Sigal

Kjo që po ndodh aktualisht në Shqipëri bazuar në: agresivitetin; banalitetin dhe shkallën e përfshirjes/konkurruese në banalitetin e tyre të drejtuesve dhe mbështetësve partiakë të institucioneve kushtetuese, nuk gjendet në asnjë periudhë tjetër shtet-formuese të vendit tonë. Kjo, sepse fiset, apo klanet e hershme të modeleve klanore qeverisës nuk kanë akses online. Qeverisja me fise, me klane apo me duele janë të pranishme në shoqëritë moderne, por rregulli moral se askush nuk duhet ta fyejë në mënyrë banale dhe publike kolegun duhet të ishte një rregull i artë dhe i detyrueshëm për t’u zbatuar nga çdo individ dhe, në veçanti, nga individët që kanë peshë dhe përgjegjësi publike. E vetmja armë për të “vrarë” ofenduesin tuaj publik për kandidatë të mandateve tuaja publike mbetet dhe duhet të jete suksesi yt në mandatet qeverisës. Një ofendues publik mund të të plagosë përkohësisht, por nuk arrin të të vrasë, kur përballë tij janë qindra mijëra mbështetës/jo mercenarë që besojnë tek ty për shkak të përmirësimit të jetës së tyre të përditshme. Si mundet të përbetohen politikanët tanë përbaltues publik të njeri tjetrit, se janë përkushtuar për Shqipërinë, se po vuajnë nga lodhja e përmbushjes së të gjitha kritereve për të ardhmen euro-atlantike të Shqipërisë, se me shumë sakrifica po bëjnë gjithçka për ta bërë më të lehtë dhe më të mirë jetën e shqiptarëve. Për fat të keq ky virus i agresivitetit dhe banalitetit publik gjendet jo rrallë edhe në Kosovë, por aty deri tani është më pak i ashpër dhe vepron për periudha më të shkurta se në Shqipëri.

-Si mundet që me këtë agresivitet dhe banalitet t’i bindim realisht shqiptarët, se Shqipëria po bëhet, apo do të bëhet më mirë?

-Si mund t’i inspirojmë të rinjtë tanë ta duan dhe të mos e braktisin vendin tonë?

-Si mundet që të mos shqetësohen se rreth 60% e shqiptarëve po e braktisin vendin e tyre, sepse niveli kaq i lartë i braktisjes së vendit tonë nga njerëzit tanë është edhe modeli qeverisjes kushtetuese në çdo nivel, është efekti i agresivitetit dhe banalitetit publik.

Prandaj ndalja dhe eliminimi i përhershëm i këtij modeli banal të të berit debat publik është imediat për të sotmen dhe të ardhmen e vendin dhe kombit tonë.

Po ndaj me ju një model frymëzues që më ka vlejtur në angazhimet e mia publike e politike dhe një rast konkret, ku ngërçi midis Presidentit dhe kryeministrit lidhur me diplomacinë shqiptare, ku mos harmonizimi midis tyre mbi prioritet e politikës së Jashtme, lidhur me partnerët strategjikë dhe mungesa e qëndrimeve të unifikuara gjeo-strategjike dëmton rëndë vendin dhe kombin tonë. “Lufta” mediatike dhe diplomatike midis Presidentit dhe kryeministrit dhe një mësim i vyer nga gjenerali Clark, i cili në 2004, kur konkurronte për president i SHBA përballë Presidentit Bush theksoi se, në Amerikë Presidenti Bush është kundërshtari/armiku im politik, ndërsa kudo jashtë SHBA ai është President i vendit tim. Ky detyrim etik është edhe për Presidentin në raport me Kryeministrin. Një shpjegim i përfshirjes time ne diskutimet publike, aktualisht nuk ka asnjë ambicie për angazhime politike, por ndjej një detyrim i përhershëm ndaj vendit tim për të kontribuar me analiza thellësisht të paanshme, jo partiake, profesionale, korrekte dhe me etikën maksimale të mundshme. Qeverisja (që nënkupton jo vetëm qeverinë) me emocione, apo akoma më keq, qeverisja me agresivitet dhe banalitet publik ushqen mospërputhjet deri grindje publike, vështirëson arritjen e konsensusit dhe kompromiseve, të cilat janë thelbësore për mirëqeverisje e një vendi. Qeverisja me emocione:

– rrit zhgënjimin publik,

– përkeqëson pritshmëritë publike për të tashmen dhe të ardhmen,

– dëmton ekonominë dhe përkeqëson në thelb qeverisjen e vendit.

Në këtë kontekst kryeministri nuk mundet që në një takim me trupin diplomatik në Shqipëri të fokusohet në “debatet, apo grindjet” e brendshme president – kryeministër. Kudo në botë takimet vjetore me diplomatë të huaj janë një mundësi e veçantë dhe instrument i drejtpërdrejtë për të ndarë vizionin e politikës së jashtme të vendit, për ta bërë të qartë prioritet e diplomacisë kombëtare dhe me një gjuhë fine diplomatike qartësohen partnerët strategjikë dhe, sidomos të dërgohen mesazh tek “kundërshtarët” e përhershëm, sidomos tek vendet që historikisht nuk bashkëpunojnë apo pengojnë prioritetet e diplomacisë kombëtare të vendit dhe kombit tonë, për interesat e tyre gjeostrategjike ndaj një vendi, apo në rajonin tonë. Diplomacia penguese e këtyre vendeve vështirëson apo pengon realizimin e vizionit, misionin dhe prioritetet e diplomacinë shqiptare në zhvillimet rajonale dhe angazhimeve të saj në organizatat ndërkombëtare. Takimet vjetore me diplomatët e huaj, apo edhe me gjithë ambasadorët e vendit tuaj kudo në botë, janë mënyra më e mirë për të paraqitur pozitivisht vendin tuaj dhe për të konfirmuar se për politikën e jashtme, për integrimet euro-atlantike dhe për partneritet strategjike, institucionet kushtetuese të vendit janë të unifikuara dhe të përkushtuara, Në këto takime vjetore me diplomatet e huaj që organizojnë presidentët dhe/ose kryeministrat këshillohet të mos përfshihen pa pajtueshmëritë, mosmarrëveshjet e brendshme dhe asnjëherë debatet midis institucioneve kushtetuese. Nga të gjithë politikanët dhe drejtuesit e institucioneve kushtetuese duhet të respektohet kultura institucionale dhe disa nga rregullat e arta të komunikimit diplomatik. Minimalisht stafi diplomatik i çdo presidenti, kryeministri, kryetar Kuvendi, ministri dhe çdo përfaqësuesi i drejtuesve të institucioneve kushtetuese duhet të ketë domosdoshmërish një draft dokument kornizë/templet/shablon, i cili qartëson, kufizon dhe imponon një strukturë minimale të një fjalimi. Ky draft i qartëson dhe imponon kufizimet se çfarë nuk duhet të përfshihet në një komunikim diplomatik. Politikanët dhe përfaqësuesit e institucioneve kushtetuese të vendit tonë duhet të ndjejnë përgjegjësinë se, në asnjë rast në komunikimet politike dhe në veçanti në komunikimet diplomatike ata nuk përfaqësojnë thjesht vetveten.