Opozitë e bashkuar për të larguar “Rilindjen”

494
Kryemadhi: Kemi filluar rakordimet politike me PD-në
Intervista/ Kryetarja e LSI-së analizon zhvillimet politike, rolin e opozitës, qeverinë “Rama 2”, koncesionet dhe skandalin e radarëve
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, gjatë një interviste ekskluzive për TPZ.al, lëshoi akuza të forta ndaj ish-aleatit të saj, Kryeministrit Edi Rama, ndërsa konfirmoi se po rakordojnë së bashku edhe me Partinë Demokratike hapat e aksioneve politike që do të ndërmarrin në Parlamentin e Shqipërisë. Pas tetë viteve si “king maker” i formimit dy qeverive – me PD (2009-2013) dhe PS (2013-2017), – LSI-ja e sheh veten në anën e pakicës parlamentare, por me besimin se do të krijojë modelin e vërtetë të një opozite “reale”, ndryshe nga Partia Demokratike. “Është një zgjedhje që e bëri vetë LSI-ja. Duke pasur parasysh edhe situatën ku është futur Shqipëria, nuk kishte pse LSI-ja të vazhdonte të ishte më bashkëfajtore në qeverisje me Partinë Socialiste. Krimi që ka kapur çdo segment të shtetit dhe tashmë po shtrin falangat e tij drejt sistemit të drejtësisë. LSI-ja nuk mund të bëhej më pjesë e kësaj situate të tmerrshme dhe një llumi politik dhe kriminal që po zapton Shqipërinë. Shqipëria tashmë mund të konsiderohet një vend hibrid: midis diktaturës dhe një sistemi tjetër, por që vetëm në demokraci nuk është”, tha Kryemadhi, tashmë një veterane e politikës. Për herë të parë në Parlamentin shqiptar kemi dy opozita të fuqishme me orientim të ndryshëm politik: PD-ja, e djathtë dhe LSI, e majtë, por që kanë për objektiv demaskimin e Partisë Socialiste dhe rrëzimin e Qeverisë “Rama 2”. Ndërsa numrat në Kuvend nuk i japin asnjë mundësi dy ish-aleatëve ta rrëzojnë përmes një mocioni Kryeministri Edi Rama, Kryemadhi pohon se, LSI-ja ka nisur rakordimet me Partinë Demokratike.

Marrëdhënia me PD-në
“Mendoj që 80% e shqiptarëve janë në opozitë me këtë qeveri. Qytetarët po bëjnë më shumë opozitë se sa partitë politike. Gjithsesi, për sa i përket marrëdhënies tonë me Partinë Demokratike, ne kemi filluar rakordimet tona në parlament. Sigurisht që do kohën e vet dhe momentin e vet, duke pasur parasysh angazhimet dhe të qenit e LSI-së katër vjet në qeverisje apo edhe marrëveshja që bëri Partia Demokratike, më 17 maj me Partinë Socialiste, janë pothuajse të barabarta në dëmin që i kanë shkaktuar demokracisë”, tha deputetja Kryemadhi, e cila konsiderohet si “Zonja e hekurt” e LSI-së, pas dorëheqjeve të njëpasnjëshme të Ilir Metës (tashmë president) dhe Petrit Vasilit (kryetar i Grupit Parlamentar). “Në qoftë se Partia Demokratike e akuzon Lëvizjen Socialiste për Integrim në bashkëqeverisje 4 vjet me Partinë Socialiste, gjë që i solli dhe të mira vendit, por edhe pati shumë gabime tjera, heshtja që LSI-ja bëri ndaj zaptimit të strukturave të policisë nga krimi i organizuar është e barabartë, madje mund të themi, se marrëveshja e PD-së me Partinë Socialiste, më 17 maj, e cila edhe sot e kësaj dite nuk është transparente, është më e rëndë se ajo çka mund të pretendohet se ka bërë LSI-ja”, tha numri një i LSI-së.

