Sigal

Maxhoranca rrëzon Reformën në Drejtësi, kontrollon gjithë Gjyqësorin

E vërteta e tejkalimit të afateve kushtetuese për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, sikurse KLP, KLGJ, KED, BKH, SPAK,  është se maxhoranca, ngaqë kësaj here nuk i ka 84 vota në Parlament, për të votuar anëtarët, gjyqtarë dhe prokurorë, që do të jenë kandidatët për këto institucione. Strategjia politike e maxhorancës, është që të tejkalohet gjithë koha  kushtetuese për të ndërtuar këto institucione të reja të Drejtësisë, dhe, pastaj, me pretendimin, justifikimin, se nuk kemi më kohë, të bëjë emërime, siç bëri edhe në emërimin e kryeprokurores së Përkohshme, me lloj-lloj marifete ligjore, të bëjë ato emërime në këto institucione të drejtësisë, për kandidaturat që janë të përshtatshëm, për maxhorancën.

Projektligji, që i jep kompretenca kryeprokurores dhe KLD-së të emërojnë

Sipas Reformës në Drejtësi, KLD-ja nuk ka më kompetenca kushtetuese të emërojë gjyqtarë, sepse këtë kompetencë kushtetuese e ka Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, që ende nuk është ngritur akoma. Meqë kryeprokurorit të Përgjithshëm i mbaroi mandate dhe në vend të tij u emërua (me votim të thjeshtë në Parlament) kryeprokurorja e Përkohshme, as kjo nuk ka kompetenca kushtetuese që të bëjë emërime të prokurorëve, sepse këtë kpmpetencë kushtetuese e ka Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që ende nuk është ngritur. Maxhoranca, sot ka sjellë në Parlament projektligjin, (i cili nuk u votua nga opozita në asnjë komision parlamentar, madje u cilësua antikushtetues), që I jep kompetenca kushtetuese edhe kryeprokurores së Përkohshme, edhe KLD-së të vazhdojnë të bëjnë emërime të prokurorëve dhe gjyqtarëve, me pretendimin, që të plotësohen vendet vakant të kandidatëve në institucionet e reja të Drejtësisë. Ky ligj, I jep mundësi maxhorancës, që nëpërmjet kryeprokurores së Përkohshme ( e cila është akuzuar nga Opozita që është “kamikaze” e kryeministrit) dhe KLD-së që e kontrollon tashmë maxhoranca, të emërojnë ato kandidatura gjyqtarësh dhe prokurorësh, që janë të preferuarit e maxhorancës. Pasi të emërohen këta, atëhere, maxhoranca ka të gjithë kandidatët e saj të preferuar edhe për institucionet e reja të Drejtësisë, dhe, atëhere, maxhoranca do të përshpejtojë edhe ngritjen e KLGJ, KLP, KED, BKH, SPAK, ku do të ketë jo vetëm shumicën, por gati të gjithë trupën e tyre. Kështu, maxhoranca do të ketë nën kontroll gjithë drejtësinë.

 A do sigurojë sot maxhoranca 84 vota?

Projektligji për gjyqtarët dhe prokurorët, kërkon 84 vota për t’u miratuar. Maxhoranca, deri tani mund të sigurojë 78-79 vota. PD-ja e ka refuzuar këtë ligj, ndërsa ndër të tjera kusht ishte shkarkimi i kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku.                                        Por deri pak ditë më parë PS-ja shpresonte në konsensusin e LSI-së, moment që u zbeh në mbledhjen e fundit të Komisionit Ligjeve, pasi deputeti Nasip Naco u shpreh prerë kundër nismës, me pretendimin se kjo thellon kapjen e drejtësisë nga shumica.

Taulant Balla sjell amendamentin: Parlamenti të gjykojë edhe arrestimet e deputetëve

Reforma në Drejtësi duket se nuk i mjafton PS-së për ta konsideruar veten të mbrojtur nga hetimet penale. Një seri ligjesh të miratuara vetëm nga maxhoranca, të cilat shoqëruan ndryshimet kushtetuese konsensuale, i kanë dhënë pushtet të madh qeverisë mbi sistemin e drejtësisë. Por, gjithësesi, maxhoranca qeverisëse ndihet ende e pasigurt dhe për këtë arsye synon të realizojë ndryshimet e fundit në Rregulloren e Kuvendit, në bazë të të cilave, deputetët marrin rolin e gjykatësit. Brenda muajit Korrik, Parlamenti pritet të votojë amendamentin “Balla” për Rregulloren, në nenet ku parashikohet dhënia e autorizimit për arrestimin e deputetit dhe ministrit. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka depozituar para disa muajsh në Kuvend një nismë për ndryshimin e neneve 118 dhe 119 të Rregullores së Kuvendit, konkretisht ato të emëruara “Autorizimi për procedim” dhe “procedura pas ndalimit apo arrestimit të deputetit”. Nisma e Ballës erdhi menjëherë pasi Partia Socialiste hodhi poshtë, me votë politike, kërkesën e Prokurorisë për Krime të Rënda për autorizimin nga Parlamenti për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm dhe deputetit Saimir Tahiri.

