Prof. Dr. Zamira Çavo/ Qeverisja e zotit Rama u shërben vetëm klaneve. Filozofia e Kryeministrit është: Fytyra dhe trupi i bukur

250

Prof. Dr. Zamira Çavo, politologe

Po t’i hedhim një sy administratës sonë publike pas shumë tavolinave gjen fytyra të reja, të makiazhuara mirë, por që nuk e kanë haberin e  punës në shtet. Pra, filozofia e kryeministrit është “fytyra e trupi i bukur” dhe nuk ka rëndësi fare, nëse ke “haber” nga puna apo jo!

Qeverisja e zotit  Rama u shërben vetëm klaneve

Jakup B. GJOÇA

Prof. Dr. Zamira Çavo, politologe në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se është diskriminim real i aftësive të çdo gruaje me integritet politika e kryeministrit Rama, që të shkarkojë gjithë drejtorët meshkuj e të emërojë drejtoresha, ndërkohë që filozofia qeverisëse e Rilindjes është të emërojnë njerëz pa integritet, pa aftësi, që të zhvatin pasuritë publike. Prof. Çavo thotë se nga qeverisja e Ramës  u shërben klaneve, ndërkohë që shqiptarët nuk kanë përfituar ASGJË, ndërkohë që Rilindja ka ikur në drejtim të gabuar. Prof Çavo, e cilëson reformën në drejtësi dhe vettingun të dështuar, derisa akoma gjyqtarët kërkojnë ryshfet për të “dhënë  drejtësi”.  Prof. Çavo thotë se për të mirën e Shqipërisë duhet një reformë e thellë kushtetuese, një Kod i ri Zgjedhor,sepse pa këto, zgjedhjet e përgjithshme do të jenë thjesht një farsë.

-Prof. Zamira ju si e perceptoni nismën politike të Kryeministrit Rama që të shkarkojë gjithë drejtorë rajonalë burra e të emërojë gra drejtoresha sepse gratë nuk janë të korruptueshme?

– Më vjen mirë që e fillojmë intervistën  me një problem ‘tender’. Duket se kryeministri e ka kuptuar tezën e njohur  se  nëse dëshiron të bësh punë, jepja një gruaje”. Por fatkeqësisht këndvështrimi i kryeministrit nuk shkon me këtë thënie. Po t’i hedhim një sy administratës sonë publike pas shumë tavolinave gjen fytyra të reja, të makiazhuara mirë, por që nuk e kanë haberin e  punës në Administratën publike. Pra, filozofia e kryeministrit është “fytyra e trupi i bukur” dhe nuk ka rëndësi fare, nëse ke “haber” nga puna apo jo! Nën këtë këndvështrim, të shkarkosh të gjithë meshkujt e të pretendosh që do ‘t’i zëvendësosh me gra nuk është më politikë tender, por diskriminim real i aftësive të çdo femre apo gruaje që ka një integritet të vetin e që di e punon me të gjithë forcat e saj në punën që ka. Duket kryeministrit, si gjithnjë, i intereson fasada dhe jo përmbajtja.

– Mos duhet që këtë nismë e re politike Kryeministri ta zbatojë edhe duke shkarkuar ministrat burra, meqë shumica e skandaleve të Korrupsionit denoncohet ndaj ministrave burra?

– Shikoni, korrupsioni nuk ka gjini.  Pra, nuk është fjala për meshkuj apo femra. Qeverisja me njerëz të paaftë është plaga më e rëndë që shkakton më tej çdo gjë të papranueshme që ndodh në këtë vend. Duke vazhduar me politikat që ju përmendni, do të thosha se filozofia përzgjedhëse e Rilindjes për qeverisje dhe administratë publike është: Njerëz që nuk kanë integritet që vijnë në një pozicion për arsye që nuk kanë lidhje me vendin e punës! Kjo e lehtëson maksimalisht punën e klaneve që zhvatin pasuritë publike e nuk e lenë popullin të mbushë barkun me “bukë”.

