Paketa Anti-shpifje/ PS voton sërish censurën. KiE,Oxfordi dhe shoqatat ndërkombëtare: Vetën diktatorët denoncohen kështu

141

Dy ‘shuplakat’ e Këshillit të Evropës për Ramën: Vetëm diktatorët denoncohen kështu

Socialistët mbyllin veshët përballë kritikave dhe vijojnë me “Paketën Anti-shpifje”

Duke sfiduar vërejtjet e prera nga organizatat vendëse të të drejtave të njeriut, nga Komisioni Evropian dhe Këshilli i Evropës, deputetët socialistë deklarojnë se do të vijojnë me projektligjet kontroverse, të cilat janë konsideruar njëkohësisht anti-evropiane dhe antidemokratike. Deputetët socialistë në Kuvend vijuan procedurat këtë javë për të rrëzuar dekretin e presidentit Ilir Meta për kthim për shqyrtim parlamentar të paketës anti-shpifje, duke mbyllur veshët përballë vërejtjeve të përsëritura nga shoqëria civile dhe Komisioni Evropian i Brukselit. Socialistët rrëzuan dekretin e Metës dhe rrjedhimisht vënë në fuqi projektligjet e shumëkritikuara në datë 30 janar. Ndërkohë, një zëdhënëse e Komisionit Evropian, bëri të qartë në mënyrë të prerë se projektligjet nuk janë të përputhje me rekomandimet e Brukselit ndërsa një institucion i njohur si Komisioni Monitorues i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dorëzoi në Komisionin e Venecias një kërkesë për opinion për ligjet shqiptare, duke e dërguar betejën kundër projektligjeve në një fazë të re. I palëkundur nga kritikat, deputeti Taulant Balla paralajmëroi edhe një herë të Mërkurën në faqen e tij në Facebook se shumica parlamentare socialiste do të rrëzojë dekretet e presidentit ndërsa pretendoi se pas rrëzimit të dekreteve, do të bashkëpunojë për përmirësim të mundshëm. Ndryshe nga Balla, grupi i organizatave të shoqërisë civile shqiptare të cilat kanë luftuar projektligjet, mendojnë se këto projektligje nuk mund të përmirësohen sepse janë në thelb antikushtetuese dhe si të tilla, duhet të rrëzohen.

Të gjithë kundër

Në ditën kur Indeksi i Demokracisë i “The Economist” tregonte se Shqipëria ka pësuar rënie të ndjeshme që kur Edi Rama mori pushtetin, një lajm kishte kaluar pa rënë në sy. Teksa Shqipëria vazhdonte të etiketohej si regjim hibrid, një fjalë e gjetur sa për të mos thënë diktaturë apo autokraci, Këshilli i Evropës po i drejtohej Komisionit të Venecias për dy nisma ligjore të Edi Ramës kundër lirisë së medias. Ishte një lëvizje e paprecedent, kur vetë Këshilli i Evropës, aq më tepër Komiteti i Monitorimit të Asamblesë Parlamentare, i kërkonte një trupe që është pjesë e KiE, të shqyrtojë nismat, të cilat qeveria i mbron me zell diktatorial, duke habitur botën perëndimore. Kjo goditje mund të duket e paralajmëruar sepse Komisionerja për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç ishte treguar shumë kritike ndaj Edi Ramës për paketën antishpifje. Madje SHBA dhe BE kishin kërkuar që qeveria të merrej me Këshillin e Evropës. Por në vend të kësaj, Rama shpiku një moment, duke përdorur një përgjegjës të lirisë së medias në OSBE dhe mori prej tij një gjysmë-miratim për nismën e censurës. Më vonë edhe vetë OSBE e kuptoi skandalin dhe reagoi duke kërkuar rishqyrtim të “Paketës Anti-shpifje”. Por Këshilli i Evropës nuk mund të ndalej me kaq. Ata e dërguan Ramën vetë në Komisionin e Venecias, duke e bërë shembull të denjë për autokratët. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Këshilli i Evropës e denoncon kaq hapur Ramën, si njeri me tendenca diktatoriale. Sa për informacion, Këshilli i Evropës është organizata lider në kontinentin tonë për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Në qershor të vitit të shkuar, kur Edi Rama po e çonte vendin symbyllas drejt greminës me votimet njëpartiake, Këshilli i Evropës vendosi të tërheqë vëzhguesit. Drejtuesit e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës thanë se nuk do dërgojnë delegacion vëzhgues në Shqipëri. Goditja e fortë merrte kuptim, pasi vlerësimi politik i zgjedhjeve lokale bëhet pikërisht prej tyre. Në vend ngeli misioni i ODIHR, që bëri vlerësimin e zgjedhjeve, duke i quajtur në çdo pikë skandaloze.