Nuland: Amerikanët e shqiptarët, përjetë bashkë në ditë të mira e të vështria

406
Ndihmës-sekretarja amerikane, Victoria Nuland, duke folur në ceremoninë e nënshkrimit të Paktit të Partneritetit Strategjik SHBA-Shqipëri, theksoi se SHBA-të do ta mbështesin fuqishëm Shqipërinë, duke e shndërruar atë në një urë të rëndësishme të tregut energjetik europian. Gjithashtu ajo tha: “Ndihem e nderuar që jam këtu për të nënshkruar, së bashku me Ministrin Bushati, deklaratën e partneritetit strategjik midis SHBA dhe Shqipërisë, e cila përmbush angazhimin që Sekretari Kerry dhe Kryeministri Rama i bënë njëri-tjetrit gjatë samitit të NATO-s në Uells në shtator, për ta çuar marrëdhënien tonë në nivele të mëtejshme. Kjo ngjarje e veçantë përforcon lidhjen e ngushtë midis dy kombeve tona. Ne kemi aq shumë të përbashkëta – luftën që kemi bërë për pavarësi, dashurinë që kemi për lirinë dhe demokracinë, respektin për dinjitetin njerëzor dhe rrënjët tona të thella në histori”. Shqipëria ka përparuar shumë që nga 1991 kur ne rivendosëm marrëdhëniet tona dhe SHBA mbështetën me krenari udhëtimin e parë të Shqipërisë drejt NATO-s në 2009-ën, si dhe tani, ndërsa kërkon të hyjë në Bashkimin Europian. Gjatë këtij rrugëtimi, Shqipëria ka dhënë kontribute të mëdha në sigurinë rajonale dhe globale në Kosovë, Afganistan, së bashku me ne në Irak, duke dhënë ndihmesën e saj në Fondin e Mbrojtjes Kibernetike NATO-Ukrainë dhe në paketën e NATO-s për Gjeorgjinë. Shqipëria po përparon gjithashtu në Europë me ekonominë e saj dinamike, duke e rritur prodhimin e brendshëm me 3,4% që nga 2008. E di që Ministri i Jashtëm dhe Kryeministri kërkojnë më shumë. Ne po punojmë së bashku për të nisur tregtinë dhe investimet midis Shqipërisë dhe SHBA. Kjo është një pjesë e bashkëpunimit tonë. Sot, Ministri i Jashtëm dhe Sekretari i Shtetit biseduan gjatë edhe për sigurinë energjitike. Shqipëria ka një rol të rëndësishëm edhe këtu. Dhe ndërsa Shqipëria zhvillohet, SHBA janë pranë saj, duke dhënë ndihmë në reformën e sistemit të drejtësisë dhe gjyqësor; duke bashkëpunuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; duke ndihmuar dhe forcuar qeverinë vendore dhe administratën publike; ashtu si edhe e përmenda më parë, duke rritur investimet dhe duke e kthyer Shqipërinë në një urë të tregut energjitik për Europën, sidomos në gazsjellësin Trans-Atlantik. Ashtu siç edhe thashë më parë, bashkëpunimi ynë është edhe global – duke punuar në Afganistan, duke punuar në Irak. Si një aleate e NATO-s, SHBA e dinë që te Shqipëria gjejnë një partner për çdo shqetësim në botë dhe ne e vlerësojmë këtë pa masë. Dhe, sigurisht, lidhjet tona janë edhe midis njerëzve dhe familjeve. Shqiptaro-amerikanët kanë lënë gjurmë në shkencën, teknologjinë dhe kulturën amerikane, që nga Ferid Muradi, fitues i çmimit Nobel për mjekësinë në 1998, tek një nga vëllezërit bluz, Xhon Belushi. Deklarata që ne do të nënshkruajmë sot e thellon dhe forcon bashkëpunimin tonë në një sërë prioritetesh të përbashkëta, përfshirë sigurinë, sundimin e ligjit, energjisë dhe shkëmbimit midis njerëzve. Siç thotë edhe shprehja shqiptare, “miku i mirë njihet në ditë të vështira”, Shqipëria ka qenë mike e SHBA në kohë të vështira dhe në kohë të mira dhe sot, ne e çojmë më tej këtë miqësi nëpërmjet këtij dokumenti që po nënshkruajmë”.
Sigal