Oficeri i policisë: 90 për qind e “të fortëve” lëvizin në mes të ditës me armë dhe makina të blinduara

55

 Oficeri i policisë:
Nuk ka kurajë njeri t’i ndalojë, lëre çfarë thotë ministri Tahiri

Maksim TUFA

 

Deklarata e Ministrit
të Brendshëm Saimir Tahirit, sipas të cilit “Policia e Shtetit ka gati strategjinë
e mbledhjes së mijëra armëve, të cilat sot gjenden në duart e shqiptarëve”,
duket se u prit fillimisht mirë nga opinion publik, kryesisht nga shtresat e
thjeshta të popullatës. Shumica e qytetarëve e pritën disi me entuziazëm
deklaratën dhe thirrjen e ministrit  Tahiri,
por ata që qeshën dhe u tallën me atë ishin natyrisht “të fortët”, elementët
kriminalë, trafikantët, dhe shtresa më e inkriminuar e shoqërisë shqiptare, e
cila për fatin e keq, sa vjen dhe zgjerohet. Zgjerohen grupet kriminale,
zgjerohen klanet kriminale, zgjerohet harta e veprimtarisë së tyre, zgjerohet
harta e bizneseve të tyre, e lidhjeve të tyre me segmente të pushtetit,
qeverisjes, drejtësisë, etj. Kjo shtresë natyrisht ka qeshur me deklaratën e
ministrit iniciator, qeshën pasi në momentin e deklaratës në shkallë vendi
ndodhën 3-4 vrasje, 4-5 plagosje dhe dhjetëra presione pikërisht me armë.
Qeshën elementët kriminalë me ministrin, sepse mbi 90 për qind e tyre sot ditën
me diell, mbajnë armë të lehta dhe të rënda në makinat e tyre dhe nuk lëvizin
hapin pa ato. Por në siklet u gjendën edhe policët e thjeshtë, shefat e
policisë dhe drejtuesit, të cilët e dinë fare mirë, se kontrollet dhe
rraprezaljet, do t’u bëhen në makina dhe banesa vetëm qytetarëve të thjeshtë,
vetëm fakirëve, ndonjë hallexhiu, ndonjë burri të thyer në moshë, ndonjë
fshatari që e ka një veturë, dhe që dridhet sapo shikon postobllokun e
uniformave blu, por kurrsesi kontrolli nuk do tu bëhet në makina dhe banesa “të
fortëve”, atyre që njihen me nofka dhe epitete, dhe që deri sot nuk ka guxuar
asnjë prej policëve dhe uniformave të tjera të shtetit, tu kontrollojë dhe as
tu ndalojë tek ecin të kapardisur majë automjeteve 50 apo 100 mijë euroshe. Një
oficer policie që shërben prej 2 vitesh në Komisariatin e Elbasanit, i emëruar
atje për hir të së vërtetës nga ‘Rilindja’ u shpreh se “lëre çfarë deklaron
ministri, nuk ka kurajë asnjë nga policët e thjeshtë dhe nga ne, të ndalojë
emrat e ‘njohur’ në pothuajse të gjitha qytetet, pasi ata kanë lidhje deri
lart, ata të emërojnë, ata të shkarkojnë. Ndaj them, se kontrollet dhe
presionet do të bien vetëm mbi qytetarët e thjeshtë, mbi ata që veç automjetit
kanë edhe ndonjë dymijë lekësh në xhep, kurse pjesa tjetër ecin si të duan,
ndalojnë kur të duan, paguajnë kur të duan dhe këtë e di fare mirë edhe
ministri”.  Oficeri i policisë, (dhe si
ai ka me dhjetëra të tillë që kanë mbushur sot komisariatet dhe drejtoritë në
rrethe) duke mos e komentuar gjatë deklaratën e ministrit, e cila pritet të
kthehet në urdhër për gjithë efektivat, tha se “çfarë duhet të bëjmë ne dhe si
mund të mbledhim ne armët që tek disa janë sheshit, pra tek “të fortët” gjenden
nën sediliet e makinave, apo shumica e tyre i mbajnë edhe në brez, kur ata
puthen me deputetin, puthen me shefat dhe drejtuesit tanë, kur ata mbajnë me
para fushatat elektorale, kur ata sponsorizojnë dëshirat dhe kapriçot e
qeveritarëve, kur ata janë ortakë me kollaret e piramidës, ndaj them se ky
aksion është ndoshta për bujë elektorale, dhe qysh tani mbetet një iniciativë e
dështuar, pas të cilës ndoshta priten të ikin të padëshiruarit e drejtorëve dhe
ministrit”. Ndoshta Tahirit nuk do ti duhej shumë iniciativa e “mbledhjes së
armëve” tek popullata, se sa një aksion i vërtetë policor për të çarmatosur ata
që çdo drejtori policie në qarqe, i ka të skeduar si elementë kriminalë dhe
trafikantë, pasi armët e vërteta (dhe jo imagjinare) gjenden pikërisht në
duart, makinat dhe banesat e tyre, dhe të qytetarëve të thjeshtë. Ndoshta
pastaj, ai do të bëhej më i besueshëm dhe çdo deklaratë tjetër e tij do të
merrej vërtetë seriozisht.