Prof. Servet Pëllumbi: Anëtarët e Kryesisë së PS-së me mikrofonat e Berishës në xhep

548
Sigal

INTERVISTA/ ish-Kryetari i Kuvendit dhe ish-Nënkryetari i PS-së, Prof. Servet Pëllumbi, Flet ekskluzivisht për “Telegraf”

Ndërsa këto kohët e fundit është folur e po flitet shumë për ndryshimet kushtetuese me miratimin e dy forcave më të mëdha politike në vend, shumëkujt i është kujtuar referendumi që u mbajt për Kushtetutën në nëntor të vitit 1994. Ishte një periudhë shumë e vështirë për opozitën e atëhershme, e cila e pranoi sfidën e referendumit të dekretuar nga Presidenti i atëhershëm i vendit, Sali Berisha. E, në atë kohë opozita socialiste e kishte Kryetarin Nano në burg. Në krye të fushatës kundër asaj projekt-kushtetute me shumë të meta u vu Nënkryetari i PS-së, Servet Pëllumbi. Pavarësisht pabarazisë që kishte me maxhorancën në pushtet dhe pengesave që i vinin në çdo hap, Prof. Pëllumbi bëri një fushatë brilante dhe… projekti i Kushtetutës “Berisha” u rrëzua… Tashmë, ish-Kryetari i Kuvendit dhe ish-Nënkryetari i Partisë Socialiste, Prof. Serveti e ndjek politikën në distancë, shkruan pareshtur libra për filozofinë dhe politikën, jep ndonjë intervistë në të rrallë, kur e sheh se nuk mban më ujë pilafi. Si tani fjala vjen. Ai gjen arsyen për të folur dhe në këtë intervistë ekskluzive për “Telegraf”, ku pasi flet për lojën që po bëhet me imunitetet dhe ndryshimet kushtetuese, paralajmëron dhe këshillon se çfarë duhet bërë për të shmangur historinë e hidhur të zgjedhjeve të 1996-s. Ai sinjalizon në mënyrë të veçantë opozitën rrezikun që ekziston rreth 9 muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme, pasi ai më mirë se kushdo i di marifetet e kësaj maxhorance për manipulimin e votave. Me të drejtë Prof. Servet Pëllumbi në jetën politike dhe shoqërore të vendit tonë njihet, jo vetëm si një personalitet emblematik i së majtës shqiptare, por edhe si një figurë polivalente e tij. Ai është padyshim jo vetëm politikan dhe intelektual i njohur me kontribute brenda vendit dhe përtej tij, por njëherësh është, dhe me siguri do të mbesë nga filozofët më të mirë të plejadës së tij, një “gur themeli” i historisë së mendimit filozofik dhe sociologjik shqiptar. Në të gjitha prononcimet e tij publike fjala dhe mendimi i tij ka një peshë të veçantë dhe ndiqet me mjaft vëmendje e kujdes. Mendimi teorik dhe përsiatjet filozofike të tij dëshmojnë se shoqëria jonë në fazën e tanishme të zhvillimit të qytetërimit demokratik, ka nevojë më shumë se kurrë për koncepte të qarta, optika filozofike realiste dhe optimiste, njerëzit tanë kanë nevojë imediate për ide të qëndrueshme. Ai në këtë intervistë ekskluzive për gazetën tonë, ripohon atë që tha pak ditë më parë në “Telegraf” Prof. Sabit Brokaj, se në kokën e PS-së janë disa njerëz që punojnë për Berishën. Për këtë ai sjell një rast konkret nga koha e SHIK-ut të Gazidedes. Gjithashtu, duke qenë në vitin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, Prof. Pëllumbi shpjegon se cilat janë arsyet dhe qëllimet e lartësimit të pavend të figurës së ish-Mbretit Zog. Sidoqoftë, intervista e tij është mjaft e qartë dhe e kthjellët dhe nuk ka nevojë për komente…

– Profesor, sapo është publikuar raporti i OSBE-së, ku paraqitet një tablo e zymtë e situatës në Shqipëri. Mendoni se është racional ky raport dhe nga se buron gjithë ajo zymtësi në raport?

– Mbase nuk është fjalë aq e goditur “zymtësi”. Raporti përmban kritika serioze dhe paralajmërime të forta, për më tepër të thëna troç si asnjëherë më parë. Kjo është e reja e tij, gjithsesi një gjuhë më e përshtatshme se rrumbullakosjet diplomatike të tipit: “kini shënuar arritje të mëdha, por ju mbetet ende shumë për të bërë”, prandaj meriton të përshëndetet.

– Çfarë duhet bërë nga politika në përgjithësi dhe nga opozita në veçanti për të parandaluar përsëritjen e historisë së hidhur të viteve ‘96-‘97?

