Protesta e Opozitës së bashkuar/ Mijëra qytetarë pushtuan dje Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Qytetarët vrasin frikën dhe protestojnë kundër varfërisë, krimit dhe vjedhjes me PPP-të. Jehona në mediat botërore dhe 8 qershori si protesta më e madhe e viteve

601
Sigal

Dhjetëra mijëra qytetarë zbarkojnë në rrugët e Tiranës. Qytetarët kanë vrarë frikën dhe flasin përpara kamerave përse protestojnë

Protesta madhështore e Opozitës bëri jehonë në të gjitha mediat botërore. Më 8 qershor protesta e radhës

 

Dje Opozita e Bashkuar zhvilloi protestën e shtatë kombëtare para kryeministrisë dhe parlamentit, ndërkohë që dje kryeministri Rama u braktis në fushatën elektorale të Lezhës, ku morën pjesë vetëm një numër i vogël qytetarësh. Ndonëse vetëm pak orë më përpara Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, i ardhur në Tiranë, në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama u bëri apel palëve politike që të gjejnë zgjidhjen e krizës politike me dialog, larg dhunës, sado që edhe kryetari i PD-së Lulzim Basha u bëri thirrje protestuesve para kryeministrisë që të përmbahen dhe të mos ushtrojnë dhunë kundër policisë, sërish protesta e djeshme, në ndryshim me protestën e 25 majit, ishte e dhunshme, madje pati edhe të plagosur, midis protestuesve dhe policisë së Shtetit. Nga Protestuesit u përdorën kundër policisë shashka, flakadanë, kapsolla, ndërsa policia e Shtetit u përgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë me piper kundër protestuesve.

Blindohet kryeministria dhe parlamenti

Rreth 1300 efektivë pritet të jenë në gatishmëri të vendosura në institucionet e rëndësisë së veçantë përfshi Kryeministrinë, Kryesinë e Kuvendi, Parlamentin dhe Ministrinë e Brendshme, për mbarëvajtjen e protestës së opozitës. Pjesë e kordonit të sigurisë janë kangjellat metalike, autoblindat e shpërndarjes së turmave me presion uji si dhe afro 350 efektivë të Gardës së Republikës.

Kryeministri Rama: Protestat janë inskenime politike, s’do lejojmë destabilizim

Kryeministri Rama dje i cilësoi protestat inskenime politike dhe shprehu bindjen se nuk dot ë lejojë destabilizimin e vendit. Kryeministri Rama: “Nuk është shfaqje e një shqetësimi popullor, por një inskenim politik. Në Shqipëri nuk do të ndodhë nuk do të lejojmë asnjë formë destabilizimi që do të lejonte cenimin e imazhit të vendit tonë, përveç cenimit që i japin imazhet e dhunës. Jam i bindur se çdo qytetar e çdo shqiptar që e do këtë vend, nuk do të marrë pjesë në një proces ku do të vërtetohej teza famëkeqe e armiqve historikë të Shqipërisë se shqiptarët nuk dinë të bëjnë shtet se nuk dinë të respektojnë as rregullat që i vënë vetë. Ne do të zhvillojmë zgjedhje. Nëse opozita apo cilado parti e opozitës nuk lejohet të hyjë në zgjedhje, zgjedhjet nuk janë demokratike por nëse dikush nuk preferon, kjo nuk i bën zgjedhjet jodemokratike.

Basha i përgjigjet Ramës: Asnjë hap pas!

Ndërsa kanë mbetur edhe 2 orë nga protesta e 7-të kombëtare e opozitës, kryetari i saj Lulzim Basha, ka publikuar një video, ku fton qytetarët që t’i bashkohen. Basha shkruan se nuk ka asnjë hap pas në aksionin e opozitës. “Asnjë hap pas për çlirimin e vendit nga e keqja! Sonte në ora 19:00 të gjithë në shesh! #2qershor #ShqipëriaSiEuropa”, – shkruan Basha.

