Prof. Dr. Tritan Shehu: Një revansh i shëmtuar për të vënë Bllokun në “piedestal”!

170

Ish-deputeti i PD, Tritan Shehu me anë të një statusi në “Facebook” shprehet se për fat të keq, Shqipëria po përjeton një revansh të shëmtuar për ta vënë Bllokun në piedestal.

Shehu vlerëson se Blloku nga lindi diktatura më e egër në Europë, që persekutoi popullin për dekada me radhë, për fat të keq drejton ende vendin.

Ja postimi i tij i plotë:

Një revansh i shëmtuar për të vënë Bllokun në “piedestal”!
Një strategji disa vjeçare në kreshendo kjo, për të mbjellë Sindromën e Stokolmit midis shqiptarëve.
Lexoj gazeta, portale, libra të tëra, të mbushura me tregime, shpjegime, foto plot “humanizëm” të jetës në të ashtuquajturin Bllok, Shtabin Suprem të persekucionit, krimeve, izolimit, indokrinimi tragjik të një populli të tërë.
Shikoni listat e “nomeklaturës” të sotme dhe do ta gjeni atë në shumicë të lidhur me atë Bllok vrastar.
Përpjekjet për ta bërë me “fytyrë njeriu” atë ambjent kriminal, apo akoma më keq mashtrimet e përbindeshme për të na bërë të besojmë se disidenca, fidanët e demokracisë lindën aty, janë monstruoze.
Aty nuk kishte disidencë ndaj regjimit, se pa atë regjim ai Bllok nuk do të ekzitone më privilegjet e tij edhe me snobizmat e disave, që mbroheshin pikërisht nga të qenit pjesë e tij.
Aty kishte përfituesë nga vuajtjet e një popull të tërë, kishte dhe “dele”, që në radhë e të bindur prisnin goditjen absurde të Xhelatit jo për ideale, por veçse se po u “soste kandili” i paracaktuar nga Paranojaku.
E pa imagjinueshme kjo tentative.
Përkundrazi, njerëzit në Shqipëri kanë akoma shumë për të mësuar, kanë nevojë akoma shumë për të kuptuar dimensionet e pa kufi të krimeve të atij regjimi, që pikërisht për të zhvilluar e mbrojtur atë Bllok, nuk kurseu asgjë që mendonte se mund ta rrezikonte.
Demokracia në Shqipëri nuk erdhi nga ai Bllok, ajo u vendos mbi vlerat e këtij vendi, mbi sakrificat e martirizimin e atyre që vuajtën më shumë nga ai Bllok, mbi lëvizjen e madhe studentore, universitare, popullore të viteve 1990, që u ngrit pikërisht për ta përmbysur atë Bllok.
Le ta lemë atë Bllok në tragjizmin e tij pa tentuar ta retushojmë, por duke mos harruar çfarë fatkeqësisht i solli e vazhdon t’i sjellë ai gjeneratave të tëra te ne.