– Politika lipset të ngrihet në nivelin e interesave kombëtare afatgjata, të ngrihet mbi cic-micet e interesave meskine të një lufte të rëndomtë për pushtet dhe të dijë të lexojë mesazhet më të fundit për “njëanshmëritë e hidhura” që po i vijnë nga SHBA dhe Europa. Në mënyrë të veçantë e them këtë për opozitën, për opozitat e opozitës që janë bërë modë në 121 partitë që ka vendi dhe që  gabimisht vazhdojnë të shiten si “mendim ndryshe”. Gjithsesi, shpresën më të madhe duhet ta mbështesim tek elektorati shqiptar që ka ardhur koha të ndërgjegjësohet për rolin historik që duhet të luajë me pjesëmarrjen e vet aktive në jetën e vendit, që të përmbysë me votë një regjim që është larg, shumë larg atij që ka aspiruar dhe vazhdon të aspirojë. Ndryshe, do t’i duhet të  vazhdojë “të ngopet me lugë zbrazët” dhe me premtime elektorale që s’mbahen…

– Ditët e fundit u votua nga maxhoranca dhe opozita e heqjes së imuniteteve, si një prioritet i caktuar nga BE. A ishte vërtet aq i rëndësishëm sa u trumbetua heqja e imuniteteve?

– E kam thënë edhe më parë, që kur doli kjo çështje dhe u reklamua si masa më efektshme  e luftës kundër korrupsionit, se e gjitha është një lojë, së pari, për t’u thënë shqiptarëve se politikanët po barazohen për nga të drejtat me ju, o qytetarë (!) prandaj mos e kërkoni korrupsionin tek politikanët; së dyti, për t’i venë edhe një herë kazmën Kushtetutës, pas “plugut Martinez”që i vunë bashkërisht në prillin e vitit 2008!

– Kjo është vërtet interesante, se Ju Profesor, edhe më parë për ndryshimet kushtetuese kini qenë kritik, madje edhe ndaj drejtuesve të PS-së, sidomos për ndryshimet e prillit 2008. A mund ta shpjegoni më gjerësisht për lexuesit e “Telegrafit” këtë qëndrim tuajin?

– Me kënaqësi. Kuptohet, nuk mund  të futem në sferën e konstitucionalistëve, prandaj arsyetimin që më kërkoni do ta “ngas” kryesisht në rrafshin politik dhe të kulturës demokratike. Jemi dëshmitarë të një opinioni pesimist të shprehur nga njerëz në vështirësi që thonë: “Ky vend nuk bëhet, duhet larguar një orë e më parë”! Një shkallë e tillë pesimizmi, është e lidhur me shumë faktorë e para së gjithash me papunësinë, varfërinë e vështirësi të tjera të natyrës ekonomike e sociale. Veçse, një ndikim negativ, madje të frikshëm, ka edhe qëndrimi mendjelehtë dhe i papërgjegjshëm që mbahet nga politikanët ndaj rendit kushtetues dhe ndaj vetë Kushtetutës. Jo vetëm në përvojën tonë, por dhe në atë botërore është provuar, se një vend, një popull, një bashkësi shtetesh mund të futen në qorrsokak po të jetë se nuk e kanë bërë shprehi të jetuarit sipas Kushtetutës, por sipas emocioneve, koncepteve, opinioneve, interesave apo dhe tekave të njërit apo të tjetrit. Në pamjen e parë kjo “lojë pluraliste”mund  të duket si “fytyra e vetë lirisë”, por në të vërtetë, kjo e le individin, grupe të tëra individësh, apo popullin në tërësi që të mos kenë truall të qëndrueshëm nën këmbë dhe për pasojë të mos i gëzojnë liritë që formalisht mund t’u njihen nga Kushtetuta.

– Pse ndodh kjo, Profesor?

– Kushtetuta si ligj themeltar i shtetit sanksionon vullnetin e popullit, përcakton ekuilibrat bazë të qëndrueshmërisë dhe stabilitetit të një shteti, të ndarjes së pushteteve dhe të kontrollit mbi institucionet, mbi të emëruarit apo dhe të zgjedhurit në nivele të ndryshme, përfshi dhe liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Kur ndodhin ndryshime si ato të prillit 2008 qytetari, sa do i vetëdijshëm të jetë, fillimisht do të hutohet.

Së pari, nga mënyra e bërjes së ndryshimeve, shpejt e shpejt, madje tinëz, pa pyetur as konstuticionalistët, pa le popullin. Edhe pse përbën detyrim kushtetues për t’i paraqitur ndryshimet kushtetuese në referendum. Pas kësaj, qytetarit i lind e drejta të thotë: “Këta politikanët tanë, kur nuk pyesin për Kushtetutën si do të pyesin për ne, për hallet e shqetësimet tona?”

