Plas sherri në asamblenë e Partisë Socialiste, për kandidaturën e kryebashkiakut

968
Sigal

Që në PS-në mungon demokracia e brendshme, kjo dihet, derisa kryetari i PS-së dhe kryeministri Rama nuk lejon asnjë mendim ndryshe nga askush. Që çdo vendim edhe në forumet e PS-së diktohet nga lart dhe anëtarët duhet thjesht të miratojnë, si të jenë thjesht numra edhe kjo dihet. Por, dje në asamblenë e PS-së në Berat plasi sherri, sepse forumit të PS-së duan t’i diktojnë edhe imponojnë kandidaturat për kryetar bashkie, pa pyetur aspak anëtarët, elektoratin, qytetarët, sepse kandidatët për kryebashkiak janë beniaminët e kryetarit të PS-së dhe jo të zgjedhurit e qytetarëve… Mbledhja e asamblesë të PS-së në Bashkinë e Urës Vajgurore e kryesuar nga ministri Blendi Klosi, është shoqëruar me debate të ashpra mes anëtarëve të asamblesë, të cilët nuk kanë qenë dakord me kandidaturën e kryetares aktuale, Juljana Memaj, e përkrahur nga Klosi. Asambleja e Partisë Socialiste të Urës-Vajgurore ka propozuar 2 emra të tjerë kandidatësh për bashkinë: Fatli Afilaj, aktualisht kryetar i këshillit të qarkut Berat dhe Isuf Baze,inspektor në DAR Berat. Por, pak përpara se të fillonte kjo mbledhje që u shoqërua me debate të ashpra, u nxorën jashtë nga salla të gjithë anëtarët e PS-së mes tyre edhe ish-kryetari i Partisë Socialiste në Poshnje, Ramadan Baho. Pas përfundimit të mbledhjes në një nga lokalet e qytetit të Urës-Vajgurore, 2 punonjës të bashkisë kanë kërcënuar dhe goditur Ramadan Bahon, duke e bërë atë përgjegjës për konfliktin në mbledhjen e asamblesë. Ramadan Baho, pasi ka deklaruar se ka qenë për 26-vite me radhë kryetar, deklaroi se socialistët e Urës-Vajgurore kanë qenë kundër propozimit të Klosit për emrin e kryetares aktuale të bashkisë dhe kanë protestuar për këtë kandidaturë gjatë mbledhjes, ku edhe kanë propozuar emra të tjerë kandidatësh për bashkinë.