Presidenti Meta vlerëson “Radio Kukësin” me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” me rastin e 60-vjetorit të krijimit

86

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vlerësoi sot Radio Kukësin me rastin e 60-vjetorit të krijimit, me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”: “Për kontributin e vyer ndër vite, në transmetimin e programeve dhe emisioneve të një game të gjerë, duke shërbyer si një tribunë e rëndësishme e pasqyrimit të jetës, kulturës, gjuhës dhe muzikës shqiptare. Për mbështetjen e çmuar me edicione radiofonike të veçanta, si e vetmja dritare dhe urë lidhëse e Shqipërisë me Kosovën”.

Gjithashtu Presidenti Meta çmoi zotin Zaim Basha me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile”: “Për kontributet e dhëna për 20 vite si gazetar e kryeredaktor i ‘Radio Kukësit’, duke na dhuruar një thesar të çmuar me emisione, biseda dhe intervista në fonotekën e saj”, si dhe zotin Sami Balla: “Për kontributet e çmuara në fushën e teknikës, ndërlidhjes dhe transmetimit të programeve për rreth 40 vite në ‘Radio Kukësi’, si dhe për nivelin e lartë profesional e përkushtimin e treguar në punën e tij”.

Në fjalën e tij përshëndetëse gjatë ceremonisë së zhvilluar në Pallatin e Kulturës “Hasan Prishtina” të qytetit të Kukësit, Presidenti Meta u shpreh:

“Jam shumë i lumtur të marr pjesë në këtë ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme, pikërisht të 60-vjetori të krijimit të Radio ‘Kukësit’, një prej tribunave më të rëndësishme të jetës, kulturës, gjuhës dhe muzikës kombëtare shqiptare.

 

Krijimi i Radio ‘Kukësit’ përbën padyshim një nga ngjarjet më të rëndësishme, më të meçura dhe vizionare, që do të sillte do të sillte ndikimin e saj vetëm në pak dekada.

 

Falë punës dhe talentit krijues të drejtuesve, gazetarëve, redaktorëve dhe teknikëve të saj, Radio ‘Kukësi’ u bë një mjet komunikimi mjaft i fuqishëm dhe popullor për pjesën më të madhe të kombit tonë.

 

Deri në vitet 90-të ajo ka transmetuar në valë të mesme dhe të shkurta duke u dëgjuar deri në shtetet përtej kontinentit europian. Auditori i Radio ‘Kukësit’ ka qenë i pallogaritshëm në të gjitha hapësirat, sidomos me ndikim të jashtëzakonshëm përsa u takon shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

 

Nëpërmjet valëve të saj janë transmetuar emisionet më të mira të gazetarisë, kulturës, muzikës, folklorit dhe historisë së shqiptarëve dhe është përçuar fryma patriotike dhe e atdhedashurisë.

 

Por Radio ‘Kukësi’ ka një meritë historike dhe në veçanti në forcimit e vetëdijes kombëtare!

 

Pavarësisht rrjedhave të kohës ajo ka mbajtur të lidhur ngushtë përmes aspektit shpirtëror dhe kulturor pjesët e ndara të kombit shqiptar duke i bashkuar përmes injorimit të kufijve.

 

Me emisionet e saj në gjuhën tonë të bukur, me transmetimin e vlerave folklorike dhe muzikore, si dhe me pjesët letrare të autorëve tanë, ajo ka mbajtur gjallë etnicitetin, identitetin dhe shpirtin kulturor të shqiptarëve në verilindjen e Shqipërisë, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe më tej.

 

Radio ‘Kukësi’ ka qenë e vetmja dritare informative e Kosovës dhe e vetmja lidhje që Kosova kishte me Shqipërinë përgjatë 30 viteve të komunizmit dhe më pas, shënoi kulmin e vet në vitet 1990-të, kur me emisone të posaçme për Kosovën, përmbushi boshllëkun informativ e kulturor të krijuar pas pezullimit të Radiotelevizionit të Prishtinës.

 

Radio Kukësi për dekada të tëra ishte në fakt Radio ‘Kosova’.

 

Sidomos në vitet e vështira të luftës për çlirim të shtetit të Kosovës ajo u bë zëri i solidaritetit, qëndresës së përbashkët, por edhe promovimit të lirisë.

 

Kukësi u bë në pranverën e vitit 1999 qendra e përballimit të krizës më të madhe që përjetoi Ballkani. Këtu u drejtuan prozhektorët e të gjitha mediave më të mëdha botërore, që nga CNN e me radhë, për të raportuar tragjedinë më të madhe që po ndodhte në Kosovë.