Vlerësimi për “Rama 2”
Në lidhje me qeverinë “Rama 2”, Kryemadhi lëshoi akuza të rënda ndaj ish-aleatit të katër viteve më parë. “Ne kemi një kooperativë qeverisëse. Kur Rama prezantoi Qeverinë, ai tha se është një qeveri e vogël. Ne e përkufizuam: ‘Qeveri e vogël, korrupsion i madh’, tha ajo.
Në lidhje me shëndetin e përfolur mendor të Kryeministrit Edi Rama, si njeri, politikan dhe drejtues i qeverisë, Kryemadhi u shpreh se ajo nuk është një mjeke apo psikologe, por ajo e konsideron atë, një frikacak. “Unë nuk jam as psikologe dhe as terapiste, por unë mendoj që do të ishte më mirë të pyeten mjekët për t’i bërë një analizë të tillë z.Rama. Nga ajo që unë shikoj, ndjej dhe nga ato çfarë kemi nga eksperiencat tona të përbashkëta, Rama është një personazh, i cili kërkon që përgjegjësinë t’ua lërë të tjerëve. Ka frikë. Ka frikë nga zullumet që bën vetë. Por nuk ka frikë nga përgjegjësia (posti, pushteti). Përgjegjësinë e do”, tha Kryemadhi. Në lidhje me mbështetjen që i ka dhënë LSI-ja gjatë katër viteve të shkuara dhe përdorja e mundshme që Rama i ka bërë asaj në bashkëqeverisje, Kryemadhi u shpreh se ai e ka përdori LSI-në për të mbrojtur veten nga grupimet brenda Partisë Socialiste. “Gjatë katër viteve të kaluara, Rama, çdo kërcënim që u bënte grupeve brenda partisë vet, u thoshte ‘unë kam LSI-në, kam Ilir Metën, nuk më interesoni ju’. Tashmë që nuk ka më as LSI-në, se Ilir Metën edhe mund ta ketë, pasi ai është President. Kam parasysh firmosiet e dekreteve që z.Meta ia bëri menjëherë pa kaluar sekonda. Nëse deri dje, LSI-ja dhe Ilir Meta ishin një mburojë ‘antiplumb’ ndaj qëndrimeve apo sulmeve që i bëheshin z.Rama, sot ai nuk ka gjë tjetër më. Të vetmen mburojë që ka janë bandat e krimit e organizuar, oligarkët, cilët u ka shtruar në tepsinë e tij qeverisëse. Çdo grup oligarkësh apo çdo grup mafioz kanë përfaqësuesit e tyre në ministri, për të ndjekur aferat e tyre korruptive dhe për të ndjekur gjithë procesin e tyre”, tha drejtuesja e LSI-së.

Biznesi
Në lidhje me situatën ekonomike në vend dhe vendosjen e TVSH-së për biznesin e vogël, kryetarja e LSI-së akuzoi Ramën se ai po u shërben oligarkëve. “Jemi shumë dakord që të formalizohet tregu dhe tregu mund të formalizohet shumë kollaj me anë të TVSH-së, kurse për biznese të vogla ta vendose TVSH-në zero. Dhe kjo fillon një formalizim të tregut, fillon edhe një shëndoshje sado ose dalje e nga një terapi shok siç është ekonomia shqiptare”, tha Kryemadhi, që thekson se vendosja e TVSH-së është një shërbim që z.Rama po ua bën oligarkëve. “Pse e them këtë? E them këtë, sepse faktikisht në buxhet shteti nuk ka më shumë se 6 milionë euro të ardhura, por vendosja e TVSH-së do të sjellë ose falimentimin e bizneseve të vogla, që janë rreth 100 mijë të punësuar ose 60 mijë biznese që duhen mbyllen ose do të rrisë çmimin që do të shkoje drejt konsumatorit, pra o do të ulë fitimin e biznesit që ai do ta mbyllë ose do të rrisë çmimin dhe konsumatori nuk do të shkoje më të blejë. Në të dy mënyrat biznesi shkon drejt falimentimit. Ky është një shërbim që Rama po ua bën oligarkëve, por oligarkët harrojnë diçka faktikisht, se ata mendojnë që një pjesë e produkteve të tyre, e produkteve që shiten në treg, nuk do të shkojnë më tek bizneset e vogla por do të shkojnë në qendrat e mëdha të tyre, në supermarketet e tyre të mëdha. Por, ka një problem. Këtu nuk është problemi që njerëzit janë nisur drejt bizneseve të vogla, këtu problemi është se ka rënë konsumi. Shqiptarët nuk konsumojnë më, pasi ata janë më të varfër”, tha ajo.

