Prof.Dr. Kristaq Kume: “Kryetari i ri i KQZ-së të jetë produkt i konsensusit, ndryshe, nuk ka risi”

1582
Sigal

INTERVISTA/ “Administrata zgjedhore nuk duhet të ndërtohet mbi bazën e përfaqësimit e balancimit politik”

Procesi i përzgjedhjes të kandidatëve për Kryetarin e ri të KQZ-së është i këtillë, që të 4 kandidatët që do të marrin shumicën e votave në Komisionin e Ligjeve, do të jenë të gjithë të preferencës së PD-së, pasi me 14 anëtarë e secili nga këta voton për 4 kandidatë, PD-ja ka probabilitetin e sigurt të përzgjedhë vetëm të preferuarit e saj. PS-ja, derisa e ka pranuar këtë mekanizëm përzgjedhjeje të Kryetarit të ri të KQZ- i mbetet bishti i lopatës në dorë. Një nga 18 kandidatët e mundshëm për Kryetar i ri i KQZ-së, Kristaq Kume, në intervistën për “Telegraf”, pohon, që do të pranojë që të jetë kryetar i ri i KQZ-së, vetëm po të ketë konsensusin e PD-PS.

– Zoti Kume, kandidatura juaj për Kryetarin e KQZ-së, është iniciativa juaj, apo keni edhe mbështetje partiake?

– Unë jam pjesë e garës për Kryetarin e KQZ-së vetëm si produkt i vendimmarrjes time, për t’i shërbyer, duke qënë pjesë e procesit të zgjedhjeve të ardhshme, që do të realizohen në Shqipëri. Përvoja që kam grumbulluar, që nga 1997-ta e këtu, më bën që ta ndjej veten të mundshëm për të bërë diçka të mirë në funksion të qëllimit që të bëhen zgjedhje në standarde demokratike të kërkuara. Nuk kam patur shtysë nga asnjë parti politike. Jo vetëm kaq, por në qoftë se ndonjë parti politike do të më kërkonte që të isha pjesë e kandidaturave të tyre, unë nuk do ta pranoja.

– A nuk ju duket e çuditshme, që në Komisionin e Ligjeve, nuk ka filluar procedura e përzgjedhjes të kandidaturave për Kryetarin e KQZ-së, ndërsa përflitet për 4 kandidatura që do të jenë në përzgjedhjen përfundimtare?

– Në qoftë se do t’i referohemi medias, gjatë kësaj periudhe janë lakuar emra të ndryshëm. Për mua ajo që ka rëndësi, është ajo zyrtare. Sot zyrtare kemi një listë me 18 emra dhe vetëm kaq.

–  U kërkua me të madhe që, nëpërmjet reformës zgjedhore, të rikompozohej KQZ-ja dhe u arrit që edhe anëtarët, edhe kryetari të jenë produkt i kompromiseve politike të PD-PS. A nuk ka ardhur koha që KQZ-ja të depolitizohet, për një besueshmëri të zgjedhjeve të ndershme e të lira?

– Në mënyrë të vazhdueshme, unë kam shprehur konsideratën lidhur me këtë pyetje, e cila është e tillë.   Një administratë, e ndërtuar jo mbi bazën e parimit të përfaqësimit e të balancimit politik, por mbi bazën e ndërtimit të administratës publike, do të ishte shumë më mirë. Unë kam parasysh të gjithë administratën zgjedhore, nga KQZ-ja e deri te komisionet e qendrave të votimit. Për të arritur në këtë administratë, do të duhet të kalohet shumë kohë, sepse ajo është produkt i kulturës demokratike të shoqërisë, dhe të klasës politike në veçanti. Koha tregon që klasa politike nuk është e pjekur për këtë kalim dhe ajo çka është realizuar deri sot, në ndërtimin e gjithë administratës zgjedhore, ka qënë e tillë, që në pjesën më të madhe të administratës zgjedhore, partitë politike kanë pasur të drejtën, që të formojnë ato këtë administratë. I referohem  arritjes më të mirë, që ke kemi formuar në procesin zgjedhor, KQZ-së si institucion kushtetues, i cili, si i tillë, ishte ndërtuar jo mbi bazën e parimit  të përfaqësimit politik, por anëtarësia në KQZ, vinte sipas një formule që e dimë. Propozon Presidenti i Republikës, KLD-ja e parlamenti. Por pjesa tjetër, e administratës ishte ndërtuar mbi përfaqësimin politik. Jemi akoma larg, realizimit të një administrate të tillë.

– E keqja e manipulimit politik të votës, fillon pikërisht nga ndërtimi i administratës zgjedhore mbi bazën e përfaqësimit politik?

