Deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi është shprehur se propozimi i Ramës për emërimin e Gent Cakajt në postin e ministrit të Jashtëm, nuk është në interes kombëtar. Sipas tij, Shqipëria nuk e ka luksin që të përfaqësohet nga një ministër i ri në moshë.

“Ka marrë një tezë që është një tezë serbe. Shqipëria nuk e ka luksin të kemi një ministër të ri në moshë. Një njeri që është krejtësisht i pavotuar nga elektorati. Ndërhyrja e Presidentit është që të shkojmë në një hulli. Edi Ramës i është prishur një plan i rëndësishem. Ka një plan të rëndësishëm që nuk është në përputhje me interesin kombëtar shqiptar apo kosovar. Theksoj se çdo lloj rishikimi kufijsh është në dëm të shqiptarëve. Në Kosovë është dominate qëndrimi kundër kësaj ideje që është në qëndrim të Serbisë. Nuk është ai i pastrimit gjatë linjave etnike”, tha Bylykbashi i ftuar në “Mbrëmja ABC”.

Ndërsa më herët Presidenti Meta refuzoi propozimin e Kryeministrit për emërimin e Gent Cakajt Ministër të Jashtëm. Sipas Kreut të Shtetit gjatë ushtrimit të detyrës si zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme ka dëshmuar jo vetëm mungesë përvoje, por për çështje thelbësore të politikës rajonale ka mbajtur qendrime të papranueshme madje të rrezikshme. “Qëndrimet e tij publike në kontekstin e debatit për të ashtuquajturin korrigjim të kufijve të Kosovës e Serbisë por edhe të Ballkanit Perëndimor janë në kundërshtim të plotë me programin e qeverisë aktuale për politikën e jashtme dhe shtjellimin e saj nga Ministria e Punëve të Jashtme”.

Duke iu përgjigjur Presidentit Meta, Rama gjatë një pritjeje për trupin diplomatik në Shqipëri, tha se Caka kurrë nuk ka shprehur diçka që bie ndesh me politikën e jashtme të Shqipërisë dhe nuk është shprehur për ndryshime kufijsh në Ballkan. “Ai kurrë nuk ka shprehur diçka që bie ndesh me politikën tonë të jashtme. Kush e thotë këtë, ose është keqdashës, ose keqlexues, ose të dyja bashkë, ose edhe më keq akoma. Ai kurrë nuk ka predikuar ndryshime kufijsh në Ballkan dhe as ka marrë përsipër të ndërhyjë ndonjëherë në një çështje si ajo mes Kosovës dhe Serbisë që i takon lidershipit demokratiksiht të zgjedhur të Kosovës dhe popullit shqiptar që jeton në Kosovë.