“Përdorimi i të ardhurave nga privatizimi me vendim qeverie është praktikë e përvitshme”

466
Sigal

INTERVISTA/Edmond Spaho: “Heqja e kufirit të borxhit diktohet nga nevoja për të stimuluar rritjen ekonomike me investime publike”

Sot në Kuvend fillon diskutimi i p/buxhetit të 2013-s, i cili deri tani, në diskutimet në komisionet parlamentare ka ngjallur debate të ashpra. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, deputeti i PD-së, Edmond Spaho, në intervistën për “Telegraf”,  analizon politikën ekonomike të qeverisë për buxhetin e 2013-s, përsa i përket politikës së uljes së taksave, domosdoshmërisë së uljes së pragut të borxhit, politikën e përdorimit të të ardhurave nga privatizimet, garancitë që jep qeveria për huamarrjet e ndërmarrjeve publike, dhe argumento përse huamarrjet krijojnë hapësirë për biznesin vendas.

– Oponenca e PS-së për projektbuxhetin e 2013-s është se, qeveria kërkon më shumë kompetenca antikushtetuese në miratimin dhe implementimin e buxhetit dhe kjo rrezikon stabilizimin e financave. Ju si i kundërpërgjigjeni?

– Ka shumë demagogji në qëndrimin e opozitës. Qeveria nuk ka kërkuar asgjë, që të jetë antikushtetuese. Opozita pretendon se dhënia qeverisë, e së drejtës për të përdorur të ardhurat nga privatizimi, me vendim qeverie, është antikushtetues. Përdorimi i të ardhurave nga privatizimi, me vendim qeverie, është praktikë e përvitshme. Ligjet e buxhetit të çdo viti e kanë këtë përcaktim standard.

– Qeveria pretendon se rritja e borxhit bëhet edhe për të ndihmuar rritjen e ekonomisë. Por kjo sa duhet konsideruar pozitive, kur, ndërkohë, rritja e borxheve nga qeveria rrit normat e interesit të kredive që merr individi dhe biznesi nga bankat, pra rrit koston e huamarrjes për ekonominë?

– Përvoja e katër viteve të krizës ekonomike e financiare botërore tregon se kufizimet e shpenzimeve në sektorë jetikë, në vend që të nxisin rritjen dhe shpejtojnë daljen nga kriza, kanë ndikuar në të kundërt, duke zgjatur ciklin dhe zvogëluar rritjen ekonomike. Për më tepër, duhet theksuam që vendi ynë i ka ezauruar pothuaj në masë të madhe rrugët e shkurtimit të shpenzimeve administrative. Administrata publike është zvogëluar, nga 114 mijë punonjës në vitin 2006, në 89 mijë punonjës sot, kurse shpenzimet e personelit janë ulur nga 6.6% e PBB-së në vitin 2005, në 5% të PBB-së në vitin 2013, që do të thotë rreth 200 milion $ kursim në vit.  Qeveria pothuaj ka ezauruar stimujt që rrjedhin nga ulja e taksave. Ne jemi nga vendet me nivelin më të ulët të taksave. Vitin tjetër, do të hiqet TVSH-ja për makineritë dhe pajisjet e investimeve, mbi 50 milionë lekë, për t’i dhënë më shumë impuls investimeve të reja, sepse krijojnë vende pune dhe rrisin prodhimin. Për sa thashë më sipër, është e nevojshme të gjenden rrugë alternative për stimulimin e rritjes ekonomike. Mbajtja e investimeve publike në nivele të larta është rruga më e mirë në rrethanat e sotme, për të nxitur rritjen e ekonomisë. Dëshiroj të kujtoj, që bankat e nivelit të dytë e kanë kufizuar mjaft kreditimin e sektorit privat, duke zvogëluar kështu mundësitë për rritje. Qeveria nuk synon të rrisë huamarrjen e brendshme, për të financuar programin e investimeve publike. Përkundrazi, ajo synon të përdorë huamarrjen e huaj, në mënyrë që t’i krijojë më shumë hapësirë biznesit vendas, për t’u kredituar nga sektori bankar. Për vitin 2013. në dallim nga vitet e tjera. pjesa e financimit të huaj do të jetë më e lartë se sa financimi i brendshëm, për të evituar atë që pyesni ju. Investimet me financim të brendshëm do të jenë 1.7% e PBB-së, kurse investimet me financim të huaj do të jenë 3.2% e PBB-së.