Precedenti i maxhorancës me çështjen “Tahiri”, të kthehet në ligj

PS-ja, e gjendur në mënyrë të papritur përballë kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e Tahirit, i konsideruar si njeriu më i afërt i kryeministrit Edi Rama, organizuan mbrojtjen e tij me një procedurë anti-ligjore në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve në Parlament. Deputetët socialistë, në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe legjislacionit penal, vlerësuan provat e paraqitura nga Prokuroria dhe në fund vendosën që ato nuk kishin vlerë. Ky qëndrim politik binte ndesh tërësisht me frymën e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Në një shtet demokratik, Parlamenti ka rolin e ligjvënësit, ndërsa drejtësinë e jep gjykata. Por, në rastin “Tahiri”, maxhoranca parlamentare mori rolin e gjykatësit. Këtë detyrë e mori përsipër Taulant Balla, i cili sugjeroi amendimin e Rregullores së Kuvendit, me anën e të cilës synohet që paligjshmëria në rastin “Tahiri” të kthehet në normë.

Kushtetuta dhe Rregullorja e Parlamentit për arrestimin e deputetëve

Kushtetuta e Shqipërisë, në nenin 73 të saj, parashikon se: “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit”. Në zbatim të këtij përcaktimi kushtetues, Rregullorja në fuqi e Kuvendit, në nenin 118 të saj, duke trajtuar rregulla të njëjta si heqjen e imunitetit të deputetit, ashtu edhe për dhënien e autorizimit për arrestimin e tij, parashikon se: “Kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale (dhe arrestimit) ndaj deputetit i paraqiten Kryetarit të Kuvendit nga Prokurori i Përgjithshëm. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin”.

Ja argumenti i Taulant Ballës: Parlamenti të bëhet  edhe gjykatë

Taulant Balla e lexon termin “dokumenta shoqërues” si prova. Në fakt, “dokumenta shoqërues” janë aktet proceduriale të prokurorit, ku përfshihet, kryesisht regjistrimi i procedimit penal (hetimit) ndaj deputetit apo ministrit. Rregullorja e Kuvendit e ka parashikuar këtë kërkesë për t’i paraprirë një situate hipotetike abuzive nga ana e Prokurorisë, kur mund të kërkohet arrestimi i deputetit apo ministrit pa u regjistruar një procedim penal. Pra, kaq kërkon Rregullorja e Kuvendit, bazuar në frymën e Kushtetutës dhe parimit të ndarjes së pushteteve. Ndërkohë, propozimi “Balla” shkon më tej. Ai kërkon nga Parlamenti që të miratojë amendamentin e tij, i cili parashikon: “Kërkesa për të autorizuar caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtepi, heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, kontrollit personal ose të banesës, i paraqitet Kryetarit të Kuvendit nga Prokurori. Kërkesa përmban një relacion të arsyetuar dhe të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën”. Pra, amendimi “Balla” kërkon që prokuroria të dorëzojë në Kuvend edhe provat që ka ndaj deputetit e ministrit dhe, natyrisht, ato do t’i nënshtrohen vlerësimit politik nga deputetët.

Amendamenti i Taulantit në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale

Ky parashikim i Taulant Ballës bie tërësisht në kundërshtim edhe me Kodin e Procedurës Penale, i cili, në nenin 152 të tij, “Çmuarja e provave”, parashikon se: 1…..Gjykata, pas shqyrtimit të provave në tërësi, çmon vërtetësinë dhe fuqinë provuese të tyre, duke argumentuar arsyet ku është mbështetur për të krijuar bindjen e saj”. Pra, është vetëm gjykata ajo që ka tagrin ligjor për të vlerësuar provat, njëlloj siç ndodh në çdo vend demokratik. Por, për Taulant Ballën, ky kapërcim tërësor kompetencash duket se nuk përbën asnjë problem, mjafton të arrihet qëllimi për të mbrojtur kolegët brenda familjes së tij politik.

Taulant Balla edhe kundër SPAK

Propozimi “Balla” është në kundërshtim të plotë edhe me ngritjen e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Kjo e fundit, një risi për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, do të ketë në kompetencë të saj hetimin e zyrtarëve të lartë, përfshirë deputetë dhe ministra. Por, nëse realizohet qëllimin i Taulant Ballës, atëherë edhe hetimet e SPAK do të vlerësohen paraprakisht nga vullneti politik në Parlament. SPAK, ashtu si edhe e gjithë Reforma në Drejtësi, u ideuan për të shkëputur tërësisht politikën nga sistemi i drejtësisë. Por, nëpërmjet ndërhyrjeve, në dukje të vogla në ligje e Rregullore, maxhoranca ka vendosur që ta kthejë përmbys edhe vetë SPAK-un.

Jakup B. GJOÇA