Qeveria nxjerr në shitje objektet e dhëna me qera

640
Sigal

V E N D I M/ Përcaktimi i kritereve, të procedurës, mënyrës së dhënies me qira, shitjes së pasurisë shtetërore dhe çmimi i ilaçeve

Dje Këshilli i Ministrave ka marrë disa vendime të rëndësishme në lidhje me dhënien e pasurive kombëtare me qira dhe privatizimin e tyre, kur ato janë në përdorim për një periudhë mbi 5 vjet si dhe disa vendime të tjera që kanë të bëjnë me heqjen e kredive të marra nga funksionarët e lartë të qeverisjes së djathtë dhe kalimin e këtij fondi për qytetarët që nuk kanë banesë apo që janë të pastrehë. Gjithashtu janë marrë vendime për krijimin e komisionit të ndihmës shtetërore si dhe përcaktimin e marzheve të fabrikimit dhe të tregtimit të barnave.

   Përcaktimi i marzheve të fabrikimit dhe të tregtimit të barnave

 Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 50, të ligjit nr.9323, datë 25.11.2004, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 Çmimi maksimal i tregtimit të barnave nga fabrikuesit vendas caktohet duke shtuar deri në 20 (njëzet) për qind mbi koston e fabrikimit. Ky çmim maksimal i tregtimit llogaritet bazuar mbi ҫmimin EXË. Çmimi  maksimal i  tregtimit me shumicë të barnave nga importuesit dhe shpërndarësit farmaceutikë caktohet duke shtuar deri në  11 (njëmbëdhjetë) për qind mbi çmimin CIF të importit të barit, e konvertuar në lekë sipas kursit mesatar të njoftuar nga Banka e Shqipërisë, për çdo 6-mujor. Marzhi 11 (njëmbëdhjetë) për qind ndahet ndërmjet importuesit dhe shpërndarësit, përkatësisht, 8 (tetë) për qind dhe 3 (tre) për qind. Çmimi maksimal i tregtimit me pakicë të barnave caktohet duke shtuar deri në 25 (njëzet e pesë) për qind mbi çmimin e blerjes nga shpërndarësi farmaceutik. Për barnat e listës, që rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, zbatohen marzhe të diferencuara, të cilat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Për barnat, që blihen nga institucionet shëndetësore publike, çmimi maksimal i tregtimit dhe marzhi i fitimit, që do të zbatohet mbi çmimin  CIF ose EXË, do të jetë me marzhe të diferencuara, sipas tabelës nr.1 që i bashkëlidhet këtij vendimi. Për barnat, të cilat nuk janë përfshirë në listën bashkëlidhur, do të zbatohet një marzh fitimi deri në 8 (tetë) për qind. Vendimi nr.543, datë 27.7.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e marzheve të fabrikimit dhe të tregtimit të barnave”, shfuqizohet dhe Ministria e Shëndetësisë ngarkohet për zbatimin e këtij vendimi.

1. Pasuritë shtetërore u jepen të tretëve, duke u transferuar të drejtën e përdorimit me qira ose enfiteozë, nëpërmjet procedurës së konkurrimit.

 2. Pasuritë shtetërore, që jepen me qira, sipas përcaktimit të pikës 1, të këtij vendimi, janë: ndërtesat, sipërfaqet funksionale (jo nën ndërtesë), trualli i lirë, makineritë e pajisjet e linjat e prodhimit të institucioneve shtetërore, ndërmarrjeve dhe shoqërive tregtare me kapital 100 për qind shtetëror (në vijim “shoqëri shtetërore”). Pasuritë shtetërore, që jepen me enfiteozë sipas përcaktimit të pikës 1, të këtij vendimi, janë vetëm pasuritë e paluajtshme të institucioneve shtetërore, ndërmarrjeve dhe shoqërive shtetërore.

 3. Kriteret e konkurrimit për dhënien me qira të pasurisë shtetërore janë: Niveli i investimit, niveli i punësimit, oferta e detyrimit mujor të qirasë. Institucionet qendrore dhe vendore mund të vendosin edhe kritere të tjera shtesë.

 

4. Kriteret e konkurrimit për dhënien me enfiteozë të pasurisë shtetërore janë, si më 

    poshtë vijon:

 – Niveli i investimit në pasuri të paluajtshme për përmirësimin e pronës, i cili të jetë mbi 200 për qind të vlerës së pasurisë së shpallur për konkurrim;

– Qëllimi dhe niveli i investimit në tërësi në pasurinë që jepet me enfiteozë;

– Niveli i punësimit;

– Oferta e detyrimit mujor.

      Institucionet qendrore dhe vendore mund të vendosin edhe kritere të tjera shtesë.