– Qeveria si i kundërpërgjigjet akuzës të Opozitës, se të ardhurat që do të vjelë nga privatizimi, kërkon t’i harxhojë për investime dhe jo për shlyerjen e borxhit, pa u miratuar nga parlamenti?

– Është e parakohshme të diskutojmë se si do të përdoren të ardhurat, nga privatizimi, sa kohë që vazhdon procesi i privatizimit. Këto të ardhura, asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e buxhetit, sa kohë që procesi nuk ka përfunduar. Në momentin që të ardhurat nga privatizimi do të bëhen të vlefshme, për tu përdorur, do të gjykohen drejtimet e përdorimit të tyre. Qeveria pothuaj ka ezauruar stimujt që rrjedhin nga ulja e taksave. Ne jemi nga vendet me nivelin më të ulët të taksave. Vitin tjetër, do të hiqet TVSH-ja për makineritë dhe pajisjet e investimeve, mbi 50 milion lekë, për t’i dhënë më shumë impuls investimeve të reja, sepse krijojnë vende pune dhe rrisin prodhimin. – Heqja e tavanit të borxhit, duke e shtuar atë në 62,8 %, a përbën precedent të rrezikshëm për financat publike?

– Kufiri prej 60% i borxhit publik është vendosur në vitin 2008, kur u miratua ligji i ri për menaxhimin e sistemit buxhetor, në parapërgatitje të detyrimeve, që mund të rridhnin nga procesi i anëtarësimit në BE. Për shkak të krizës ekonomike, që ka përfshirë vendet e BE-së, vetëm një shtet, nga 17 vendet e eurozonës, është në gjendje sot të plotësojë këtë detyrim. Sikurse e thashë më sipër, heqja e kufirit të borxhit diktohet nga nevoja për të stimuluar rritjen ekonomike, nëpërmjet investimeve publike. Huamarrja, ashtu si dhe në të shkuarën, do të vazhdojë të përdoret vetëm për investime publike. Gjatë 7 viteve të fundit, raporti i huamarrjes vjetore ndaj PBB-së,  është mesatarisht 40% më i ulët se sa raporti i investimeve publike ndaj PBB-së, që do të thotë se me të ardhurat, që gjeneron ekonomia, mbulohen rreth 1/3 e investimeve publike. Kjo praktikë, jo vetëm që ruhet në projektbuxhetin e vitit 2013, por kriteri i përdorimit të huamarrjes vjetore, vetëm për investime publike, do të vazhdojë të mbetet në ligjin për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë. Struktura e borxhit tonë publik është e qëndrueshme.  Rreth 40% e tij është borxh i huaj dhe 2/3 e borxhit të huaj përbëhet nga hua afatgjata e me interesa të ulëta. Krahas kësaj, kosto e shërbimit të borxhit është nga më të ulëtat në rajon. me rreth 3.3% të PBB-së. Në favor të qëndrueshmërisë të borxhit tonë publik flet fakti që klasifikimi i riskut të ekonomisë shqiptare, nga kompanitë e specializuara, vazhdon të mbetet i pandryshuar prej disa vitesh.

Garancia që do të japë qeveria për importin e energjisë elektrike nga KESH-i, a është llogaritur si borxh, në shifrat që do të paraqesë qeveria në projektbuxhet?

– Garancitë, që jep qeveria, për huamarrjen e ndërmarrjeve publike dhe pushtetit vendor, në dallim nga shumë vende të tjera, tek ne, përfshihen në borxhin publik. Garancitë zënë 4-5% të PBB-së dhe asnjë herë nuk janë përdorur. Praktikisht borxhi publik është 4-5% të PBB-së më i ulët se sa niveli që deklarohet. Në projektbuxhetin e vitit 2013 janë përfshirë të gjitha garancitë, që KESH-i ka marrë deri më sot dhe nuk janë përfshirë huatë që mund të marrë gjatë vitit 2013, sepse ende nuk dihet se sa do të importojmë gjatë vitit të ardhshëm.

– Faleminderit!