Njazi Jaho: Dekriminalizimi – në përputhje me Kushtetutën dhe Kodet

526
Njazi Jaho, konstitucionalisti i njohur, në intervistën për “Telegraf” shpjegon se termi “dekriminalizim” nuk është term juridik, por politik, ndaj problemi “do të kërkonte një diskutim dhe debat të kujdesshëm, të thelluar, objektiv, transparent, gjithëpërfshirës, si edhe konsensus të gjerë parlamentar”. Sipas konstitucionalistit Njazi Jaho, askush, nuk mund të privohet nga e drejta të zgjidhet, përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë. Edhe për ata që janë dënuar, e kanë kryer dënimin, por janë reabilituar, nuk mund t’u privohet e drejta për t’u zgjedhur. Zoti Jaho thotë se vetëm krimet e luftës dhe kundër Njerëzimit nuk mund të parashkruhen. Ndërsa mund të kufizohen të drejtat dhe liritë e parashikuara në Kushtetutë, sipas nenit 17 të Kushtetutës, por vetëm me ligje dhe vetëm për një interes publik, ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. I pyetur nëse duhet ndryshuar Kushtetuta, Kodi Zgjedhor, Kodi Penal, dhe Kodi i Procedurës Penale për dekriminalizimin, konstitucionisti Jaho përgjigjet që asgjë nuk është tabu, as Kushtetuta, por nuk duhet nxituar, pasi kemi përvojë negative. 
– Zoti Jaho, mbështetur në marrëveshjen maxhoranca-opozitë në funddhjetorin e 2014-s, parlamenti ka krijuar një komision të veçantë, për të përcaktuar modalitetet e hartimit të një projektligji për dekriminalizimin. A mund të shprehni mendim lidhur me këtë marrëveshje dhe punën që duhet të bëjë ky komision?
– Para se t’i përgjigjem pyetjes tuaj, më lejoni të theksoj se marrëveshja është e natyrës politike, me synim që diskutimi në një komision parlamentar, të synojë në arritjen e një projektligji përkatës, që do t’i paraqitet Kuvendit për miratim. E shikoj në nevojshme të përmend se vendi dhe populli në përgjithësi, ndërsa në veçanti zgjedhësit, duan që në Kuvendin e Shqipërisë, në organet e qeverisjes vendore, në sistemin e drejtësisë, në administratën publike, etj, të zgjidhen dhe të emërohen persona të padënuar, të pakorruptuar, të ndershëm dhe me integritet. Sqarime lidhur me këtë çështje unë mund të jap (ose të shprehem) vetëm në aspektin juridik, d.m.th. duke ju referuar legjislacionit në fuqi. Mendoj se ky problem do të kërkonte një diskutim dhe debat të kujdesshëm, të thelluar, objektiv, transparent, gjithëpërfshirës, si edhe konsensus të gjerë parlamentar.
– Ka mendime se ai që ka kryer një krim të rëndë dhe është deklaruar fajtor, me vendim të formës së prerë të gjykatës, të konsiderohet i dënuar tërë jetën dhe të ndjejë, gjithashtu, pasojat e këtij krimi për tërë jetën. Ju ç’mendim keni?
– Edhe pse nuk kam dëgjuar mendime të tilla, të jenë thënë, unë mendoj se janë emocionale, ose, të mosnjohjes së ligjit.
– A mund të kufizohen me ligj të drejtat dhe liritë e parashikuara në Kushtetutë?
– Po, mund të kufizohen, sipas nenit 17 të Kushtetutës, por vetëm me ligje dhe vetëm për një interes publik, ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Por kufizimi duhet të jetë në përpjestim me gjendjen që e ka diktuar atë. Veç kësaj, këto kufizime, nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut ( shikoni për këtë edhe nenin 13 të K E D NJ).
– Për dekriminalizimin është propozuar të ndryshohet Kushtetuta, Kodi Zgjedhor, Kodi Penal, dhe Kodi i Procedurës Penale. A mundeni të shpreheni se çfarë duhet ndryshuar?
