Prokuroria kërkoi thirrjen me forcë të Tom Doshit dhe Durim Bamit, nëse nuk paraqiten në seancën gjyqësore. Tom Doshi, ish-kolegu i tij Mark Frroku dhe Durim Bami akuzohen për kallëzim të rremë kryer në bashkëpunim. Sipas prokurorisë, të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin krijuan prova të rreme me qëllim që të niste një hetim penal ndaj Ilir Metës (kryeparlamentar në kohën kur u regjistrua video). Doshi pretendonte që Meta kishte urdhëruar vrasjen e tij bashkë me ish-deputetin e PD-së Mhill Fufi dhe se këtë gjë ia kishte rrëfyer miku i tij Mark Frroku, por prokuroria pas hetimeve arriti në konkluzionin se gjithçka ishte e sajuar dhe i mori të pandehur. Çështja e tyre kaloi në të gjitha gjykatat, nga ajo e Larta, në Kushtetuese, pastaj tek Krimet e Rënda e në fund u rikthye në Gjykatën e Tiranës.