Qytetarët: Ja pse protestojmë

Qytetarët e kanë vrarë frikën. Tani të gjithë flasin edhe para mikrofonave dhe kamerave televizive për shkaqet dhe arsyet pse erdhën nga rrethet e tjera, në Tiranë për të protestuar. Një pensionist i ardhur nga Fieri dhe proteston përpara kryeministrisë u shpreh: Qeveria nuk merakoset fare për ne. Ndihemi të harruar dhe të braktisur. Lekët që marrim nga pensioni nuk na dalin as për ilaçe. Trembemi të sëmuremi. Kryeministri le të na japë të katin 1 të 20-n e rrogës së tij për pension. Kam punuar 40 vjet dhe tani të marr vetëm 12.000 lekë, ndihemi të turpëruar. Një biznesmen nga Shkodra tha: Nuk i përballojmë dot taksat e shumta. Nuk kemi treg as për shitjen e mallrave. Nuk ka konkurrencë të ndershëm. Njerëzit që janë të lidhur me qeverinë marrin të gjitha punët. Një fermer i ardhur nga Lushnja: Para disa ditësh ne derdhëm qumështin në rrugë, por asnjë nga qeveria nuk u merakos, nuk erdhi të na dëgjonte. Ndërkohë, që marrim vesh nga televizionet që u kapën tonelata me qumësht pluhuri, vaj palme dhe margarinë që shitet për gjalpë i freskët. Këta që bëjnë këto biznese të pista janë miqtë e qeveritarëve, ndërkohë që neve nuk na marrin qumështin. Tokën nuk e punojmë dot, sepse të gjitha punimet kanë çmim që ne nuk e paguajmë dot. Pastaj, edhe ato pak prodhime që bëjmë, i hedhim në kanal, sepse nuk kemi ku i çojmë. Ne paguajmë karburantin për të punuar tokën me të njëjtin çmim që paguan edhe ai që ka makinë 100.000 euro për qejf.

I moshuari nga Mati: Në protestë si hallexhinj, jo partiakë…

Mijëra protestues po marshojnë drejt kryeministrisë, ndërsa grupmoshat që marrin pjesë janë nga më të ndryshmet. Një prej tyre, në një intervistë të shkurtër Ermal Rizai, është shprehur se ka ardhur nga Mati jo si partiak por për shkak të halleve që kanë mbuluar atë dhe të gjithë vendin. Kemi ardhur me paratë tona, me organizimin tonë, Jemi hallexhinj, jo partiak. Erdhëm pasi dëgjuam thirrjen. Jemi më keq edhe se vendet e rajonit.

Protesta orë pas ore

Ora 18:30 250 të rinj të FRPD me shirita të bardhë

250 të rinj të Forumit Rinor të Partisë Demokratike do të jenë ruajtësit në protestën e opozitës. Mësohet se të rinjtë janë vendosur shirita të bardhë në krahë në shenjë paqe për të siguruar qetësinë dhe për të mos lejuar konfrontimin e protestuesve me policinë.

Ora 18:31 PD nxjerr shifrat: Në Tiranë po vijnë 65 mijë qytetarë

Pak minuta para nisjes së protestës, burimet nga PD-ja bëjnë të ditur se kanë mbërritur ose janë rrugës për në Tiranë rreth 65 mijë qytetarë. Ata do të marrin pjesë në protestën përpara kryeministrisë, e cila do të nisë në orën 19:00. Parashikimet për pjesëmarrjen në protestë janë disi më të larta se ajo e 25 majit, ku llogariteshin rreth 62 mijë protestues nga rrethet, pa llogaritur qytetarët e qarkut të Tiranës. Qarku Durrës – 9850 qytetarë, Qarku Kukës – 4100 qytetarë, Qarku Shkodër – 9600 qytetarë, Qarku Dibër – 3550 qytetarë, Qarku Lezhë – 7400 qytetarë, Qarku Korçë – 4600 qytetarë, Qarku Berat – 3050 qytetarë, Qarku Fier – 5800 qytetarë, Qarku Gjirokastër – 2400 qytetarë, Qarku Elbasan – 8200 qytetarë, Qarku Vlorë – 5250 qytetarë

 

Ora 19:04 “Ushtria” e Unazës së Re marshon drejt Kryeministrisë

Banorët e Unazës së Re të radhitur në rreshta e me jelekë portokalli, me në krye ish-deputetin e PD Klevis Balliu kanë nisur rrugën drejt Kryeministrisë.

Dhjetëra banorë me flamurin kombëtar në krye dhe një pankartë gjigante janë nisur më këmbë drejt Bulevardit nga Unaza e Re. Ata do t’iu bashkohen protestuesve të tjerë në bulevardin kryesor të Tiranës, para godinës së Kryeministrisë. Ata thërrasin “Rama ik” në kor, ndërsa në pankartë shkruhet ndër të tjera “Fitorja është afër”.

Ora 19:10 Nis protesta e opozitës, qytetarët mblidhen në Bulevard

Ka nisur protesta e opozitës para Kryeministrisë. Mbështetësit e thirrur nga opozita kanë mbushur bulevardin, ndërkohë që nuk mungojnë fishekzjarrët e tymueset. Pjesë e skenografisë janë disa yje të BE-së që mbahen nga të rinjtë e FRPD si thirrje “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Po kështu janë ngritur edhe disa tullumbace të bardha me shkrimet “Rama ik”. Qytetarët mbajnë në duar flamuj kombëtar, të SHBA, BE dhe Gjermanisë. Të parët që kanë zbarkuar në sheshin para km janë të rinjtë e FRPD me tullumbace të bardha ku shkruhet “Rama ik”. Sikurse edhe në protestat e mëparshme janë të shumtë qytetarët që mbajnë vuvuzela e flakadanë në duar. Masat e policisë thuajse të njëjta me 6 protestat e tjera kombëtare, duke nisur nga ajo e 16 shkurtit.

 

Ora 19:38 Vasili: S’do lejojmë monizëm

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili në krye të protestuesve që u nisën nga selia e LSI, tha se kryeministri Edi Rama nuk do lejohet të vendosë monizmin në vend. Duke komentuar hapjen e fushatës në Lezhë, ai tha se Rama shkoi në vendin e krimit.

 

Ora 19:50 Basha para protestuesve: Kushtrimi juaj u dëgjua në të gjithë botën

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se Rama është një kufomë politike që endet nëpër Shqipëri, dhe do të largohet sa më parë. Një bashkimi i pa parë asnjëherë i fuqisë popullore, jemi mbledhur jemi derdhur në këtë shesh për të dhënë shpresë. Dua t’u shpreh sot mirënjohjen time, por kam nderin që të shpreh mirënjohjen e çdo vogëlushi shqiptar dhe çdo shqiptari tjetër. Të mbledhur dhe kaq të vendosur dhe të qartë në kushtrimin tuaj, për ta dëgjuar e gjithë bota, Rama ik. Bandë kriminale, që është vjedhur nga një kryebandit, që është hajduti më i madh i të gjitha kohërave, që vjedh bukën e vogëlushëve. Bëjeni thirrjet tuaj “Rama ik” që ta dëgjojë në bunkerin ku është fshehur, të dëgjojë e gjithë bota thirrjen tuaj. Sot endet nëpër Shqipëri kufoma me e urryer që nga diktatura, ai duhet të ishte sot para drejtësisë, të jepte llogari për vjedhjet që ka bërë.

Basha fton qytetarët të shkojnë para parlamentit: Drejt godinës së krimit e drogës” –

Dhjetëra mijëra qytetarët e mbledhur para kryeministrisë kanë nisur marshimin drejt Parlamentit, të cilin Basha në fund të fjalës së tij e cilësoi si godina e krimit. Të marshojmë vëllezër e motra drejt parlamentit të krimit, parlamentit ilegjitim, që nuk e ka të gjatë jetën. Orës së qeverisjes së krimit, oligarkëve dhe pronarëve të mediave, që mbajnë me serum Ramën në pushtet i ka ardhur fundi. Askush nuk do e shpëtojë më. Nuk mund ta mbajnë më peng vendin.” – tha Basha para se të ftonte qytetarët që të nisnin marshimin drejt parlamentit.

Ora 20:00 Tensionohet situata

Nxehet situata tek Kryeministria. Protestuesit kanë hedhur fishekzjarrë, kapsolla e gurë drejt Kryeministrisë e cila është mbuluar nga tymi. Të tjerë protestues janë përpjekur të heqin gardhin metalik para policëve.

 

Ora 21:30 Tym e flakë te Parlamenti, policia ndërhyn me ujë e gaz lotsjellës

Policia ka ndërhyrë duke përdorur ujë e gaz lotsjellës, për të zmbrapsur turmën e protestuesve në sheshin para parlamentit. Njëkohësisht kanë vijuar edhe thirrjet e policisë ndaj protestuesve. Gjithashtu policia i kërkon medias të largohet nga ambientet para parlamentit. Tym e kapsolla tek parlamenti, ku është krijuar një situatë e tensionuar. Protesta e opozitës është zhvendosur tek parlamenti. Protestuesit dhe kreu i PD kanë marshuar nga bulevardit tek Kryeministria për të shkuar tek rruga para parlamentit. Ndërkohë që policia ka marrë masat e saj. Një numër i madh efektivësh janë rreshtuar para hyrjes së parlamentit.