 5.  Përjashtohen nga konkurrimi:

a) dhënia me qira e sipërfaqeve deri në 200 m2, të cilat jepen me afat deri në 1 vit;

b)  makineritë e pajisjet e shkëputura, të cilat jepen me afat deri në 1 vit;

c) dhënia me qira e pasurive shtetërore subjekteve të pajisura me leje shfrytëzimi të pasurive natyrore minerare, peshkimit, ujërave e të veprimtarive të tjera, të ngjashme, kur këto pasuri i jepen subjektit, në ndihmë të zhvillimit të aktivitetit, për të cilin është licencuar;

ç) rastet kur me ligj janë miratuar marrëveshje minerare të shfrytëzimit, subjekti i licencuar ka të drejtën e lidhjes së kontratës së huapërdorjes për sipërfaqen e ndërtimit të fabrikave (sipërfaqe kjo e konfirmuar nga plani i biznesit i paraqitur për marrjen e lejes së shfrytëzimit), me të drejtë përsëritjeje deri në përfundim të periudhës së licencimit;

d)  dhënia me qira e objekteve shtetërore për institucionet shtetërore, kur ato do të përdoren për nevoja dhe aktivitete të mëtejshme shtetërore;

 dh)  dhënia me qira e pasurive shtetërore subjekteve shtetërore ose private për ushtrimin e aktiviteteve në fushën e sportit, kulturës, turizmit dhe trashëgimisë kulturore, kundrejt investimeve në pasurinë shtetërore të vlerave mbi 2 (dy) milionë euro;

e)  shtesat në kontratë për sipërfaqet funksionale që kërkohen nga qiramarrësi   për të shtuar ose për të përmirësuar veprimtarinë, për sipërfaqe jo më shumë  se 50% e sipërfaqes totale të truallit ku shtrihet objekti i marrë me qira dhe  vetëm në rastet kur sipërfaqja shtesë shtrihet në kufi me sipërfaqen e  kontratës.

6.  Të drejtën e lidhjes së kontratës së qirasë dhe të përcaktimit të afateve të dhënies me qira e kanë:

 a) institucioni shtetëror, ndërmarrja ose shoqëria shtetërore, që jep me qira, për një afat deri në 1 (një) vit:

 i) objekte që ka në administrim, me sipërfaqe deri në 200 m2 (ku të jetë  përfshirë dhe sipërfaqja funksionale);

    ii)   objektet voluminoze, si depozita, silose etj. me vëllim deri në 300 m3, makineri, pajisje, linja teknologjike, të shkëputura, që janë të instaluara  brenda këtyre sipërfaqeve. Institucionet, ndërmarrjet a shoqëritë shtetërore nuk mund të japin me qira vetëm “truall të lirë” me sipërfaqe deri në 200 m2.

b) organi, që ushtron të drejtën e përfaqësuesit të pronarit të pronës shtetërore të institucionit shtetëror, ndërmarrjes apo shoqërisë shtetërore, që jep me qira deri në 20 vjet:

 i) sipërfaqe mbi 200 m2;

ii) linjat teknologjike apo objektet voluminoze, si depozita e silose me volum mbi 300 m3, që janë të instaluara brenda këtyre sipërfaqeve.

Afati i lidhjes së kontratës për sipërfaqet 200 – 500 m2 është deri në 10 (dhjetë) vjet, ndërsa për sipërfaqet mbi 500 m2 është deri në 20 (njëzet) vjet.

 7. Të drejtën e lidhjes së kontratës së enfiteozës për pasuritë shtetërore, me afat deri në 20 (njëzet) vjet, e ka ministria përgjegjëse për ekonominë ose organi i qeverisjes vendore, që ushtron të drejtën e përfaqësuesit të pronarit mbi pronën.

 8.  Pasuritë në administrim të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare jepen me qira prej saj, me afat deri në një vit, pa kufizim për sipërfaqen e tyre.

9.  Pasuritë në administrim të Autoritetit Portual Durrës jepen me qira ose enfiteozë prej tij, në përputhje me ligjin nr.9130, datë 8.9.2003,  “Për Autoritetin Portual”, sipas procedurave të këtij vendimi.

 10. Monumentet e kulturës jepen me qira ose enfiteozë nga Ministria e Kulturës në përputhje me ligjin nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar.

 11.Të drejtën e lidhjes së kontratës së qirasë me subjektet e pajisura me leje shfrytëzimi të pasurive natyrore – minerare, peshkimit, ujërave, veprimtarive të tjera të ngjashme e ka institucioni qendror shtetëror, që mbulon veprimtarinë përkatëse, sipas përcaktimeve në Kodin e Procedurës Administrative.

