Prof. Dr. Kastrito Islami: Tërmeti si shans i artë i princit për të mashtruar qytetarët e varfër dhe forcuar pushtetin personal

164

Prof. Dr. Kastriot Islami, ish-Kryetar i Kuvendit

Vetëm pushteti, paraja, mashtrimi dhe arroganca të bëjnë të fortë e të garantojnë pushtetin. Qytetarët duhet të mbahen nën hyqëm duke i varfëruar, duke i nënshtruar e duke i poshtëruar

Tërmeti po rezulton me pasoja katastrofike për qytetarët por një mundësi e artë apo shans që princi makiavelik të rrisë apo përforcojë pushtetin e tij personal, me arrogancën, mashtrimet dhe marifetet tipike. Për më tepër që ky moment i artë erdhi në një moment kur ishin konsumuar të gjitha mënyrat dhe ishin mbyllur pothuajse të gjithë hapësirat e shtigjet e mashtrimeve që princi kishte përdorur deri më sot. Kur zullumet e princit ishin trashur deri në këputje…Në këtë moment ndodhi tërmeti katastrofik por princi e vlerëson atë si një shans të artë, sepse princi mendon se sa më e vështirë të jetë gjendja për qytetarët e varfër, apo sa më të mëdha të jenë hallet e problemet e tyre, aq më e madhe është hapësira e shanset për mashtrim e gënjeshtra. Aq më të mëdha janë mundësitë për të gjetur shtigje të reja mashtrimi, qoftë edhe me manierat e vjetra makievalike, që kanë qenë të suksesshme ndër shekuj apo gjatë viteve të mëparshme të qeverisjes së tij makiavelike. Madje, edhe disa nga manierat e vjetra tashmë të ezauruara, në kushtet e reja të krizës e të halleve të mëdha të qytetarëve pas tërmetit, mund të rezultojnë efikase e të suksesshme, sepse qytetarët janë më të prirur nga hallet e mëdha të hanë çdo lloj gënjeshtre, halli i shtyn të dëgjojnë çdo lloj broçkulle që ju ngrinte nervat apo i revoltonte pak para se të binte tërmeti.

Ja se çfarë manierash të vjetra tinëzare makiavelike janë hedhur në treg gjatë këtyre ditëve përmes aktrimeve makiavelike e të shëmtuara, kur qytetarët po lëngojnë nga pasojat e tërmetit vrastar e shkatërrimtar:

Dil në televizor gjatë të gjithë ditës e mbrëmje, me çitjane antiprostatë, atlete antispondeliatrozë e mjekër të gjatë e ta palarë antisapun, bëj gallatë e batuta me qytetarët e tronditur nga tërmeti dhe shaj e ofendo kundërshtarët, median e opozitën, gënje dhe premto sa më shumë se qytetarët i kanë hallet e problemet të shumta por e kanë memorien e shkurtër. Me maskën e tërmetit përlotu si krokodil me fëmijë të vegjël në krahë duke imituar kaçatorrët fluturakë vetëm për disa sekonda sa të shkrepet aparati fotografik. Që në 7 të mëngjesit mblidh grupin e dëgjuesve të paaftë që i ke cilësuar si “kabinet qeveritar” dhe llomotit me gjestikulacione e duke kruar mjekrën e kokën, për më shumë se një orë mbroçkulla që as vetë nuk i beson duke promovuar idenë gjeniale se gënjeshtra e radhës fsheh të gjithë gënjeshtrat paraardhëse.

Kërko dhe grumbullo sa më shumë dhe vetëm e vetëm lekë nga sponsor vendas e të huaj, asgjë tjetër. Mos prano asgjë tjetër dhe sapo t’i kesh siguruar paratë, mundësisht në dollar e euro, jepja ato klientelës tënde të ndërtimeve dhe rruaj 20 përqindëshin për veten tënde.

Kërko vetëm lekë dhe refuzo çdo lloj pune, këshille, banesë apo shërbimi tjetër, qoftë edhe nga ata që konsiderohen miq të mirë të shqiptarëve.

Kërko vetëm lekë se të tjerat nuk i rrjep dot dhe për më tepër nuk do të mund të kontrollosh dot lukuninë qenve e të hajdutëve e hienave rreth teje që mezi presin të rrëmbejnë edhe ata ndonjë kockë. Sorollatu nëpër botë me çarter, në hotele luksoze, se bashku me shpurën e degjeneruar e perverse për të bërë qejfe larg syve të varfanjakëve.

Paguaj majmërish autorët e shkrimeve në favorin tënd si dhe për intervista në median ndërkombëtare, të shkruar e televizive.

Mos harro të krijosh e të zhvillosh idenë se tërmeti ka qenë apokalitik dhe se vetëm ti ke miq të fuqishëm nëpër botë e prandaj vetëm ti mund ta shpëtosh këtë vend e këtë popull nga kjo gjëmë e madhe që e ka zënë.

Gënje sa më shumë për takimet dhe premtimet boshe që as që ekzistojnë dhe për më tepër edhe nëse ekzistojnë, asnjëherë nuk do të realizohen. Madje edhe nëse në ndonjë rast do të ketë ndonjë shumë minimale që do të sigurohet nga ndonjë mik i mirë i shqiptarëve, edhe atë rruaje me shpejtësi e pa rënë në sy. Prit në vilat zyrtare në bregdet sharlatanë që vijnë me jahte për të grabitur thesin e radhës me djersën e qytetarëve shqiptarë në shkëmbim të ndonjë premtimi apo të ndonjë fotoje që e shet për mbështetje ndërkombëtare. Sepse ti duhet ta konsiderosh këtë gjëmë për shqiptarët si shans e mundësi për të rritur pushtetin tënd personal.

Kjo është një mundësi e artë që të erdhi në këtë moment delikat dhe duhet të dish se një rast e tillë vjen shumë rrallë…

Mos dëgjo askënd të mençur e të aftë se të çthotë, përveç mendjes tënde të sëmurë e perverse që askush tjetër as e kupton dhe as është në gjëndje ta analizojë se çfarë prodhon.

Largoji sa më larg të gjithë ekspertët, ata që kanë sadopak mend e përvojë, median kundërshtare anatemoje, se ata të prishin punë e të nxjerrin bojën e paaftësisë e të mashtrimeve, për më tepër që mund të ndriçojnë edhe të tjerët.

Vetëm pushteti, paraja, mashtrimi dhe arroganca të bëjnë të fortë e të garantojnë pushtetin. Qytetarët duhet të mbahen nën hyqëm duke i varfëruar, duke i nënshtruar e duke i poshtëruar. Përse jo edhe duke i detyruar të emigrojnë e largohen nga sytë këmbët, sidomos ata më aktivët dhe ata që kanë filluar të kuptojnë apo të reagojnë ndaj hileve e mashtrimeve makiavelike.

Kurse oligarkët e kriminelët duhen mbajtur afër, sa më afër e duhen mbrojtur me fanatizëm, se ato janë mburoja tënde më e fortë, sepse edhe kur ndonjë prej tyre nuk të shërben më mund ta hedhësh në plehra pa asnjë kosto. Nuk duhet të harrosh se kjo fatkeqësi e madhe për qytetarët është një shans i madh që duhet kthyer në oportunitet për të forcuar pushtetin personal. Kaq!