Oligarkët
Gjatë intervistës së saj për TPZ.AL Kryemadhi e akuzon kryeministrin Edi Rama si të lidhur me oligarkët, por pa përmendur emra konkretë, ndërsa la të nënkuptohet se tashmë dihen kush janë emrat jo vetëm nga Shqipëria, por edhe Kosova, duke përmendur ata që fshihen pas koncesioneve apo edhe emrat e zv/ministrave të sapoemëruar. “Mjafton që të shikosh listën e gjithë koncesioneve edhe të tenderëve që fitohen, merret vesh se kush është oligarkët; për kë punon populli shqiptarë, qeveria shqiptare. Mjafton të marrësh e të shikosh listën e zëvendësministrave dhe të shikosh të gjithë se ku kanë punuar, dhe për kë kanë shërbyer. Kjo është më se e qartë. Kështu që kemi dhe oligarkët shqiptarë, por edhe oligarkët e Kosovës. Kemi filluar të përfaqësojmë edhe ata tani në Shqipëri. Besoj se, askush nuk e ka harruar historinë e qumështit dhe të miellit në Shqipëri, se si u falimentuan fabrikat e qumështit në Shqipëri për të pasuruar disa biznesmenë, të cilët importonin qumësht nga Serbia, se si po mbyllen fabrikat e miellit në Shqipëri dhe sa punëtor dalin pa punë për të favorizuar miellin me proteinë shumë më të ulët që vjen nga Serbia përmes kompanive kosovare”, tha Kryemadhi.

Radarët
Çështja e radarëve ishte një tjetër shqetësim. Kryemadhi hodhi akuza të forta ndaj Kryeministrit Edi Rama, se fikja e radarëve në det është skandali më i madh i qeverisë “Rama”, pasi në këtë mënyrë ai me vetëdije ia dhuroi vijën bregdetare krimit. “Skandali më i madh është skandali i radarëve. Radarët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme të Policisë Shtetit, të cilët vendosen ruajtjen e bregut detar, janë radarët të cilët, qeveria shqiptare ka investuar mbi 70-80 milion euro. Këto radarë i kanë shërbyer krimit të organizuar, kontrollit të gjithë sipërfaqes së detit. Pra pas vitit 2015, në 2016 radarët nuk janë ndezur në asnjë moment. Kur është kulmi i transportit, i lëvizjes së drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Ndërkohë që ne kishim dy vjet që i binim kambanës alarmit për kapjen e shtetit nga krimi i organizuar. Ndërkombëtarët buzëqeshnin kur ne e thoshim këtë gjë, buzëqeshnin edhe për të vetmen arsye se ambasadorët vijnë dhe ikin. Nuk është se janë ata që do rrisin fëmijët e tyre këtu. Ata që do të ndërtojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre në vendin e tyre. Shqipëria nuk është vendi i as Donald Lusë, as i Vlahutinit, as i ambasadorit italian, as i ambasadorit francez, as i ambasadorit gjerman, etj.. Shqipëria është një vend i shqiptarëve”, tha ajo.

E pyetur, se përse ajo nuk ka preferuar një karrierë më të lartë politike në krahasim me bashkëshortin e saj Ilir Meta, por e ka marrë drejtimin e LSI, pikërisht tani që është në opozitë, Kryemadhi tha: “Privilegji më i madh i imi në radhë të parë janë fëmijët, e pastaj vjen e gjithë rrethi im shoqëror”. “Pra, që në angazhimin tim politik, rrethi im shoqëror, miqtë, shokët, shoqet kanë qenë një privilegj, një mundësi shumë e madhe për tu rritur profesionalisht, por nga ana tjetër për tu rritur politikisht. Por nëse do ta shikojmë në aspektin siç e shikoni ju në këndvështrimin gazetaresk, mund të them që në parajsë mund të kem një vend më të mirë se Ilir Meta”, përfundoi kryetarja e LSI-së.

Intervistoi tpz.al
Sigal