II. PROCEDURAT E DHËNIES ME QIRA OSE ENFITEOZË TË PASURISË SHTETËRORE

 1. Institucioni shtetëror, ndërmarrja apo shoqëria shtetërore, që ka në administrim objektin që do të jepet me qira ose enfiteozë, për të gjitha rastet, përgatit dokumentacionin, si më poshtë vijon:

 a) Propozimin për dhënien me qira ose enfiteozë të objektit, i cili përmban propozimin për veprimtarinë që mund të ushtrohet në këtë pasuri dhe afatin  e dhënies me qira.

b) Vendimin e organit drejtues të institucionit shtetëror, ndërmarrjes apo shoqërisë shtetërore (Këshilli Mbikëqyrës, Këshilli Drejtues, Bordi Drejtues, etj.).

c) Miratimin e organit të varësisë administrative.

ç) Gent-planin e objektit, në 6 (gjashtë) kopje origjinale, të konfirmuar nga drejtuesi i institucionit shtetëror, ndërmarrjes apo shoqërisë shtetërore dhe nga organi i prefekturës, në territorin e së cilës ndodhet pasuria, ku të jenë përcaktuar qartë sipërfaqja e truallit gjithsej, sipërfaqja e truallit nën ndërtesë dhe sipërfaqja funksionale (jo nën ndërtesë).

d) Tarifën dysheme të detyrimit mujor për sipërfaqet nën ndërtesë, sipas përcaktimeve në këtë vendim dhe duke pasur parasysh edhe gjendjen fizike të objektit.

dh)  Konfirmimin nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për pronësinë shtet të objektit dhe truallit, si dhe nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për vendimet që mund të ketë dhënë për njohje ose kthim prone.

    III. TARIFAT DHE VLERA DYSHEME PËR PASURITË SHTETËRORE QË JEPEN ME QIRA OSE ENFITEOZË

 1. Për pasuritë shtetërore që jepen me qira vlera llogaritet si më poshtë:

a) Për ndërtesat (quhen të tilla sipas përcaktimeve në aktet ligjore e nënligjore në fuqi në fushën e planifikimit të territorit), tarifat dysheme të qirasë mujore janë sipas tarifave të përcaktuara në aneksin “A” bashkëlidhur këtij vendimi.

b)  Për sipërfaqen funksionale, tarifa dysheme e qirasë mujore është 20 për qind e tarifës dysheme të detyrimit mujor të përcaktuar për ndërtesat. Trualli nën ndërtesë (objekti) përfshihet në tarifën e qirasë së ndërtesës.

2. Kur jepet me qira truall i lirë, pra kur jepet me qira ose enfiteozë vetëm truall, tarifa dysheme e qirasë mujore është 100 lekë/m2.

 3. Për pasuritë e institucioneve shtetërore apo shoqërive shtetërore me karakter kombëtar (kulturor, historik, muzeor, arkeologjik), të shpallura të tilla me akte ligjore, tarifa dysheme e detyrimit mujor e përcaktuar më sipër, shumëzohet me      2 (dy).

 4. Kur ndërtesa është me dy ose më shumë kate, për efekt të llogaritjes së qirasë mujore do të merret parasysh sipërfaqja e çdo kati.

 6. Për objektet voluminoze si: rezervuarët, depozitat dhe siloset, që jepen me qira me qëllim tregtimi, brenda vijave kufizuese të qyteteve: Tiranë, Berat, Durrës, Fier, Korçë, Lushnjë, Pogradec, Sarandë, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Gjirokastër, Kavajë, Krujë, Laç, Lezhë, tarifa dysheme e qirasë është 400 lekë/m3 në muaj, ndërsa jashtë vijave kufizuese të qyteteve të sipërpërmendura, si dhe në të gjitha zonat e tjera tarifa e qirasë është 200 lekë/m3 në muaj.

 

7. Për terrenet sportive, përcaktuar si të tilla me akte ligjore dhe kur do të kryhet 

    aktivitet sportiv, tarifa dysheme e qirasë mujore është 10 lekë/m2 në muaj.  

8. Për pasuritë në administrim të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, tarifat minimale të detyrimit mujor të qirasë të jenë sipas tabelës “B”, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për ambientet e saj dhe  Pallatit të Kongreseve, në raste të veçanta aplikon tarifa të ndryshme me ato të parashikuara më lart, me miratim të Këshillit të Ministrave.

 IV.    NXITJA E BIZNESIT

 1. Për objektet e dhëna me qira ose enfiteozë, me sipërfaqe mbi 200 m2, vlera e detyrimit mujor rillogaritet me zbritje, kur subjekti që ka marrë me qira ose enfiteozë, vërteton në llogaritë financiare vjetore të tij se ka kryer investime në pasurinë e marrë me qira ose enfiteozë për përmirësimin e saj, si dhe për blerje e instalim linjash, makinerish e pajisjesh në vlerat, si më poshtë vijon:

· Investime mbi 50 milionë lekë, zbritja është  10 % ;

· Investime mbi 80 milionë lekë, zbritja është  20 % ;

· Investime mbi 100 milionë lekë, zbritja është 30 % ;

· Investime mbi 150 milionë lekë, zbritja është 40 % .  

