Paralajmërimi i Ramës: Në janar vetting për policinë, do shkatërrojmë nyjet më të thella të krimit

459
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se në muajin janar Policia e Shtetit do t’i nënshtrohet procesit i vettingut. Nga konferenca “Shkenca ligjore dhe sfidat bashkëkohore të sigurisë”, kreu i qeverisë pohoi se ‘sita’ do të nisë nga policia, duke vazhduar tek institucionet e tjera ligjzbatuese.
Mes të tjerash ai shtoi se task-forca e re “forca e ligjit” synon që të kapë dhe prishë nyjet më të thella të krimit.
“Përgjegjësi e pandashme e shtetit me sigurinë publike, mbetet një atribut i dorës së parë në çdo shtet. Siguria publike nuk sigurohet nga aktorët, por nuk shitet dhe as nuk blihet. Askush nuk mund të privohet nga përfitimet e saj. E mira publike e parë, është siguria publike e vendit. Shteti sovran u krijua për të krijuar sigurinë publike. Koha ime sado të abuzoj me të, duke abuzuar me mikpritjen tuaj, është e kufizuar, pasi ju takon juve të flisni. Siguria publike nuk mund të krijohet nga qasje apo procese të izoluara. Për këtë qëllim ne do të thellojmë kapacitetet dhe do nxisim procese të përbashkëta, në përballje me krimin. Përvoja e shkëlqyer e funksionim të disa task-forcave, si ajo për kanabisin, mbrojtjen e territoreve janë shembulli i duhur. Fillimi i operacionit ‘forca e ligjit’ që shërben për qasjen, do të shërbejë edhe për bashkëpunim ndërkombëtar. Në të ardhmen do përpiqemi që të kalojmë në nivel tjetër. Pleksja e krimit dhe burimet financiare mund të përballen me një modernizim të Policisë së Shtetit. Pastërtia e radhëve të policisë, dhe strukturave të tjera ligj zbatuese është parakusht i domosdoshëm. Ne kemi bërë sa kemi mundur, jo disa kemi dashur në funksion të rritjes së shpërblimit moral dhe financiar për punonjësit e Policisë së Shtetit, do vazhdojmë edhe më shumë. Por procesi i pastrimit të Policisë së Shtetit dhe ai i sistemit gjyqësor për pastrimin nga të paaftët do të vijojë. Në radhë të parë me Policinë e Shtetit dhe më pas në institucionet e tjera ligjzbatuese. Vettingu do të nis të zbatohet që nga muaj janar dhe do të japë rezultate të qenësishme. Ashtu siç kam besim që brezat që do të dalin, do të jenë një burim i jashtëzakonshëm transformimi dhe transfuzioni të gjakut të Policisë së Shtetit.”, pohoi Rama.
Kryeministri ka folur për rilindje të kësaj akademie dhe tha se lufta kundër krimit është një luftë që zhvillohet në fushën e inteligjencës.
“Dua ta nis me premisën e qartë se lufta kundër krimit është një luftë që në radhë të parë zhvillohet në fushën e inteligjencës së mirëfilltë, në kuptimin e mendjes. Roli që po merr përditë e më tepër akademia e sigurisë në funksion të rritjes së kapaciteteve në këtë fushë është vërtetë kyç. Rëndësia e vendimit për t’i kthyer Policisë së Shtetit akademinë e saj në vitin 2015 pas 7 vitesh mungese të pashpjegueshme provohet përditë e më tepër në cilësinë e re dhe efektivitetit në rritje të policimit në çdo skaj të vendit. I jam shumë mirënjohës të gjithë pedagogëve dhe pedagogeve të kësaj akademie për rilindjen e një vatre kaq të rëndësishme sa ç’është kjo akademi në funksion të rritjes së një gjenerate tjetër kuadrosh të Policisë së Shtetit, korrektesa e sjelljes dhe profesionalizmi i të cilëve janë një domosdoshmëri e vazhdueshme për Policinë e Shtetit”, tha Rama.
Kryeministri nënvizoi nevojën për rritjen e parametrave dhe teknologjisë në polici duke iu referuar përdorimit të teknologjisë edhe nga elementët dhe grupet kriminale.
“Ne të gjithë pa asnjë diskutim shohim me kënaqësi përparimet në këtë aspekt dhe presim me padurim brezat e rinj të akademisë së sigurisë që t’i bashkëngjiten policisë në terren në luftën kundër krimit. Jetojmë në një kohë ku zhvillimet revolucionare në fushën e teknologjisë përbëjnë edhe sfida më vete për institucionet ligjzbatuese. Jemi të vetëdijshëm se pas këtyre zhvillimeve nuk është vetëm shteti, trupa e angazhuar në luftën kundër krimit që mund të përfitojë por edhe vetë krimi nga ana tjetër. Sot është bërë e mundur që kushdo ka akses në teknologjinë e avancuar, ndaj elementet apo grupet kriminale kanë një kapacitet keqpërdorues në teknologji”, tha Rama.
Sigal