–  Fakti që PD-PS vazhdojnë që t’i njohin vetes së tyre të drejtën që të jenë aktori kryesor në administrimin e procesit zgjedhor, kjo shpjegon  edhe hapësirën që rezultati i procesit të goditet. Është shteg, që në proces zgjedhor të ndërhyhet. Sa do të jetë kjo shkallë goditjeje, pastaj varet nga integriteti i njerëzve, që do të pranojnë të punojnë në administratën zgjedhore.

– Faktori ndërkombëtar, i cili jep një asistencë ligjore, përse nuk këmbënguli për depolitizimin e administratës zgjedhore, e sidomos të KQZ-së dhe zgjedhjet i organizon një ministër i brendshëm që caktohet për fushatën zgjedhore?

– Nuk mundet komuniteti ndërkombëtar të detyrojë klasën politike të Shqipërisë, që të bëjë zgjedhjet në njërën apo tjetrën formë, në njërën apo tjetrën administratë, por, ajo çka mund të bëjë faktori ndërkombëtarë,  është që kjo administratë zgjedhore të funksionojë e të realizojnë administrimin e procesit në përputhje me kërkesat e ligjit, duke respektuar dhe realizuar edhe standardet. Sa më shumë karakter politik të ketë administrata zgjedhore, aq më e ngushtuar është hapësira për të realizuar procese të gjithëpranuara. Ndërkombëtarët kërkojnë nga partitë politike që të gjejnë vullnetin midis tyre që të ndërtojnë  rregulla të tilla  për administrimin e procesit zgjedhor, për të ngushtuat hapësirat për të drejtën që të janë ato parësore e këtij procesi administrimi. Dhe më kryesorja, ndërkombëtarët u kërkojnë partive politike që të respektojnë ligjin dhe vetëm ligjin.

– A nuk do të ishte kriter i prioritetit të reformës zgjedhore që kjo administratë zgjedhore  dhe  KQZ-ja të ishin të depolitizuara?

– Jo, për mendimin tim nuk është arritje standardi për një proces zgjedhor fakti që KQZ do të ndërtohet  sipas parimit të që nuk ka parimin  e përfaqësimit politik. Kryesorja është që KQZ-ja të administrojë procesin në zbatim të ligjit dhe në përputhje me standardet e kërkuara për zgjedhjet demokratike.

– Një Kryetar i KQZ-së, i zgjedhur nga preferencat politik, në bazë të përkushtimit partiak që ka dëftuar, a mund të ngrihet mbi ndikimin partiak e të luajë rolin e paanshmërisë?

– Ky rol varet nga personi, nga personaliteti dhe integriteti i tij. Po, është e mundshme. Është vendi që kjo mundësi do të ishte më e madhe, në rast se Kryetari i KQZ-së nuk do të vinte nga radhët e partive politike.

– Një kandidat si ju, pa mbështetjen politike, keni të njëjtat shanse që të zgjidheni, në bazë të meritokracisë, me kandidatët e preferencës të palëve politike?

– Teorikisht, po. Pastaj, kjo varet nga forma konkrete, se si do të realizohet procesi i përzgjedhjes së kandidatëve nga kjo listë aplikuesish. Varet se si do të zbatojnë procedurën.

– Mekanizmi i përzgjedhjes të kandidatëve për Kryetarin e KQZ-së, nga Komisioni i Ligjeve, duke patur parasysh 14 votat e PD-së, kundrejt 11 të PS-së e secili nga anëtarët e Komisionit të Ligjeve voton deri në 4 kandidatë, a nuk i jep përparësi  4 kandidatëve që preferohen nga PD-ja, pa u mundur të përzgjidhet asnjë kandidat nga opozita, për t’u kaluar në votim në parlament?

– Kjo varet nga procedura që do të ndiqet. Derisa një anëtar i Komisionit të Ligjeve ka të drejtën të votojë deri në 4 kandidatë, mund të ndodhemi përballë rastit që të 4 kandidatët që do të përzgjidhen, të marrin më shumë votat e PD-së.

– Për të rritur shkallën e besueshmërisë ndaj vetë KQZ-së, a nuk do të ishte më e drejtë që Kryetari i ri  të jetë produkt i konsensusit politik, e jo shumatore e procedurës të votimit të anëtarëve të Komisionit të Ligjeve, ku secili anëtar voton deri në 4 kandidatë?

– Për mendimin tim, kjo do të ishte një zgjidhja ideale e kërkuar. E theksoj këtë, edhe për faktin që unë i kam hyrë kësaj gare, duke menduar se në krye të KQZ-së, do të jem produkt vetëm i konsensusit të partive politike. Duhet që kryetari i ri i KQZ-së të jetë i mbështetur nga të gjitha forcat politike. Në të kundërtën,  çdo zgjidhje tjetër, jashtë kompromisit politik të palëve, do të thoja, pak do të sjellë risi, nga ajo çfarë kishim më përpara. Një kryetar i ri i KQZ-së, me votat vetëm të një kahu politik nuk është në përputhje me frymën  e besueshmërisë që kërkojmë të gjithë.

– Ju faleminderit!