 

Plagoset qytetari tek Parlamenti, gjaku lumë përtokë, kaos në protestë

Një qytetar është plagosur në protestën e opozitës para parlamentit. Një djalë i ri është plagosur, por ende nuk dihen rrethanat. Ai është filmuar i gjakosur dhe i shtrirë përtokë, ndërkohë që e kanë marrë në krah qytetarë të tjerë. Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, në një reagim ka thënë se qytetari i plagosur në protestë ka pasur një vrimë në këmbë.

Reagimi i Presidentit të Republikës: Vetëpërmbajtje, shmangni provokimet

Për situatën e krijuar ka reaguar edhe Presidenti i republikës, Ilir Meta.

“Presidenti i Republikës bën thirrje për vetëpërmbajtje, shmangien e incidenteve dhe provokimeve”–thuhet në reagimin e kreut të shtetit.

Jehona e protestës në mediat botërore

Zëri i Amerikës. LIVE: Shqipëri, nis protesta e opozitës

Në Shqipëri ka nisur protesta e e njoftuar e opozitës të dielën në mbrëmje para selisë së Qeverisë. Ajo është paraprirë nga një rreth me yje të verdhë të krijuar nga të rinj të Forumit demokratik të Partisë demokratike, të veshur më blu, duke krijuar kështu simbolin e Bashkimit Evropian. Opozita e cila kërkon me ngulm largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një Qeverie kalimtare të të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme, e ashpërsoi qëndrimin e saj. Kryeministri ka mohuar në mënyrë kategorike dorëheqjen, apo dhe mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve vendore. Për opozitën, çdo zgjidhje duhet të kalojë në mënyrë të pashmangshme përmes largimit të zotit Rma nga drejtimi i Qeverisë.

Deutche Ëelle në shesh: Opozita kërkon largimin e Ramës dhe zgjedhje të ndershme

Protesta e madhe e Opozitës që po mbahet në këto momente përballë zyrës së Ramës është komentuar edhe nga Deutche Ëelle, e cila në një postim në rrjetet sociale të cilin e shoqëron me edhe me foto nga protesta shkruan: “Opozita e bashkuar mban protestën e shtatë kombëtare përpara Kryeministrisë dhe të parën protestë që pas hapjes së fushatës së qeverisë për zgjedhjet e 30 Qershorit. Kërkesat janë të njëjtat: largimi i kryeministrit Rama, krijimi i qeverisë tranzitore dhe zgjedhje të lira e të ndershme.”

Mediat më të mëdha ndërkombëtare: Shqiptarët kërkojnë zgjedhje të reja

Ashtu si edhe në protestat e shkuara, edhe protesta që u zhvillua dje para kryeministrisë ka bërë jehonë në mediat botërore, kryesisht ato në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Britaninë e Madhe. Prestigjiozet “Neë York Times”, “Ëashington Post” dhe “Boston 25 Neës” i kanë kushtuar një artikull protestës së shtatë mbarëkombëtare të opozitës së bashkuar, duke venë theksin te kërkesa për zgjedhje të parakohshme. “Mijëra mbështetës të opozitës shqiptare kanë dalë përsëri në rrugë për të kërkuar zgjedhje të parakohshme, pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga ndërkombëtarët për t’u ulur për bisedime”, nis artikullin e tij Ëashington Post”. Ndërsa “Neë York Times” shkruan se, “mbështetësit e opozitës së qendrës së djathtë të Partisë Demokratike janë mbledhur këtë të diel para selisë së qeverisë duke akuzuar kryeministrin Edi Rama të Partisë Socialiste të qendrës së majtë për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Ata duan që Rama të japë dorëheqjen dhe një qeveri tranzitore të çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme”. Të njëjtën shprehin edhe “Daily Mail” dhe “Boston 25 Neës” në artikujt e tyre për protestën e sotme të opozitës në Tiranë.

Monika Kryemadhi: Të gjithë bashkë të jemi në protestën e shpresës

Sot më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për forcën e protestës qytetare, ka nevojë që të gjithë bashkë të dëshmojmë se e ardhmja e fëmijëve tanë nuk mund të jetë peng i papërgjegjshmërisë së Edi Ramës! Sot është dita e qytetarëve. Prandaj të gjithë bashkë, pa asnjë dallim në jemi të rinj apo të moshuar, burra apo gra, nga fshati apo nga qyteti, nga Jugu a nga Veriu, me apo pa parti, të majtë apo të djathtë, të jemi bashkë në protestën e shpresës, sepse e keqja po shembet dhe se e nesërmja bëhet më e mirë, vetëm kur qytetarët i dalin zot fatit të tyre!