Gerti Bogdani: “PS-ja, me justifikime pa sens për Gjykatën e Lartë, mban peng integrimin e Shqipërisë”

531
Sigal

INTERVISTA/ Flet deputeti i PD-së: “Opozita e ka shpërdoruar hapësirën demokratike”

Palët politike, sa më shumë afron afati i shqyrtimit të dhënies të statusit kandidat, kaq më shumë shtyhen nga mirëkuptimi dhe bashkëpunimi politik dhe i atribuojnë vetvetes “Unë kam të drejtën”!  Për PD-në dhe PS-në, siç duket, pak rëndësi kanë interesat e integrimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, derisa të bunkerizuara në interesat partiake, stuhinë e krijojnë në një gotë uji. Kjo duket qartazi në sjelljen politike në diskutimin e reformës së Gjykatës së Lartë, dje në parlament. Deputeti i PD-së, Gerd Bogdani në intervistën për “Telegraf” , duke shprehur politikën e PD-së, argumenton se PS-ja mban peng integrimin e Shqipërisë, me justifikime pa sens politik.

– Zoti Bogdani, kundërshtimi i PS-së për të votuar reformën e Gjykatës së Lartë, a rrezikon statusin kandidat të Shqipërisë në BE?

– Ajo që është e sigurt, është fakti që nuk e ndihmon, sepse procesi i integrimit europian për të përmbushur me sukses realizimin e prioriteteve. Pavarësisht se, brenda ka futur edhe kriteret politike, me këto kritere politike do të thotë bashkëpunim midis palëve politike, e shprehur me votën e 3/5 të Parlamentit. Dhe reforma e Gjykatës së Lartë është një nga këto rekomandime që kërkon mbështetjen nga opozita dhe do të ishte një rekomandim që duhej të përmbushej.  Ne kemi punuar shumë gjatë, si maxhorancë për këto, edhe opozita ka dhënë ndihmesën për miratimin e reformës zgjedhore, më në fund për kufizimet e imuniteteve, pavarësisht ngërçeve e vonesës gjatë verës. Mungesa  dhe kundërshtia e votës së opozitës në reformën e Gjykatës së Lartë,  një bllokim pa sens, me justifikime artificiale, në këtë rast, me Qarkun e Fierit, apo me justifikimeve të tjera mban peng një Shqipëri të tërë. Mban peng një proces kaq të rëndësishëm, për të gjithë Shqipërinë e gjithë shqiptarët. Unë shpresoj që nuk do ta cenoj deri në fund këtë proces, por nuk e ndihmon.

– Një nga kritikat e deritanishme të OSBE-së, që lidhen me ecurinë e realizimit të prioriteteve, është se përparimi i ndërtimit të shtetit të së drejtës bëhet me ritme të ngadalta dhe shkalla e pavarësisë së Gjyqësorit është e nivelit të ulët. Kjo reformë , sa do të ndihmojë në përmirësimin e kësaj klime?

– Unë besoj se po, sepse, po të marrim raportin që ju sapo cituat, ka të bëjë me Gjyqësorin dhe reforma e Gjykatës së Lartë është një nga ligjet më të rëndësishme të Gjyqësorit. Jo thjesht se reformon deri diku Gjykatën e Lartë, por ajo që është më e rëndësishme, i hap rrugën zbatimit dhe zhvillimit të Gjykatës Administrative, një projekt i realizuar në 2008-n, i bllokuar nga PS-ja më shumë se 2 vjet, më në fund i miratuar në parlament me konsensus, por nuk gjen rrugëzbatimi sepse duhet të miratohet ligji i Gjykatës së Lartë. Pra, besoj se këto reforma i hapin rrugë përmirësimit të Gjyqësorit dhe sistemi i drejtësisë do një vullnet të përbashkët për përmirësimin e tij. Nuk mund të bëhet vetëm nga njëra palë politike. Problemi është se në këtë rast maxhoranca e ka vullnetin e saj politik, ndërkohë,  PS-ja, me kapriçot që na paraqet konkretisht, dëfton që nuk e ka këtë vullnet. Ndërsa, përsa i përket pavarësisë së Gjyqësorit, unë nuk do të thoja që niveli është shumë i ulët, sepse të dyja palët janë në përgjithësi të pakënaqura, pasi sulmet e kritikat për Gjyqësorin janë nga të gjitha palët politike, qoftë nga maxhoranca, qoftë nga opozita. Nuk ka një pavarësi të konsiderueshme. Çështja në gjyqësor është çështje e cilësisë. Besoj që reforma që ne bëmë, kufizimi i imuniteteve, jo vetëm politikanëve, por edhe drejtuesve të drejtësisë,  do të ndihmojë përmirësimit të drejtësisë, të jetë më transparent.

