Presidenti Meta: Prioriteti ynë, të gjejmë të gjithë njerëzit nën rrënoja

393
Sigal

Presidenti Meta: Banorëve të prekur nga tërmeti të mos u mungojnë kushtet elementare për momentin

DEKLARATA E PRESIDENTIT META NË ZONËN E ISH-KËNETËS NË DURRËS, PAS VIZITËS NË FAMILJEN LALA

Presidenti Meta: Ne po bëjmë të pamundurën. Prioriteti ynë së pari është që të gjejmë të gjithë njerëzit që ndodhen nën rrënoja, kjo dhe falë ekipeve ndërkombëtare të shpëtimit që po na asistojnë, të cilat janë rumunë, kroatë dhe nga shumë shtete të tjera. Prioriteti i dytë është që të asistojmë njerëzit që nuk mund të kthehen në banesat e tyre të banimit për shkak se janë dëmtuar. Tani duhet të jemi të aftë për rimëkëmbjen totale të pasojave të këtij tërmeti.

Pyetje: Zoti President, ju takuat veç familjarëve të prekur nga tërmeti, familjarëve Lala, ju takuat dhe familjarë të tjerë të dëmtuar dhe premtuat se brenda dy-tre orëve do ketë asistencë për t’i ndihmuar ata. Në çfarë mënyre do t’i ndihmoni?

Presidenti Meta: Në radhë të parë, unë nuk e mendoja që mund të ketë pasur mungesa, aq më tepër këtu në këtë zonë kaq tragjike. Siç e thatë, kishte disa ankesa për disa mungesa elementare, të cilat unë premtova që pas dy-tre orësh do zgjidhen, pasi në fund fare unë jam Presidenti i Republikës dhe do të koordinoj me të gjithë që mos të mungojë asgjë. Besoj se ka qenë çështje më shumë e organizimit sesa e këtyre mungesave elementare që kanë kërkuar njerëzit.

Pyetje: Do iu dëgjojë pala tjetër që do i kërkoni ndihmë, dhe cilat janë kryesisht nevojat?

Presidenti Meta: Unë mendoj që është çështje e organizimit, që ka nevojë të përmirësohet, siç e kam thënë dje dhe në stadiumin “Niko Dovana”.

Është një tragjedi që nuk e kemi përjetuar për një kohë shumë të gjatë dhe mund të ketë dhe pak konfuzion, por absolutisht atë që premtova unë do ta mbaj. Brenda dy-tre orësh gjithë kërkesat që ata kanë duhet të realizohen.

Pyetje: A duhet të ishin marr masa pasi punonjësit e zjarrfikëses janë duke punuar me duar, ndërkohë që kolegët nga vendet e tjera kanë pasur pajisje të teknologjisë së lartë që kanë ndihmuar për gjendjen e individëve që kanë qenë nën rrënoja?

Presidenti Meta: Sot nuk jemi për të bërë analizë! Sot jemi për të bërë gjithçka që të nxjerrim çdo qytetar të vendit tonë që është ende nën rrënoja, me shpresën që do të kemi dhe të tjerë që të kenë fatin e Klajdit, i cili shpëtoi mbrëmë në mesnatë.

Dhe po bëhet gjithçka nga ekipet më të mira të Italisë, Greqisë dhe vendeve të tjera kanë ardhur këtu bashkë me forcat tona. E dyta, të garantojmë kushte të domosdoshme për të gjitha familjet e tjera derisa të kemi mundësi për t’i rikuperuar këto pasoja në mënyrë afat gjatë. Më pas kemi kohë për analiza.