Presidenti Nishani nis konsultimet për datën e zgjedhjeve

565
Sigal

Kreu i Shtetit do të nisë takimet në orën 10:00 ku do të presë kryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, dhe pas një ore do të takohet me kryetarin e Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi. Në orën 12:00 do të zhvillohet takimi me Lefter Kokën, kryetar i Grupit Parlamentar të LSI-së. Më pas, siç njofton zyra e shtypit e Presidentit, nga ora 13:00 deri në orën 15:00 do të zhvillohen takimet me krerët e Partisë Republikane, Bashkimit për të Drejtat e Njeriut dhe me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Kodi Zgjedhor parashikon dy periudha për zhvillimin e zgjedhjeve. Ato janë mars-qershor dhe shtator-nëntor. “Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin apo për njësitë e qeverisjes vendore zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit, brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi deri më 30 qershor, ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor”, thuhet në nenin 8 të Kodit. Ndërsa në pikën 1 të nenit 9 thuhet: “Data e zgjedhjeve për Kuvendin caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës, sipas rregullave të parashikuara në nenin 65 të Kushtetutës. Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen në një nga dy të dielat e fundit, brenda periudhës zgjedhore të përcaktuar në nenin 8 të këtij Kodi, dhe në çdo rast, jo më vonë se 30 ditë para datës së mbarimit të mandatit të Kuvendit”. Legjislatura aktuale ka nisur më 6 shtator 2009 dhe 6 shtatori 2013 është dita e mbarimit të mandatit të Kuvendit. Në këtë mënyrë, zgjedhjet e ardhshme do të mbahen në periudhën 15 mars-30 qershor. Duke iu referuar dispozitës, sipas së cilës zgjedhjet zhvillohen në dy të dielat e fundit brenda 30 qershorit, dy variantet e vetme janë 23 qershori dhe 30 qershori. Sipas Kodit, kreu i shtetit duhet ta caktojë datën e zgjedhjeve brenda 6 dhjetorit.