– Prof. Çavo ju ishit shumë optimiste në 2013 për Kryeministrin Rama dhe shpresuat se me Qeverisjen e Tij do të fillonte ndryshimi rrënjësor për Shqipërinë që Duam. Tani pas 6 viteve kur Edi Rama E ka i vetëm Timonin e qeverisjes a është Shqipëria në drejtimin e duhur?

– Po kam qenë optimiste me besimin se Rilindja do bënte shtet për qytetarin dhe jo shtet për “shtet” në favor të klaneve. Nuk mohoj kurrsesi arritjet e kësaj qeverie dhe përpjekjet për ta vendosur në shinat e duhura shtetin si me sistemin fiskal, ashtu edhe me kontrollin mbi territorin. Por e kam thënë gjatë gjithë këtyre 6 viteve se qeverisja e z Rama është qeverisje e djathtë, e si e tillë i shërben vetëm klaneve, sepse tek ne nuk ka biznese të mëdha që të sigurojnë zhvillimin e vendit. Populli, që në natyrën e tij është i majtë, i vuajtur e  nënshtruar si mos më keq, nga kjo qeverisje nuk ka përfituar ASGJË! Pagat dhe pensionet në Shqipëri janë më të ulëtat në rajon, Ligji vepron me standard të shumëfishta dhe kërkesa e llogarisë është gati zero. Pra më thjeshtë: Rilindja ka ikur  në drejtim të gabuar! Dhe demagogjia është në majat e veta!

– Mazhoranca thotë shpesh se Opozita kërkon destabilizimin e Shqipërisë me djegien e mandateve dhe protestat e vazhdueshme Ngaqë kërkon të pengojë Reformën në Drejtësi Sepse i trembet SPAK- ut. Cili është mendimi juaj?

Atëherë,.. opozita politike shqiptare  është tërësisht e dështuar! Dhe kjo është një fatkeqësi për të gjithë ne. Kjo opozitë në asnjë rast nuk ka pasur as vizionin politik e as vullnetin për të bërë diçka për vendin dhe njerëzit. Duke humbur pra këtë vizion opozita shkoi pa dashje drejt vetëshkatërrimit të saj, duke djegur mandatet. E vetmja mundësi që ajo të ndihej si e tillë, pra si force opozitare politike, ishte të bënte përpjekje për destabilizim. Pra nuk është frika e SPAK-ut dhe e reformës në Drejtësi. Kjo frikë është e njëjtë edhe për Rilindjen. As ata nuk e duan këtë reformë! Por pozita u gjend ngushtë nga marrëzia e saj politike e u detyrua të bënte presione “destabilizuese” si ato që edhe pohon Presidenti i Republikës. Sot opozita endet mes një pasigurie të madhe elektorale dhe një mungesë besimi po kaq të madh në opinionin publik.

– SPAK- u a shpresoni se do fillojë hetimin e Korrupsionit ndaj zyrtarëve të Lartë të kësaj qeverie 6 vjeçare, derisa kjo mazhorancë kontrollon dhe dikton zbatimin e Reformës në Drejtësi duke ndikuar edhe në përzgjedhjen e anëtarëve të SPAK-ut?

– Nuk i druhen kësaj unë. Mua më shqetëson fakti tjetër, që me ligjet e bëra dhe me gjykatat tona sërish ai që do paguajë është qytetari. SPAK-u edhe mund të funksionojë, pavarësisht emrave që janë zgjedhur. Kjo tashmë nuk është në dorën e shqiptarëve, por të atyre që kanë interesa të tjera ndaj Shqipërisë. Pra, edhe sikur të veprojë (dhe besoj se do fillojë të veprojë) sërish nuk është se do vendosë Drejtësinë në binarët e së Drejtës, apo shtetin në këto binarë! Përderisa edhe sot që janë në proces vettingu, gjyqtarët vazhdojnë të kërkojnë para pa ju dredhur qerpiku, dëshmon për skarcitetin e kësaj reforme. Skepticizmi është i madh dhe e them me bindje që nëse dështon edhe kjo strukturë që njerëzit mezi po e presin të funksionojë, dëshpërimi do jetë katastrofal në politikë, ekonomi e shoqëri!

