PD-ja: Përzgjedhja e KLP dhe KLGJ, është proces jo i ligjshëm

212

PD e cilëson në shkelje të ligjit procesin e ngritjes dhe emërimit të drejtuesve të KLGJ dhe KLP. Këshilltari juridik Gazmend Bardhi tha se ky proces i shërbeu qeverisë për të kontrolluar politikisht drejtësinë. Bardhi: Është tashmë fakt që të dy drejtuesit e KLGJ dhe KLP ishin dhe vendimet e para të këtyre organeve, janë dy njerëz të përzgjedhur personalisht nga Edi Rama. Dy të përzgjedhurit për të drejtuar KLP dhe KLGJ sipas Bardhit nuk plotësojnë kriteret dhe kjo është konstatuar edhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM). Ne kemi paralajmëruar emërimet përkatëse të këtyre dy individëve, të cilët sipas ONM nuk përmbushnin kriteret për të qenë anëtarë të KLGJ dhe KLP. Ky nuk është konstatimi i opozitës, por është konstatim i ONM. Në kohën kur qeveria, pavarësisht rekomandimit për përjashtim që dha ONM për dy drejtuesit e KLGJ dhe KLP, i përfshiu në procesin e shortimit. U bë e qartë nga PD dhe opozita që ata po përfshihen në proces, sepse Edi Rama dhe qeveria kërkon që nëpërmjet individëve që nuk përmbushin kriteret për të drejtuar dhe për të qenë anëtarë të Këshillit, të ketë kontroll mbi KLP dhe KLGJ. Qëllimi i kapjes së KLGJ dhe KLP, sipas këshilltarit demokrat, është kontrolli i dy institucioneve të rëndësishme, SPAK dhe BKH.

Bardhi: Janë këto institucione që do të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, që tmerrojnë Ramën dhe ministrat e korruptuar, për shkak se detyra funksionale e këtyre institucioneve të luftojnë korrupsionin dhe lidhjen e politikanëve me krimin e organizuar. Gazmend Bardhi tha se i gjithë procesi është i paligjshëm, ndërsa, sipas tij, ajo që nisi si reformë në drejtësi po përfundon si instrument që qeveria të kontrollojë sistemin.