– Kritika më e drejtpërdrejtë për nivelin e ulët të pavarësisë të Gjyqësorit është se pushteti politik përpiqet që ta mbajë nën kontroll. Kjo edhe me emërimet me votën e shumicës së thjeshtë. Cili është opsioni juaj?

– Pushteti politik nuk mund ta mbajë nën kontroll Gjyqësorin, pikërisht, për sa kohë ka sulme, kritika nga të gjitha palët, do të thotë që palët politike nuk e kontrollojnë dot Gjyqësorin. Për mendimin tim, problemi më i madh i Gjyqësorit nuk është kjo. Problemi më i madh, është që drejtësia të shkojë atje ku i përket. Dhe këtë e shikon dhe e vuan çdo qytetar shqiptar, që sistemi i drejtësisë duhet reformuar. Por për këtë duhet një vullnet i përbashkët, në mënyrë që reforma të mos bëhet e njëanshme nga maxhoranca, sepse menjëherë do të ketë kritikë të opozitës, sikurse e kemi parë herë pas here, në temat e sulmit ndaj një institucioni të pavarur. Nga ana tjetër, ka reforma që duan konsensus, duhet të ketë vullnet të përbashkët. Dhe në këtë sens, në këtë mënyrë sistemi i drejtësisë mund të reformohet, në shërbim të qytetarëve shqiptarë.

-Përse ka ngecur reforma parlamentare?

– Ngecja e kësaj reforme nuk është mungesë e vullnetit, kemi miratuar reforma të tjera me konsensus, e ka vullnet deri diku. Problemi është te reforma parlamentare, një reformë  që ne ishim të gatshëm, që në fillim për të zbatuar një rregullore të parlamentit shqiptar, ndërkohë, pas kësaj, PS-ja vjen me kushte të reja, e cila kjo është tashmë një praktikë pune të politikës së saj të përditshme. Në momentin që arrihet diçka, kushte të tjera paraqit PS-ja. E në këtë rast, njëri nga kushtet që nuk besoj se do të ketë lëshime, apo nuk besoj se do të ndryshojë, është barazia e  kohës së  fjalës së liderit të opozitës me kohën e Kryeministrit. Në radhë të parë, jemi në një realitet ku lideri i opozitës nuk është në parlament, e kryetari i grupit nuk mund të jetë kryetari në hije i PS-së, nuk besoj se është. Ne jemi në një realitet, që opozita mund të bëjë pyetje, mund të ketë interpelancat e saj, por për këto duhet të përgjigjet Kryeministri, apo drejtuesit e tjerë, e për këtë në asnjë mënyrë kjo barazi kohe nuk ekziston në asnjë parlament tjetër të botës, sepse drejtuesi i qeverisë ka përgjegjësi të përgjigjet për të gjitha pyetjet e mundshme që mund të bëhen. Prandaj kjo nuk ka një sens dhe opozita e ka sjellë për të krijuar ngërçin politik.

– Po kthimi i votës së fshehtë në Parlament,  a është problem, për kthimin e tij në normalitet, siç akuzon opozita?

– Nuk është se parlamenti nuk është në funksionin e normalitetit. Por më tepër është një koncept transparence dhe juristët mund ta  shpjegojnë përse dekretet duhet të votohen me votë të hapur. Ka parasysh faktin që procedura e propozimit, e emërimit, apo e votimit të anëtarit të Gjykatës së Lartë në këtë rast ka ndryshuar nga praktika e mëparshme.

– Përqendrimi i të të gjitha pushteteve në duart e çdo maxhorance dhe hapësira e pakët demokratike që i lihet opozitës, e shikoni si problem?

– Opozita e ka marrë dhe e ka tejkaluar hapësirën demokratike. Kemi parasysh këtu dy vitet e fundit, ku opozita ka kryer më shumë se një vit protesta në gjithë Shqipërinë. Kjo është një vërejtje demokratike  për opozitën, jo në rastin e 21 janarit, ku çdo gjë u ndodh me dhunë. Opozita ka lirinë e fjalës, ka lirinë e votës, ka të gjitha të mundshme. Gjithashtu, opozita vendosi për Avokatin e Popullit. Në momentin që flasim për liritë demokratike, ato ekzistojnë.

– Ku është problemi, sipas jush?

– Problemi është te bashkëpunimi për t’i zgjidhur gjërat me mënyrë të përbashkët. Dhe këtë bashkëpunim nuk e kam parë nga PS-ja.

-Faleminderit!