Sigal

PD-ja është shprehur kundër emërimeve të ambasadorëve në disa shtete. Në një deklaratë për mediat, deputetja e PD-së, Dhurata Çupi tha se familjarët e ish-Byrosë Politike janë vendosur në poste diplomatike. Çupi tha se rasti i fundit është ai i emërimit të ambasadorit të Shqipërisë në Suedi të Virgjil Kules, dhëndrit të Rita Markos. Po kështu ajo përmendi emërimin e mbesës së Hysni Kapos, ambasadore në UNESCO dhe dhëndrit të Lenka Çukos ambasador në Izrael.

PD-ja: Rilindja si bashkim i krimit dhe diktaturës, familjarët e ish-Byrosë Politike në poste diplomatike Një nga kushtet që Shqipërisë t’i hapen negociatat qershorin e ardhshëm është detyrimi i qeverisë për të ndërtuar dialog konstruktiv me opozitën! Por qeveria e ka shkatërruar që tani këtë prioritet, duke e shndërruar diplomacinë shqiptare në strehën e pinjollëve te ish-diktaturës komuniste. Ministri Ditmir Bushati, i biri i Sul Bushatit, zbaton të njëjtat kritere siç bënte dikur i ati në diktaturë, duke emëruar familjarët e ish-Byrosë Politike në poste të rëndësishme diplomatike. Rasti i fundit është ai i emërimit të ambasadorit të Shqipërisë në Suedi të Virgjil Kules, dhëndri i Rita Markos. Ky emërim nuk është i rastësishëm! Mbesa e Hysni Kapos është emëruar ambasadore në UNESCO. Dhëndri i Lenka Çukos ambasador në Izrael. Asnjë nga këto emërime nuk është rastësi! Edi Rama e konceptoi Rilindjen si bashkim mes krimit dhe pinjollëve e funksionarëve të regjimit komunist, duke nisur nga ai vetë. Dhe bashkë me Gramoz Ruçin, Fatmir Xhafën, Ditmir Bushatin, Ilir Beqjen, dhjetëra funksionarë të tjerë të lartë, me rikthimin në shërbimin sekret të oficerëve të Sigurimit të Shtetit, me portretin e Enver Hoxhës në festat zyrtare, Edi Rama ka ngritur sistemin kriminal të narko-enverizmit, një diktaturë e re që pushtetin e ka bazuar tek blerja e votës me paratë e drogës dhe të krimit. Partia Demokratike nuk do të njohë asnjë nga emërimet e lidhjeve të Edi Ramës me diktaturën komuniste dhe krimin! Partia Demokratike, si një alternativë e rinisë, do t’i hapë rrugën të rinjve shqiptarë për një Shqipëri si gjithë Evropa!