– OSBE/ ODIHR-i foli qartë në Raportin Përfundimtar për 30 Qershorin. A duhen përsëritur zgjedhjet vendore derisa OSBE/ODIHR raportojnë se nuk u zbatuan standardet demokratike dhe Kolegji Zgjedhor të mori vendim në kundërshtim me kushtetueshmërinë ndaj Dekretit të Presidentit të Republikës?

– Kjo është çështje e komplikuar. Unë nuk jam juriste, pra nuk mund të shprehem për vendimet e Presidentit, por ama jam e bindur që ato zgjedhje duheshin mbajtur, për arsye parimore dhe duhen ribërë përsëri për të njëjtat arsye. Presidenti nuk mund të jetë palë me njërën anë të politikë në kundërshtim me vullnetin e palës tjetër. Të gjitha precedentët e mëparshëm kanë pasur në bazë një vullnet të gjerë politik për të ndryshuar datën e zgjedhjeve. Në rastin e fundit kjo nuk ndodhi. Por, pasi u zhvilluan, është e natyrshme që të ribëhen, pasi nuk plotësojnë standardet demokratike.

Komisioni Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Presidentit të Republikës, tani që u publikua Raporti i OSBE/ODIHR për 30 Qershorin është për të mbrojtur Kushtetutën apo që Mazhoranca të kapë edhe institucionin e Presidencës?

– Raportet e ndërkombëtareve, pra edhe këtë të  OSBE/ODIHRIT ka kohë që krahët e politikës  e lexojnë sipas interesave të tyre. Komisioni hetimor do bëjë punën e vet. Ama zgjidhjen përfundimtare e jep Gjykata Kushtetuese. Deri atëherë secilit i lind e drejta të interpretojë apo të insinuojë gjithçka!

– Ky parlament e ka më legjitimitetin?

Në mendimin tim ka kohë që nuk ka më legjitimitet  për aq kohë sa është në vullnetin e kryetarëve të partive të zgjedhin kandidatët të cilët ne i votojmë më tej sipas “presionit” që na  bëhet!

– A mundet që kryeministri Rama të vazhdojë të qeverisë deri në 2021-in kur i mbaron mandati 4-vjeçar me të njëjtën arrogancë që zhvilloi votimet në 30 Qershor pa opozitën?

– Arroganca është karakteristika e z. Rama, por nga kjo arrogancë ai vetëm ka “fituar” pasi ka pasur përballë një opozitë sharlatane, një shoqëri civile të shitur shumë lirë, një administratë publike me minifunde e minimendje, një parti socialiste që nuk ekziston dhe një media të shitur sipas interesave. Sa kohë që këta faktorë do të jenë zero askush nuk e tund dot Ramën nga KALAJA e pushtetit.

– Prof. Çavo, sipas jush, cila është zgjidhja e ngërçit të krizës politike në Shqipëri?

– Ringjallja e të gjithë atyre faktorëve që janë zeruar. Një reformim i thellë i opozitës, një reformë e thellë kushtetuese, një Kod i ri Zgjedhor, dhe një sistem i fortë edukimi qytetarë! Zgjedhjet e përgjithshme pa këto elemente, do jenë një farsë e re që do shtojnë agoninë e shqiptarëve. Të jeni të sigurt, që elita e kalbur politike me trinomin Qeveri – Opozitë – President do ta gjejnë gjuhën e përbashkët, kur të ndjejnë rrezikun e do realizojnë zgjedhje farsë për të mashtruar për vitin e 30-të shqiptarët!

Ju falënderoj!