PD, akuza Ramës: Po pengon konstituimin e Bashkisë së Pogradecit

428
Sigal

Partia Demokratike ka akuzuar sot kryeministrin Edi Rama, që sipas kësaj force politike, nuk po lejon konstituimin e Këshillit Bashkiak të Pogradecit dhe nisjen nga puna të bashkisë. Në një dalje për mediat, deputetja Albana Vokshi ka deklaruar se dyert e kësaj bashkie janë mbyllur me pretekstin banal se këshilltarët e majtë janë me pushime.

 Deklarata e plotë e deputetes së PD, Albana Vokshi
 Partia Demokratike denoncon papërgjegjshmërinë ekstreme të Edi Ramës dhe levave të tij, që mbajn Pogradecin në kaos, duke mos lejuar konstituimin e Këshillit Bashkiak dhe nisjen nga puna të Bashkisë. Përmes Peleshit dhe Prefektit të Korçës, Edi Rama po hakmerret ndaj pogradecarëve që nuk votuan për të dhe ortakun e tij Meta, duke mbajtur peng Bashkinë e re. Me pretekste banale sikur këshilltarët e majtë qenkan me pushime, janë mbyllur dyert e kësaj bashkie, e cila prej 10 muajsh është pothuajse jo-funksionale. Kanë kaluar tashmë 27 ditë që Prefekti ka në tryezë vendimin përfundimtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për këtë Bashki. 
 Pengimi i konstituimit dhe fillimit të punës, është një hakmarrje e verbër, por dhe shkelje e ligjit njëkohësisht, dhe për këtë Partia Demokratike do t’i drejtohet organeve të drejtësisë. Ne i bëjmë thirrje Prefektit të Korçës të heqë dorë nga ky shërbim kriminal, e të zbatojë ligjin. Qytetarët e Pogradecit nuk mund të ndëshkohen, duke u mbajtur peng Bashkinë dhe shërbimet. Edi Rama po vërteton tezën e tij të fushatës zgjedhore se nëse shqiptarët nuk votonin kandidatët e tij ai do ti linte pa ujë e pa investime. Por në realitet, ai po shkon edhe më larg, duke i lënë qytetarët që nuk e kanë votuar atë, edhe pa Bashki. Partia Demokratike i bën të ditur Edi Ramës se ai nuk është zot i vendit dhe pronar i bashkive. Vullneti i qytetarëve të Pogradecit nuk mund të mbahet peng, dhe nuk ka për t’u mbajtur peng nga marionetat e tij Pelesh-Prefekt.