Pritja në Kryeministri e Shenjtërisë së Tij, Patriarkut të Moskës dhe gjithë Rusisë, Kirill

541
Kryeministri Edi Rama: Ju uroj nga zemra mirëseardhjen! Natyrisht është një nder për ne që ju kemi këtu. Kisha ruse, përtej besimit, përfaqëson edhe një vatër të jashtëzakonshme të artit dhe të kulturës. Për mua personalisht është një nga pikat e referimit, Andrei Rublev, por dhe liturgjitë e Çaikovskit dhe Rahmaninovit. Më vjen jashtëzakonisht mirë që vizita juaj përkon edhe me 110-vjetorin e Kishës Autoqefale Shqiptare. Kisha e parë ishte kisha e Shën Gjergjit në Boston dhe themeluesi i saj, Imzot Fan Noli, u shugurua prift nga peshkopi rus i New York-ut, Imzot Platoni. Kështu që ka një përkim shumë të bukur me ardhjen tuaj, tani në fund të prillit, pasi në mars u festua dhe ditëlindja e Kishës Autoqefale. Ju më thatë që jeni të impresionuar nga ndryshimet e mëdha të Tiranës. Shpresoj që të largoheni nga Shqipëria me një përshtypje sa më të mirë.

Shenjtëria e Tij Kirill, Patriark i Moskës dhe gjithë Rusisë: Shkëlqesia juaj, ju faleminderit shumë për këtë pritje! Unë jam vërtet shumë i impresionuar nga ato arritje, nga ajo punë që është kryer këtu në Tiranë. Këto janë ndryshime vërtet të jashtëzakonshme. Sot i thashë zotit Anastas që tani që kam ardhur për herë të dytë, për herë të parë kam qenë në vitin 2003, unë nuk e njoh këtë vend.
Sigal