– Asgjë nuk është tabu, domethënë, as Kushtetuta, por nxitimi nuk është i rekomanduar, Në këtë drejtim, kemi përvojë negative. Kryesorja është se ende nuk dimë çfarë mendohet të ndryshohet dhe si do të fromulohen këto ndryshime. Kur këto të bëhen të qarta, mund të shprehim ndonjë mendim. 
– Publikisht, më media, lidhur me çështjen e dekriminalizimit, është përmendur edhe shprehja “Rehabilitim”. Ç’mendoni ju për këtë?
– Nëse problemi do të trajtohet në aspektin ligjor, duhet të referohemi nenit 44 të Kushtetutës, ku thuhet: “Kushdo ka të drejtë të rehabilitohet…”. Kodi ynë Penal, siç dihet, bazohet në parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, të barazisë para ligjit, të drejtën në caktimin e fajësisë dhe të humanizmit. Prandaj në Kodin Penal është parashikuar edhe pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë ( neni 59) ndërsa në nenin 66 të Kodit Penal, bëhet fjalë për shuarjen e ndjekjes penale në rastet e parashkrimit të saj, domethënë, të kësaj ndjekjeje.
– A ka krime që nuk parashkruhen?
– Po, ka. Nuk i nënshkrihen parashkrimit të ndjekjes penale krimet e luftës dhe krimet kundër Njerëzimit, (neni 67 i Kodit Penal). 
– Ligjbërësi a ka të drejtë (veç krimieve që parashikon neni 67 i Kodit Penal) të bëjë ndryshime në afatet e parashkrimit?
– Mendoj se po. Natyrisht, duke i motivuar këto ndryshime. 
– Më sipër ju përmendët çështjen e reabilitimit.Ç’duhet kuptuar me rehabilitim?
– Në nenin 69 të Kodit Penal, përmendet rehabilitimi. Në këtë nen thuhet: “Quhen të padënuar personat e dënuar me burgim nëse zgjat një periudhë e caktuar nga koha e vuajtjes të dënimit për 2 vjet, deri në 10 vjet (sipas krimit të kryer) nuk kanë kryer vepër tjetër penale. 
– A mund të privohet nga e drejta për t’u zgjedhur personat që dyshohet për kryerjen e një krimi, që mund të ndiqen edhe penalisht, por ndaj tyre nuk është dhënë vendimi i formës së prerë të gjykatës?
– Sipas legjislacionit tonë, jo, nuk mund të privohen. Këtë e ndalon neni 30 i Kushtetutës tonë, ku thuhet se: “Kushdo quhet i pafajshëm, përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë”. (Këtë mund ta gjejmë edhe në pikën 3 të nenës 6 të KEDNJ). Është e rekomandueshme që subjektet zgjedhore të paraqitin si kandidatë për në Kuvend dhe organet e qeverisjes vendore persona që gëzojnë besimin e njerëzve, që njihen të ndershëm, të papërlyer dhe të pakorruptuar. Kjo është detyrë dhe përgjegjësi i subjekteve përkatës., por edhe vlerësimi dhe përgjegjësi e zgjedhësit. 
– Për një besueshmëri më të madhe ndaj personalve që kandidohen për deputetë, për kryetar bashkie, apo për anëtarë të këshillit bashkiak, a mund të paraqitet vërtetim se ata janë të padënuar? Si mund të bëhet kjo?
– Këtë çështje e vlerëson ligjbërësi. Nëse ai e çmon të nevojshme, kjo shtesë mund të bëhet në Kodin Zgjedhor, qoftë edhe duke miratuar një dispozitë të plotë dhe të qartë tranzitore. 
– Dy muaj na ndajnë nga zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore. A do të miratohet para zgjedhjeve, ligji përkatës për dekriminalizimin?
– Këtë e di dhe e vendos ligjbërësi. 
– Faleminderit!
Sigal