PD: Korrupsioni në dogana e tatime ka alarmuar partnerët ndërkombëtarë

173
Në një deklaratë drejtuar mediave, koordinatori për Ekonominë dhe Financat, Mateo Spaho pohoi se pas 2 vitesh qeverisje, partnerët ndërkombëtare janë alarmuar për nivelin e borxhit publik dhe korrupsionin në dogana e tatime. Sipas PD-së, Komisioni Europian ka lëshuar alarmin lidhur me borxhin publik të Shqipërisë mbasi niveli i lartë po largon edhe “FMN” nga Shqipëria. 
“Pas 2 vitesh qeverisje partnerët ndërkombëtare janë të alarmuar nga loja e borxheve të Edi Ramës. Rritja e menjëhershme e borxhit publik me 12 për qind te Produktit te Brendshëm Bruto (PBB) për të mbuluar evazionin e korrupsionin e dyshes Rama-Meta përgatiti recesionin ekonomik qe sipas Patrizio Pagano, drejtor ekzekutiv në Bankës Botërore për Shqipërinë e kërcënon seriozisht Shqipërinë. Edhe Komisioni Europian paralajmëron se niveli i lartë i borxhit publik mbetet një burim rreziku për ekonominë shqiptare. Në raportin e tij thekson se, niveli i borxhit të Shqipërisë mbi 70% të PBB-së, rrit rrezikun e marrjes hua dhe interesat e borxhit, si edhe përkeqëson klimën e biznesit. Sipas këtij raporti, gjysma e borxhit të brendshëm është afatshkurtër, dhe ka rrezik për rifinancimin e tij që arrin në 20% të PBB-së dhe nuk mund të përballohet nga bankat vendase. Ndërsa borxhi i jashtëm është në nivele të larta, 29.1% të PBB-së dhe, pesha e tij po rritet. Para pak ditësh “FMN” mbylli bashkëpunimin dy-vjeçar me qeverinë shqiptare pa rifirmosur bashkëpunimin, mbasi ekonomia shqiptare nuk u stabilizua dhe rreziku i krizës është shtuar. 
Që në muajt e parë qeveria Rama u ndihmua dhe u lejua të marrë borxh për të shlyer borxh. Partia Demokratike e ka paralajmëruar rrezikun, ndërsa mazhoranca e kundërshtoi duke premtuar uljen e borxhit. Dhe sot ekonomia shqiptare është ne recesion nga mos mbledhja e të ardhurave, nga korrupsioni i lartë në tatime e dogana dhe nga marrja e borxhit me interes të lartë për shpenzime luksi qeveritar. Përveç këtyre Patrizio Pagano thekson se, mungojnë një mjedis miqësor për biznesin, një sistem taksash i qartë dhe efiçent, një gjyqësor efiçent dhe të drejtat e qarta të pronësisë, që janë faktorët më të rëndësishëm dhe të nevojshëm për tërheqjen e investitorëve.
Dështimet pranohen edhe nga kreu i “Croën Agents”, i cili tha: “Dështuam me doganat, nuk ka transparencë dhe ka korrupsion kudo”. Ai pranoi që të ardhurat nga akciza e cigareve janë ulur, mungon respekti ndaj ligjit nga të dyja palët dhe se, stafi doganor është i paaftë dhe I korruptuar. Për këto arsye kemi rreth 800 mijë ton cigare dhe 40 mije ton karburante të c’doganuara më pak se viti i kaluar dhe në arken e shtetit mungojnë 150 milion dollarë. Dështimi me borxhin publik bëri që Rama të shmangë edhe kontrollin nga Kuvendi I Shqipërisë, duke hequr detyrimin e Qeverisë për ratifikimin në Kuvend të kredive të huaja. Rreziqet nga borxhi janë në rritje, mbasi kompanitë ndërkombëtare të vlerësimit e kanë ulur vlerësimin e Shqipërisë me 1 shkallë dhe për shkak të krizës Greke, ç’vlerësimi mund të rritet akoma. Kjo pra është gjendja reale e ekonomisë së vendit, si pasojë e korrupsionit, abuzimit e vjedhjes masive të dyshes Rama-Meta dhe tërë strukturës së tyre që ka kapur doganat e tatimet, duke mbushur xhepat e tyre, duke blere vota e duke thelluar krizën e varferinë për shqiptarët.”, përfundon deklarata e PD-së.