 

E ndërkohë Radio ‘Kukësi’ vazhdonte të frymëzonte pa u ndalur 24 orë në ditë qëndresën brenda Kosovës deri në ditën e parë të lirisë.

 

Ndaj Radio Kukësi nuk ka qenë kurrë thjeshtë një dritare informacioni, por ajo ka shërbyer gjithnjë si një platformë lirie dhe frymëzimi patriotik.

 

Radio Kukësi ka shërbyer edhe si një misionare e emancipimit. Ajo ka çuar deri në zonat më të largëta zërin e dijes, zërin e emancipimit shoqëor të zhvillimit dhe atdhedashurisë.

 

Radio Kukësi si mjet i fuqishëm komunikimi ka mbartur në vetvete progresin dhe demokratizimin e të gjithë shtresave shoqërore.

 

Ajo si rrallëkush ka arritur deri tek komunitetet e largëta dhe njerëzit në zonat më të thella.

 

Ajo ka qenë e dashur për të gjithë dhe veçanërisht për shtresat në nevojë: invalidët, gratë, të rinjtë dhe të varfrit, si edhe ata që nuk dinin shkrim e këndim një herë e një kohë, duke i bërë pjesë të shqetësimeve të kohës dhe emancipimit shoqëror, përmes informacionit që u jepte pavarësisht nga mundësit dhe niveli arsimor i tyre.

 

Më gëzon fakti Radio Kukësi që edhe sot radioja juaj legjendare është përçuese e realiteteve të reja dhe punon t’u përshtatet atyre.

 

Ajo ka pasur arritje dhe përpiqet të mbajë lart audiencën e saj.

 

E përshtatur tashmë me teknikat e fundit dixhitale ajo do të përhapë edhe më tej në valët satelitorë emisionet dhe programet e saj. Duke mbetur kështu edhe në të ardhmen një radio e dashur dhe e mirëpritur si përherë për dëgjuesit shqiptarë.

 

Sot është një ditë historike jo vetëm se festojmë 60-vjetorin e Radio ‘Kukësit’, por edhe sepse përurojmë shndërrimin e saj në Radio-Televizionin e Kukësit dhe për këtë një falënderim të veçantë e kam për Drejtorin e Përgjithshëm të Radio-Televizonit Shqiptar, zotin Gëllçi, pasi në këtë mënyrë bëhet investimi i sigurt që Radio ‘Kukësi’, të mos jetë një histori e lavdishme, por të jetë edhe një mundësi e shkëlqyer për të ardhmen që t’i shërbejë zhvillimit të të gjithë këtyre zonave në verilindjen e Shqipërisë, e sidomos bashkëpunimit me të gjitha rajonet e tjera të Kosovës e të Maqedonisë së Veriut.

 

Të mos harrojmë sfidat e reja me të cilat ndeshemi të gjithë së bashku, që kanë të bëjnë pikërisht me ndërgjegjësimin tonë në radhë të parë për potencialet e pashfrytëzuara të këtyre zonave që janë ndër më të bukurar e vendit tonë dhe me sfidat e reja me të cilat ndeshemi të gjithë së bashku, sidomos për të bërë gjithçka për t’i mbajtur të rinjtë këtu e për t’i kthyer këto burime natyrore në mundësi për mirëqenien e këtyre zonave ku kemi një histori të jashtëzakonshme dhe të lavdishme të mbarë kombit shqiptar.

 

Ndaj një falënderim të veçantë për të gjithë punonjësit e Radio ‘Kukësit’, të cilët kanë bërë një histori për t’u krenuar, ashtu sikurse do të doja të ndaj me ju sot kënaqësinë për t’i akorduar Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” Radio ‘Kukësit’ si dhe njëkohësisht për të vlerësuar zotërinjtë e nderuar Zaim Basha dhe Sami Bala, të cilët kanë dhënë një kontribut të spikatur që ne të krenohemi për arritjet e Radio ‘Kukësit’ sot këtu, por edhe njëkohësisht edhe sakrificat e të cilëve do të frymëzojnë më të rinjtë për të çuar më tej tashmë Radio-Televizionin e Kukësit si një burim jo vetëm informacioni, por edhe frymëzimi për një të ardhme më të mirë për Kukësin, për Shqipërinë verilindore dhe për të gjitha hapësirat tona mbarëshqiptare!”

 

 

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Kryetari i Bashkisë Safet Gjici, Prefekti Zenel Kuçana, Drejtori i RTSH-së Thoma Gëllçi, punonjës të Radio ‘Kukësit’ gazetarë, regjisorë, redaktorë, inxhinierë dhe familjarë të tyre, si dhe deputetë të Kuvendit.