Një ditë punë e OSBE, Tejler: Ndjekim çdo zhvillim të fushatës zgjedhore

570
Zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri janë vetëm 1 javë larg dhe pritshmëria për to është e lartë, si nga aktorët vendas por edhe nga të huajt, sidomos nga OSBE-ODIHR, i cili ndodhet tashmë prej më shumë se 1 muaj në misionin e tij të 13 për të vëzhguar zgjedhjet në Shqipëri.
Shqipëria ishte vendi në të cilin OSBE vëzhgoi për herë të parë në historinë e saj një palë zgjedhje, megjithëse çdo palë zgjedhje në Shqipëri kanë historinë e tyre.
Kreu i misionit për zgjedhjet e 25 qershorit, suedezi Peter Tejler e di këtë dhe ka nisur punën fillimisht për të kuptuar realitetin shqiptar.
Tejler: Ne po fillojmë të kuptojmë realitetin por prapë na duhet të kemi një tablo të plotë për të gjithë vendin. Nuk është vetëm Tirana, ne jemi kudo dhe po fillojmë të kuptojmë realitetin. Na duhet një kuptueshmëri e plotë për të gjithë procesin. Procesi nuk përfshin vetëm atë që po bëjnë politikanët por edhe atë që po bën media, KQZ, etj.
Misioni i OSBE këtë herë është i qartë, asnjë krahasim me zgjedhjet e kaluara dhe zbatim i përpiktë i metodologjisë së vëzhgimit të zgjedhjeve.
Tejler: Ka një metodologji, ne monitorojmë zgjedhjet, KQZ dhe sigurisht gjatë procesit ndodhin gjëra dhe si kjo ishte dhe marrëveshja politike. Ne na duhet t’i hedhim një sy asaj për të parë se çfarë mund të vëzhgojmë më nga afër, legjislacioni për të cilin u ra dakord, megjithëse kemi në të njëjtën kohë edhe kodin elektoral. Pra, këto diskutohen në skuadrën time prej 13 vetash, diskutojmë dhe mundohemi të rifokusohemi për shkak të zhvillimeve të fushatës.
Zyra qendrore e OSBE, e vendosur në Tiranë, për të kontrolluar zbatimin e plotë të ligjit, kryen edhe monitorimin e mediave në një sallë të veçantë.
Andrea Malnati, zëdhënës i misionit: Ne monitorojmë një kampion të medias shqiptare ku përfshihen 5 televizione, një gazetë dhe 3 portale online. Monitorojmë televizionet nga ora 18:00 deri në mesnatë për të parë mbulimin e partive dhe kandidatëve për të parë nëse janë në përputhje me ligjin.
Misioni i OSBE funksionon me 30 vëzhgues afatgjatë dhe 300 vëzhgues afatshkurtër, të cilët do të përcjellin të dhënat nga të gjitha pikat e votimit në Shqipëri, për të përpiluar edhe raportin përfundimtar të këtij misioni, që do të vlejë shumë për certifikimin e zgjedhjeve.
Tejler: Ne kemi vëzhgues afatgjatë në 12 qarqet. Kemi dialog të vazhdueshmë brenda skuadrës sime dhe me vëzhguesit afatgjatë. Ajo që është e rëndësishme për t’u kuptuar se ata zhvillojnë gjithashtu takime me komisionet zonale të administrimit të zgjedhjeve. Ne nuk takohemi vetëm me partitë politike. Ne takohemi me një përfaqësi të gjerë të shoqërisë shqiptare, që mund të jetë KQZ, shoqërinë civile, organizatat, vëzhguesit vendorë, gazetarët. Përpiqemi të kemi një pamje sa më të gjerë të fushatës.
Vëzhguesit afatgjatë tashmë e kanë filluar punën. Nenad Celarevic dhe Cara Stern kanë filluar të vendosin kontaktet me ZAZ e Tiranës për të parë problematikën e tyre dhe përparimin e punës.
Celarevic: Ne si vëzhgues afatgjatë, mbulojmë qarkun e Tiranës duke përfshirë 4 Bashki, Kamzë, Vorë, Kavajë dhe Rrogozhinë. Sot kemi ardhur sepse kemi takimin me kryetarin e ZAZ këtu në Paskuqan.
Stern: Së pari për t’u prezantuar dhe të krijojmë kontakte dhe më pas vijmë edhe herë të tjera për të vëzhguar seancat e mbledhjeve të komisionit dhe për të mësuar përditësimet që ndodhin në proces.
Celarevic: Patëm një diskutim të mirë me anëtarët e ZAZ këtu në Paskuqan për sa i përket përgatitjeve për zgjedhjet.
Pikërisht këta vëzhgues, të cilët do të monitorojnë nga afër të gjitha qendrat e votimit, për këto zgjedhje kanë në dispozicion teknologjinë më të përparuar për të dërguar në kohë reale të gjitha të dhënat përtë nxjerrë përfundime sa më të shpejta
Celarevic: Praktikisht duket si stilolaps i thjeshtë por ka një kamera brenda tij i cili mbledh të dhënat që janë të shkruara në letër. Letra gjithashtu është e printuar në një mënyrë të veçantë.
Një vëzhgues i cili përdor këtë stilolaps, vendos të dhënat në letër, i dërgon të dhënat direkt në telefonat celularë dhe kjo importohet në server dhe më pas statisticienët tanë mund të verifikojnë të dhënat dhe të kenë rezultatet pothuajse në kohë reale
Certifikimi ose jo i zgjedhjeve nga misioni është shumë i rëndësishëm në vendin tonë dhe ndoshta edhe për jetë misioni ka marrë disa akuza nga disa aktorë politikë për anshmëri në këtë proces, dhe këtë kreu i misionit e di mirë dhe prandaj na sugjeron që të mos ngatërrohet prezenca e OSBE me misionin i cili është këtu vetëm për zgjedhjet e 25 qershorit
Tejler: Ky mision është i paanshëm, nuk bën komente përpara kohe. Është e rëndësishme të kuptohet se si punojmë por edhe ndryshimin midis këtij misioni që është këtu për zgjedhjet dhe prezencës së OSBE. I përkasim të njëjtës familje por jemi totalisht të pavarur. Kemi mandat të ndryshëm
Misioni i OSBE për zgjedhjet e 25 qershorit do të presë deri sa të përfundojnë të gjitha ankimimet për rezultatin e zgjedhjeve nëse do të ketë për të përpiluar raportin përfundimtar të tij, i cili është një vlerësim i rëndësishme edhe për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Deri në raportin përfundimtar, misioni do të vëzhgojë gjithë procesin dhe do të nxjerrë edhe një raport të ndërmjetëm për ecurinë e tij.
Sigal