Opozita paralizon qarkullimin për 60 minuta

499
Zhvillohet tërësisht paqësore dhe pa incidente protesta për bllokimin e akseve kryesore kombëtare

Opozita bllokoi dje për 60 minuta pesë akse rrugore kombëtare, nga ora 11 deri më 12, si pjesë e protestës së saj, e cila vazhdon prej më shumë se dy muajsh për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe formimin e një qeverie teknike. Policia nuk kishte dhënë leje për zhvillimin e protestave, megjithatë ajo nuk ndërhyri. Opozita kishte zgjedhur 5 pika kyçe të qarkullimit në vend, për të lënë shenjë me formën e re të protestës së saj, të nisur që më 18 shkurt para kryeministrisë. Grupet e mbështetësve u mblodhën në një nga rreth rrotullimet e aksit jugor, pranë Lushnjës në Plug, në Veri pranë rreth rrotullimit të Milotit, ku bashkohen rrugët që vijnë nga Shkodra dhe Kukësi drejt kryeqytetit, në Elbasan, në rrethrrotullimin e Bradasheshit, në aksin kryesor që lidh juglindjen e vendit me Tiranën, si dhe në dy rrugët kryesore të hyrjes në kryeqytet.

Protesta nisi në orën e paracaktuar dhe zgjati 60 minuta, aq sa ishte njoftuar. Kryetari demokrat Lulzim Basha iu bashkua protesta në një nga pikat e bllokuara në kryeqytet, pranë sheshit “Shqiponja”. I shoqëruar nga bashkëshortja ai qëndroi ulur në rrugë deri në mbylljen e protestës. Në zonat e tjera ishin të pranishëm deputetë të ndryshëm të opozitës.

Policia shqiptare nuk kishte dhënë leje për bllokimin e rrugëve, duke paralajmëruar ndëshkimin e organizatorëve dhe pjesëmarrësve. Megjithatë ajo nuk ndërhyri, duke ndjekur në distancë protestuesit, ndërsa u përpoq të lehtësonte trafikun duke e devijuar në disa raste në rrugë dytësore. Gjithçka u zhvillua paqësisht dhe pa asnjë incident, ndërsa protestuesit kënduan edhe himnin kombëtar.

Në përfundim të protestës, Basha rikonfirmoi dhe një herë kushtet e opozitës “për zgjedhje të lira dhe të ndershme, me një qeveri teknike, e cila do të largojë kriminelët nga institucionet, sipas ligjit të dekriminalizimit, që do të luftojë me të vërtetë drogën dhe paratë e drogës, që do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përfshirë votimin biometrik dhe numërimin elektronik të votës së çdo shqiptari e çdo shqiptareje dhe, menjëherë pas kësaj, votimin dhe zbatimin e vetingut dhe reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese dhe marrëveshjes politike të 22 korrikut”.

Opozita e bashkuar ka deklaruar, se protesta e saj do të vijë duke u përshkallëzuar dhe se nuk do të ketë tërheqje. Këtë e ripërsëriti sërish Basha kur tha se “ky është një paralajmërim se vendosmëria e kësaj lëvizje popullore, e këtij bashkimi qytetar është e pathyeshme për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.

Protesta u zhvillua 24 orë para mbërritjes në Tiranë të një misioni të Parlamentit Evropian, i përbërë nga David McAllister, kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme, dhe relatori për Shqipërinë, Knut Fleckenstein. McAllister është njëkohësisht dhe zëvendëspresidenti i Partive Popullore Evropiane (PPE), familjes së qendrës së djathtë, ku bën pjesë dhe Partia Demokratike. Të dy eurodeputetët do të tentojnë ndërmjetësimin e një zgjidhjeje të krizës politikës. Opozita ka bojkotuar Parlamentin, duke bllokuar për pasojë dhe zbatimin e reformës në drejtësi, ndërsa nuk është regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit dhe afati tanimë ka kaluar.

Basha: Paralajmërim për vendosmërinë e lëvizjes
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh se opozita është e vendosur për të mos ia dorëzuar lirinë tiranisë së krimit e korrupsionit. “Jemi të bashkuar në këtë lëvizje kombëtare dhe evropiane, të bashkuar në vendosmërinë tonë për të mos ia dorëzuar Shqipërinë, krimit dhe drogës, për të mos ia dorëzuar lirinë tonë, tiranisë së korrupsionit dhe të krimit në pushtet, por të përbashkuar, siç jemi bashkuar, qindra mijëra shqiptarë, miliona shqiptarë nga jugu në veri, nga lindja në perëndim; për zgjedhje të lira dhe të ndershme, me një qeveri teknike, e cila do të largojë kriminelët nga institucionet, sipas ligjit të dekriminalizimit, që do të luftojë me të vërtetë drogën dhe paratë e drogës, që do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përfshirë votimin biometrik dhe numërimin elektronik të votës së çdo shqiptari e çdo shqiptareje dhe, menjëherë pas kësaj, votimin dhe zbatimin e vetingut dhe reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese dhe marrëveshjes politike të 22 korrikut”, u shpreh Basha, në deklarimin e tij pas protestës. Ai tha se ky është një paralajmërim se vendosmëria e kësaj lëvizje popullore, e këtij bashkimi qytetar është e pathyeshme për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Sigal