Parlamenti Evropian paralajmëron Shqipërinë: Korrupsioni dhe mungesa e Drejtësisë rrezikojnë hapjen e negociatave

515
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Njësia Informative Financiare e Sistemit të Antiriciklimit të Bankës Shtetërore Italiane: Në Shqipëri bëhet pastrim parash

Pas vendimmarrjes së BE-së, në 28 qershor 2018, që Shqipërisë të mos i hapen negociatat për anëtarësim, pa kryer reformat e ndërmarra, në drejtësi, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit, etj, kryeministri Rama deklaroi se procesi i hapjes së negociatave, thjesht shtyhet në kohë, ndërsa vendimmarrja është e garantuar, duke thënë se Shqipëria (qeveria e kryesuar nga ai) i ka kryer të gjitha detyrat e integrimit.

PE: Shqipëria nuk lufton korrupsionin, reforma në drejtësi është e mangët

Dje Parlamenti Evropian miratoi raportin për pesë vendet e Ballkanit Perëndimor, ndër to edhe Shqipërinë. Raporti për Shqipërinë u miratuar me 44 vota pro, 5 kundër dhe 5 abstenim. Në lidhje me Shqipërinë theksohet nga PE se shqetësim ngelet nivelin i korrupsionit si dhe mungesën e efikasitetit në drejtësi. Eurodeputetët kanë përmendur disa çështje të nxehta si negociatat me Greqinë, veçanërisht respektimin e të drejtave të pakicave në vendin tone, por edhe ndërtimet e hidrocentraleve në disa lumenj në vendin tonë.

PE: Hapja e negociatave, me kusht realizimin e reformave

Parlamenti Evropian paralajmëroi edhe një herë Shqipërisë, se hapja e negociatave do të bëhet vetëm nëse realizohen 13 kushtet e BE, që u vendosën në 28 qershor 2018. Megjithatë, rezoluta e miraton rrugën e përcaktuar nga Këshilli për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë në qershor 2019, me kusht që vendi të përmbushë të gjitha kushtet e nevojshme.

Raporti: Nga Italia në Shqipëri kanë hyrë miliona euro para të pista

Shqipëria së bashku me Rumaninë, Marokun, Kinën e Pakistanin është një nga destinacionet kryesore të dërgesave me shuma të dyshuara financiare, të nisura nga Italia përgjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2018. Shqipëria renditet në 5 vendet e para të transferimit të parave të dyshimta përmes sistemit Money Transfer. Me anë të këtij sistemi në 6 muajt e parë të vitit 2018 nga Italia në Shqipëri janë dërguar 551 mijë euro, të konsideruara të dyshimta nga autoritetet italiane. Lajmi është bërë i ditur nga Njësia Informative Financiare e Sistemit të Antiriciklimit të Bankës Shtetërore Italiane, e cila sapo ka publikuar raportin e gjashtë mujorit të parë të 2018 me konkluzionet se operacionet financiare të dyshuara për financim terrorist janë rritur me 38%, ndërsa ato për ricklim parash me 5.3 % në krahasim me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë. Njësia e Antiriciklimit e Banka Italia ndër 49 376 dërgesa të dyshuar financiare, ka përcjellë për investigim tek organet kompetente 49 103 të tilla. Deri më tani në bazë të legjislacionit Italian në fuqi janë pezulluar 23 operacione transferimi parash në vlerë 36.1 milionë euro. Sistemi money transfer konsiderohet si një nga kanalet kryesore të dërgimit të parave të pista. Në gjashtë muajt e parë të 2018 nga Italia në Shqipëri kanë mbërritur rreth 551 mijë euro duke përbërë 3.5 % të shumës së përgjithshme të operacioneve financiare të dyshuara të dërguara përmes këtij sistemi. Rajoni i Lombardisë mbetet si territori kryesor i nisjes së parave të dyshuara me mbi 10 mijë dërgesa, 5122 prej të cilave janë nisur nga qyteti i Milanos. Në gjashtë muajt e parë të 2018 sipas Bankës Shtetërore Italiane është verifikuar një rritje e numrit të operacioneve të dyshuara financiare në rajonin e Kampanjës, Emilia Romanjës, Sicilias, Toskanës e Puglias.

Greqi/ Kapen mbi 100 kg drogë që vinin nga Shqipëria

Rreth 115 kg marijuanë që dyshohet se vinte nga Shqipëria është kapur në Igumenicë pasditen e djeshme dhe një person është vënë në pranga. Sipas policisë greke, është arrestuar një shtetas grek, drejtues i mjetit ku u gjet lënda narkotike. Nga të dhënat e para, dyshohet se droga është ngarkuar në Shqipëri. Mjeti ku u gjet lënda narkotike ka kaluar nga Qafe-Bota dhe është ndaluar në Igumenicë. Pas një kontrolli, policia zbuloi drogën dhe vuri në pranga drejtuesin e mjetit.

Arrestohen nga Guardia di Finanza 2 skafistë shqiptarë me 560 kg lëndë narkotike

“Guardia di Finanza italiane në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka bërë të mundur ndalimin e një mjeti lundrues të përdorur për trafik lëndësh narkotike në afërsi të Brindizit, Itali. Ngarkesa ishte 560 kg marijuanë. Të arrestuar janë shtetasit G.M., 32 vjeç dhe A.B., 27 vjeç nga Vlora.