Së dyti, edhe pse qytetarëve në raste të tilla u lind e drejta të revoltohen, tërhiqen kur shohin që ata që ndryshojnë Kushtetutën, duke prishur drejtpeshimet kushtetuese me ndonjë “Votim-Pazar”, mund edhe të vrasin qytetarë të pafajshëm, siç ndodhi më 21 janar 2011 dhe të mos u hyjë “gjemb në këmbë”! Të drejtat dhe liritë kushtetuese të qytetarëve bëhen kështu krejt formale. Atëherë i vjen radha pasivitetit, apo largimit për të kërkuar një jetë më të mirë e për më tepër më të sigurt gjetkë, jashtë vendit. Humbet dhe vota e tyre. Prandaj, dua ta nënvizoj edhe një herë: Kushtetuta nuk është një “copë letër”, por ligj themeltar që i jep kuptim e seriozitet jetës si bashkësi, si komb, si shtet, kurse qytetarëve një pikë referimi për të drejtat e tyre, motive për të punuar për vete dhe për të mirën e përbashkët si popull e si komb, shpresa se ardhmja do të jetë më e mirë dhe më e sigurt etj.;

Së treti, gjithsesi pasoja negative, më e afërt dhe më e kapshme, është një shkujdesje e përgjithshme në drejtim të zbatimit të ligjeve në tërësi duke i dhënë jetës reale pamjen e një rrumpalle; me ligje e VKM shumë, por që shumë syresh nuk botohen as në “Fletore Zyrtare”që është kusht për hyrjen e tyre në fuqi, pa le që të zbatohen. Tepër shqetësues është edhe zbatimi në mënyrë selektive i ligjeve, gjë që është baras me arbitraritetin, apo dhe vënia e institucioneve, e pushtetit gjyqësor e deri dhe të institucionit të statistikave nën pushtetin e një njeriu, të kryeministrit. E çfarë vlere mund të ketë në këtë rast mburrja: “Po heqim imunitetin që të barazojmë të drejtat e politikanëve e gjyqtarëve me ato të qytetarëve”?! Një qëndrim i përgjegjshëm ndaj Kushtetutës dhe një popull, që di të çmojë forcën e vet të mishëruar në Kushtetutë, gjëra të tilla nuk mund dhe nuk duhet t’i lejojë. Kjo është  “zona më e nxehtë” e demokracisë në Shqipëri, pikërisht çështja e ndërgjegjësimit për t’i thënë përfundimisht “JO Modelit Putin” të partisë- shtet, me nënshtrim të institucioneve, me dhunë verbale e fizike dhe trukim të opozitës, që është duke zbatuar Kryeministri Berisha.

– Çfarë do të propozonit tjetër për të kapërcyer ngërçet e krijuara nga qëndrime të papërgjegjshme, majtas –djathtas, ndaj Kushtetutës dhe ndaj ndryshimeve që mund të propozohen nga politika në të ardhmen e afërt?

– Shumë gjera mund të propozohen. Në këtë moment unë do të doja të bëja dy propozime konkrete. Së pari, një ditë festive, Ditën e Kushtetutës, të Kontratës shoqërore të vetë popullit që përbën themelin e shtetit. Së dyti, organizim të njohjes së filozofisë së Kushtetutës, për të cilën fola, por dhe të vetë Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë që nga preambula, Himni Kombëtar, Simbolet  Kombëtare dhe deri tek nenet që e bëjnë të qartë për këdo se si mund të ndryshojë e të përmirësohet ajo normalisht duke mos prekur parimet themelore. Doemos me pjesëmarrjen e popullit. Një proces i tillë njohjeje duhet të fillojë që nga klasa e parë fillore dhe deri në universitet, duke kaluar edhe në “sheshe debati e diskutimesh” për të formuar ndërgjegjen juridike të popullit. Libri  i Kushtetutës duhet të jetë në çdo familje…

Është fakt: kur një gjë e njeh me të vërtetë, kur njeh lidhjen e drejtpërdrejtë që ka me ty, me atë tjetrin, pa të cilin nuk mund të njohësh as vetveten, me të afërtit e të largëtit , me atdheun e gjuhën, me  identitetin e personalitetin tënd, me historinë dhe me atë që të motivon e të bën krenar, patjetër edhe do ta zbatosh edhe do të dish ta mbrosh. Nuk është propozim i ndërlikuar, por mund të na ndryshojë me të vërtetë, të na bëjë nga banorë – qytetarë të mirë e të përgjegjshëm për të mos e kaluar me mbledhje supesh kur merret vesh, bije fjala, që Presidenti i Republikës emëron si këshilltarin e vet më të rëndësishëm, këshilltar politik, të ashtuquajturin “Princ Leka II”që deklaron me mburrje: “Punoj në Presidencën e Republikës, por në zemër kam monarkinë”! Jo, Jo, betimi duke venë dorën mbi Kushtetutë duhet të mos jetë formal, si deri tani, sepse Kushtetuta duhet të përfaqësojë edhe një Kod Moral Kombëtar.

(Vijon numrin e ardhshëm)