018-a deri në 2020-n. “Vlerësimi afatmesëm i politikave: ky do të jetë një vlerësim i politikave të ndërmarra në kuadër të strategjisë dhe do të kryhet në periudha afatmesme. Përkatësisht ky vlerësim do të kryhet në fund të vitit 2017 dhe do të mbulojë periudhën 2015 – 2017. Ai do të synojë evidentimin e ecurisë së reformave në të gjitha fushat prioritare të strategjisë, duke sjellë informacion lidhur me impaktin paraprak të tyre. Qëllimi i tij do të jetë që të propozojë gjithashtu masat e duhura për përmirësime të proceseve në vazhdim dhe rishikimin / korrigjimin e mundshëm në drejtime specifike të reformave. Vlerësimi afatmesëm do të përfshijë gjithashtu një rivlerësim të impaktit fiskal të strategjisë, me qëllim që të mund të vlerësohet kostoja e mundshme e veprimeve që do të derivojnë nga zbatimi i aktiviteteve të caktuara të strategjisë”, sqarohet në draft. Ndërsa vlerësimi final do të kryhet në fund të vitit 2020 dhe do të fokusohet në arritjet për periudhën 2018 – 2020, por ndërkohë do të vlerësojë edhe impaktin SKNDQV 2015 – 2020. Përfundimet e dala nga vlerësimi final do të shërbejnë dhe si një bazë e mirë informacioni për hartimin e strategjisë së re.
Burimet e financimit
Buxheti i shtetit: 1900 mln lekë
Buxheti i qeverisjes vendore: 1000 mln lekë
Fondet IPA: 400 mln lekë
Donatorët (USAID, UNDP, KiE): 450 mln lekë
Boshllëku financiar: 584 mnl
Total: 4334 mln
Faza I: Afatshkurtër (2015 – 2016)
Rishikimi dhe miratimi i paketës së plotë ligjore
– Ligji i ri për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore;
– Ligji i ri për financat e qeverisjes vendore;
– Formula e re për ndarjen e grantit të pakushtëzuar;
– Modeli i ri i organigramave të bashkive;
– Plani kombëtar afatmesëm për trajnimin e NJQV-ve;
– Programi i trajnimit për njësitë e qeverisjes vendore;
– Rishikimi i legjislacionit për taksën e pasurisë dhe ngritja e kadastrës fiskale;
– Ngritja dhe funksionimi i Agjencisë së Zbatimit të Reformës Territoriale;
– Rishikimi i ligjit për prefekti/prefektja;
– Rishikimi funksional i sektorit të ujësjellës-kanalizimeve;
– Rishikimi i ligjit për shërbimin zjarrfikës;
– Ngritja e kapaciteteve për aplikimin e projekteve të financuara nga BE-ja;
– Mbështetja institucionale dhe infrastrukturore për periudhën e tranzicionit pas reformës territoriale;
– Rishikimi i legjislacionit në fushën e shërbimeve sociale dhe përkujdesit shoqëror;
– Rishikimi i ligjit të strehimit social;
– Mbështetja për kapacitetet vendore në fushën e zhvillimit ekonomik vendor;
Faza e dytë – afatmesme (2017 deri 2018)
– Funksionalizimi i zyrave unike të shërbimit (one stop shop) në të gjitha njësitë administrative;
– Mbështetja për administratën tatimore në nivel vendor;
– Mbështetja për funksionimin e këshillave të bashkive;
– Harmonizimi i politikave të zhvillimit rajonal dhe lokal;
– Programi për standardet minimale për shërbimet publike në nivel vendor;
– Monitorimi i qeverisjes vendore mbi bazë performancën së shërbimeve publike;
– Planet vendore të menaxhimit të pyjeve dhe kullotave;
– Programi i trajnimit për njësitë e qeverisjes vendore;
– Kalimi i kompetencave për shërbimin e mbrojtjes kundër zjarrit;
– Konsolidimi i funksionimit për ujitjen dhe kullimin;
– Konsolidimi i funksionit të mirëmbajtjes së rrugëve urbane dhe rurale;
– Transporti publik
Faza e tretë – afatgjatë (2019 – 2020)
Në këtë fazë veprimet do të kenë përmbushjen dhe verifikimin e qëllimit final të strategjisë për rritjen e eficiensës në nivel vendor dhe fuqizimin e qeverisjes vendore.
Monitorimi i procesit
Këshilli konsultativ raporton në qeveri dhe Kuvend
Në draftin final të qeverisë “Strategjia ndërsektoriale për decentralizimin dhe qeverisjen vendore 2015 – 2020″, instrument i rëndësishëm për monitorimin dhe koordinimin e zbatimit të strategjisë do të jetë edhe këshilli konsultativ, një organ i ri për njësitë vendore. “Këshilli konsultativ do të jetë një strukturë permanente e krijuar me akt nënligjor bazuar në ligjin organik të qeverisjes vendore. Këshilli konsultativ në përbërje do të ketë përfaqësues të qeverisë në nivel ministrash, i drejtuar nga ministri përgjegjës për çështjet vendore, si dhe përfaqësues të qeverisjes vendore, kryetarë bashkish të organizuar në shoqatat vendore, të cilat do të përfshihen në rolin e sekretariatit teknik të këtij këshilli”, thuhet në draft. Ndërkohë që monitorimi i zbatimit të strategjisë nga ky këshill do të bëhet çdo vit dhe mbi bazën e raporteve të monitorimit, do të udhëzojë dhe rekomandojë marrjen e veprimeve konkrete për avancimin e zbatimit të strategjisë. Ajo çka është dhe më interesantja, është pikërisht se rekomandimet vjetore të këshillit konsultativ do t’u bëhen të ditura Kuvendit, qeverisë dhe donatorëve.
Sigal