Protesta e opozitës, flakadanë, tym dhe kaos, si u kthye Kuvendi në një arenë lufte

364
Mes tensionit dhe përplasjeve të forta në Kuvend, është betuar Kryeprokurorja e re e përkohshme, Arta Marku, protestuesit tentuan të hynin në sallë, policia masa të forta
Pasditen e së dielës, opozita e bashkuar kishte paralajmëruar mbajtjen e një proteste me qëllim bllokimin punimeve në Kuvendin e Shqipërisë, ku do të votohej emri i kryeprokurores së re të përkohshme. Deklaratat u bënë, si nga ana e PD-së mbështetur nga aleatët e saj, ashtu edhe LSI. Ndërkohë mëngjesin e djeshëm gjithçka nisi me grumbullimin e protestuesve nga rrethe të ndryshme të vendit. Përplasjet e para ndodhën brenda në sallën e Kuvendit. Pas përplasjes me punonjësit e Gardës, deputetët e opozitës kanë hedhur tymuese në Kuvend kur po votohej rendi i ditës. Tymueset janë hedhur nga deputetët e PD-së Flamur Noka, Ervin Salianji dhe Endri Hasa. Një situatë e ngjashme kjo me Kuvendin e Kosovës gjatë debateve për demarkacionin. Dy nga tymueset janë hedhur në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi. Protagonistë të kësaj situate kanë qenë kryesisht deputetët e PD-së, ndërsa ata të LSI-së kanë qëndruar më të tërhequr. 

Situata brenda dhe jashtë Kuvendit orë pas ore
Ora 07:30: Policia e Shteti kishte marrë të gjitha masat për të mbajtur nën kontroll protestën. Rreth 1500 forca policie si dhe ato të ndërhyrjes së shpejtë rrethuan godinën e Kuvendit. Policia kishte sjellë pranë territorit të Kuvendit edhe tela me gjemba, me anë të të cilëve pretendonte të parandalonte hovin e protestuesve, të cilëve do t’u bëhej thirrje për t’u futur në sallën e mbledhjes, ku pritej të votohej për Kryeprokuroren e ri, emri i së cilës ishte paracaktuar dhe ajo ishte Arta Marku. 
Ora 08:00: U njoftua se nga të gjitha qarqet e vendit ishin nisur mbështetës të opozitës për të qenë pjesë e protestës para kuvendit. 
Kukës: Nga qarku verilindor, i cili njihet si një bastion i djathtë, drejt Tiranës u tha se ishin nisur 400 simpatizantë.
Elbasani: Një autobus para selisë së PD-së. Ndërkohë, nga zyrat e LSI-së në Elbasan u nisën rreth 300 protestues.
Lezhë: Po drejt kryeqytetit udhëtuan 1500 simpatizantë.
Dibër: Rreth 1500 simpatizantë udhëtuan drejt Tiranës.
Berat: Rreth 100 persona drejt Tiranës. 
Fier: 700 simpatizantë të PD-së iu bashkuan protestës
Korçë: 50 persona
Sarandë: Një autobus me 30 simpatizantë
Gjirokastër: 150 simpatizantë
Grumbullimi para godinës së Kuvendit u bë në orën 09:30 minuta. Protestues të shumtë u mblodhën në pritje të drejtimit të tyre nga ana e liderëve të PD-së dhe LSI-së. 
Ora 09:00: Kordoni i policisë i vendosur para Kuvendit, u forcua edhe më shumë.
Ora 09:30: Kreu i PD-së Lulzim Basha, mbledh deputetët e grupit parlamentar dhe i porosit që të veprojnë në bazë të asaj që ata kishin vendosur. 
09:30: Grupi Parlamentar i PS-së mori udhëzimet e fundit nga Edi Rama, i cili u kërkoi atyre të votonin për kryeprokurore, Arta Markun, një nga emrat më të përfolur gjatë ditëve të fundit. 
Ora 09: 40: Deputetët e Partisë Demokratike futen në sallën e Kuvendit, ndërkohë që protestues të shumtë ishin grumbulluar para godinës. Megjithatë ishte bërë një plan që grupi i deputetëve të ndahej në dy pjesë. Një pjesë brenda në sallë dhe një pjesë tjetër me protestuesit. 
Ora 10:00: Gramoz Ruçi hap punimet e Kuvendit, ndërkohë që deputetë të PD dhe LSI kundërshtonin.
Ora 10:05: Kryetarët e tre grupeve parlamentare dorëzojnë një kërkesë në bazë të së cilës kërkonin heqjen nga rendi i ditës të votimit për kryeprokuror, duke e konsideruar antikushtetues. 
Ora 10:10: Maxhoranca vetëm me votat e saj rrëzon kërkesën e tre grupeve parlamentare.
Ora 10: 15: Ish-kryeministri Sali Berisha pas vendimit të Kuvendit që rrëzoi kërkesën e grupeve parlamentare, u pengua nga garda e republikë për të marrë fjalën për procedurë, fjalë të cilën ia kishte dhënë kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi. Një situatë e tillë krijoi tension në radhët e deputetëve të djathtë, të cilët u ngritën të gjithë në këmbë. Ndërkohë Ruçi urdhëroi ndërprerjen e seancës për disa minuta. 
Ora 10:20 Dy deputetë të PD-së, nisen drejt turmës Edi Paloka dhe Enkelejd Alibeaj i bashkohen turmës.
Ora 10:50 Luan Rama në një mesazh në facebook i bën thirrje tre kandidatëve për kryeprokuror të tërhiqen nga gara. 
Ora 11:03 Protestuesit çajnë kordonin e policisë, ndërhyjnë Forcat Speciale
Protestuesit e opozitës kanë thyer kordonin e policisë para Kuvendit, duke tentuar të hyjnë me forcë në sallë. Gjatë kësaj përpjekjeje të protestuesve një vajze i ra të fikët mes turmës. Protestuesit u përleshën me policinë, ndërkohë që pati të lënduar nga të dyja radhët. 
Ora 11:20 Shtatë protestues të opozitës janë shoqëruar nga policia pas përplasjes përpara Kuvendit. Mbështetësit e opozitës tentuan të çajnë kordonin e policisë dhe të futeshin në Kuvend, por u bllokuan nga Forcat Speciale, të cilët rivendosën kordonin e sigurisë.
Ora 11:28 Protestuesit çajnë sërish kordonin e policisë para Parlamentit, futen në ambientet e brendshme të Kuvendit.
12:20 Përfundoi pas disa orësh tensione protesta e opozitës para Kuvendit të Shqipërisë kundër Kryeprokurorit të ri të përkohshëm. Njerëzit nisën të shpërndaheshin menjëherë pas fjalës së Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit.