Peleshi prezanton planin kundër drogës: Në operacion përfshihen SHISH dhe ushtria

561
Qeveria ka hartuar një plan për parandalimin dhe kultivimin e lëndëve narkotike i cili është prezantuar sot nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi. Por duket se edhe kritikat e aleatit në qeveri dhe kërkesat e ish-ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani janë marrë parasysh, pasi në këtë plan do të përfshihet edhe ushtria. Peleshi gjithashtu tha se tolerimi zyrtar i qeverisë së kaluar për Lazaratin krijoi kushtet për grupet kriminale që të konsolidonin aktivitetin e tyre.
“Ky është një plan kundër kanabisit, marrjen e masave për parandalimin e kultivimit e trafikimit të kanabisit në Shqipëri. Kultivimi është evidentuar që në vitin 1991. Ishte tolerimi zyrtar dhe mbështetja e hapur e kultivimit në komunën e Lazaratit deri në vitin 2013 që krijoi kushtet e nevojshme për grupet kriminale që arritën të konsolidojnë financat, aktivitetin. Goditja e suksesshme në vitin 2014 solli që energjitë kriminale në këtë rajon të shpërndahen në zona të tjera të vendit”, deklaroi Peleshi.

Ai paralajmëroi se “duke nisur nga ky vit të gjitha strukturat, Policia e Shtetit etj. do të ndërmarrin një operacion të koordinuar”. “Në operacion do të përfshihen shërbimet e policisë, shërbimet inteligjente, ushtria, të bujqësisë, mjedisit. Masa serioze ndaj të gjithë zyrtarëve që nuk arrijnë të mbajnë në administrim territorin”, deklaroi Peleshi.

Ai tha se bashkëpunimi ndërkombëtar është prioritet në përpjekjet kundër kanabisit.

“Viti 2017 do shënojë pa asnjë dyshim një kulm kundër kanabisit në Shqipëri. Mirëqenia e vendit bazohet tek puna e ndershme dhe respektimi i ligjit. Kjo është një ftesë e sinqertë për të bashkuar të gjitha forcat, jo vetëm qeverisë por e të gjithë popullit. Kjo nuk është një betejë e përkohshme, kjo nuk përfundon asnjëherë. Por ky vit është në objektivitetin e planit për një kulm pozitiv në luftën kundër drogës”, tha Peleshi.
Sigal