Petrit Vasili: Hapja e negociatave do ishte lajmi më i keq për kryeministrin Rama

594
Sigal

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, akuzon mazhorancën qeverisëse se po bën gjithçka që Shqipërisë të mos i hapen negociatat me BE-në në qershor. Petrit Vasili: Maxhoranca po bën gjithçka, që negociatat të mos hapen. Shkatërrimi i dialogut politik nga maxhoranca si bazë dhe premisë politike thelbësore e procesit të integrimit është goditja themelore kundër hapjes së negociatave. Kapja dhe shpërfytyrimi i reformës në drejtësi dhe vakumi i qëllimshëm ligjor deri në eliminimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë janë momente kritike antiintegrim. Thellimi i kriminalizimit të qeverisjes dhe rrëmbimi i saj nga trafikantët dhe oligarkët, ka krijuar qartazi profilin e një pushteti, që e zhbën tërësisht shtetin dhe e kthen atë në zgjatim të krimit të organizuar, pra të një qeverisje armike të integrimit dhe hapjes së negociatave. E korruptuar deri në palcë dhe një vegël në duart e oligarkëve, që rrëmbejnë e ndajnë me të qindra miliona euro, kjo qeveri mostër s’ka asgjë të përbashkët as me standardet e qeverisjes, as ato politike dhe as ato morale të BE, duke krijuar një bindje të fortë negative ndaj vendit tonë në Evropën politike dhe duke shtuar shumë e më shumë pengesat për hapjen e negociatave. E strukturuar qartë mbi një filozofi antiintegrim, kjo qeveri ka bërë gjithçka që të ndërtojë alibinë antieuropiane, që sheh nga Lindja, pasi atje mendon se mund të akomodojë shumë më lehtë interesat e errëta dhe paratë e pista, që trafiqet, krimi dhe korrupsioni kanë prodhuar. I vetquajturi lobim i kryeministrit ishte thjesht një tur provokativ, arrogant e irritues, që i pengonte hapjen e negociatave dhe i hapte rrugën skenarit të errët prolindje. Mbrojtja politike prej vitesh e inkriminimit të thellë të drejtimit politik të Ministrisë së Brendshme nga kryeministri dhe mbrojtja nga arrestimi i ish Ministrit të Brendshëm janë goditja më e rëndë, që procesi i integrimit ka marrë në vite. Kryeministri dhe qeveria u vetpërjashtuan qëllimisht nga ky proces i integrimit evropian, në funksion të strategjisë së tyre, që sheh nga Lindja, duke u demonstruar qartë si armiqtë më të mëdhenj të hapjes të negociatave. Hapja e negociatave do të ishte vërtet lajmi më i keq për qeverinë, pasi do t’ia vështirësonte shumë skenarin e saj pro Lindje.