 

2. Ulja e vlerës së detyrimit mujor nga realizimi i investimeve vlen deri në përfundimin e afatit të kontratës të qirasë apo enfiteozës.

V . KONTRATA ME TARIFËN SIMBOLIKE 1 EURO KONTRATA 

 1. Pasuritë shtetërore, me sipërfaqe mbi 500 m2, u jepen të tretëve edhe me kontrata qiraje, me tarifë simbolike 1 (një) euro/kontrata, me vendim, rast pas rasti, të Këshillit të Ministrave.

 2. Kur, pas përfundimit të procedurave të konkurrimit, rezulton fitues një subjekt i cili propozon që në pasurinë shtetërore që jepet me qira do të zhvillohen  aktivitetet, si:

 a) veprimtari prodhuese industriale në nivele investimi mbi 10 milionë euro;

b) veprimtari prodhuese të regjimit “FASON”; atëherë, në këtë rast, institucioni që zhvillon procedurën dhe që ushtron të drejtën e përfaqësuesit të pronarit shtet për pasurinë i propozon Këshillit të Ministrave lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën simbolike 1 (një) euro/kontrata.

VIII. VLEFSHMËRIA E KONTRATAVE

 1. Kontratat e qirasë ose të enfiteozës janë të vlefshme deri në përfundim të afatit të tyre. Kur institucioni shtetëror, ndërmarrja apo shoqëria shtetërore, që ka dhënë mjedise me qira ose enfiteozë me sipërfaqe mbi 500 m2, shitet para përfundimit të afatit të kontratës, në publikimin për shitjen e tyre njoftohet ekzistenca e kontratave të qirasë ose enfiteozës të lidhura në këtë objekt, si dhe vlera e investimit të kryer nga subjekti që ka marrë me qira ose enfiteozë. Blerësi është i detyruar të respektojë kushtet e kontratës deri në përfundim të afatit të saj.

 2. Në rastet kur në kontratë është parashikuar zgjidhja e kontratës së qirasë ose enfiteozës, kur pasuria shtetërore kalon në procedurë privatizimi, kontrata e qirasë zgjidhjet automatikisht në datën kur enti shitës autorizon shitjen e pasurisë.

 3. Për truallin e dhënë në përdorim të tretëve në bazë të një kontrate qiraje ose enfiteoze, të njohur dhe kthyer pronarit në zbatim të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, kur ndërtesa në pronësi të pronarit shtet nuk përdoret për interes publik, shteti detyrohet t’i paguajë subjektit të shpronësuar qiranë e truallit të përfshirë në kontratën e qirasë apo enfiteozës, për të cilën ai është njohur pronar, sipas vlerës së përcaktuar në kontratën e lidhur. Vlera e qirasë së truallit që i kalon pronarit do të jetë shuma e vlerës së qirasë së truallit të lirë funksional, me vlerën e qirasë së truallit nën ndërtesë. Qiraja për m2 e  truallit funksional do të jetë sipas tarifës së aplikuar në kontratë. Qiraja për m2 e truallit nën ndërtesë, e cila në kontratë përfshihet në tarifën e qirasë së ndërtesës, do të llogaritet 20 për qind e tarifës së qirasë për ndërtesën e përcaktuar në kontratë.

 4. Në kontratat e qirasë ose enfiteozës, të lidhura për pasuri ku sipërfaqja e truallit është  mbi 500 m2, në rastet kur shoqëria qiramarrëse ose enfiteozëmarrëse ka kryer investime në përputhje me planbiznesin dhe në masën mbi 150 për qind të vlerës së truallit, si dhe kur shoqëria ka respektuar kushtet e kontratës, subjekteve kontraktuese, që kanë konsumuar mbi 5 vjet të kontratës, u lind e drejta e privatizimit të drejtpërdrejtë të objektit të kontratës, sipas legjislacionit në fuqi. Titullari i institucionit, që ka lidhur kontratën e qirasë ose enfiteozës, urdhëron ngritjen e grupit për vlerësimin e investimeve të kryera, të përbërë nga një ekspert vlerësues i licencuar dhe një ekspert kontabël i autorizuar, të cilët hartojnë raportin për vlerësimin e investimeve të kryera nga shoqëria qiramarrëse ose enfiteozëmarrëse për periudhën nga lidhja e kontratës deri në bilancin e vitit të fundit ushtrimor të miratuar.

Kur vlera e investimeve është mbi 150 për qind e vlerës së truallit, ministri miraton fillimin e procedurave për privatizim të drejtpërdrejtë të objektit.

  Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

 EDI  RAMA