Nishani në Forumin e Biznesit “Rritje të bashkëpunimit ekonomik”

432
Sigal

LJUBJANE – Në kuadër të vizitës së tij në Slloveni, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani së bashku me homologun e tij slloven Borut Pahor morën dje pjesë në hapjen e Forumit të përbashkët të biznesit shqiptaro-slloven, që u zhvillua në Dhomën e Tregtisë së Sllovenisë.

Në fjalën e tij, Presidenti Nishani teksa vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve në nivelin politik, theksoi se ka ende shumë për të bërë sa i përket aspektit ekonomik. Sipas Nishanit duhet më tepër bashkëpunim dhe intensifikim të marrëdhënieve dypalëshe ekonomike.

Në këtë kuadër, kreu i shtetit, ftoi forumin e përbashkët të biznesit shqiptaro-slloven, që të shpeshtohen kontaktet dhe vizitat, ndërsa nënvizoi gatishmërinë e tij për të mbështetur plotësimin e bazës së nevojshme ligjore në fusha prioritare me interes reciprok.

“Me gjithë dëshirën e dy palëve dhe potencialet qё janё në dispozicion, akoma nuk po arrihet ajo çfarë pretendojmë e kemi mundёsi tё bёjmё nё marrëdhëniet e shkëmbimet tona ekonomike. Niveli i këtij bashkëpunim nuk i përgjigjet atij politik. Por, ne kemi vullnetin dhe vendosmërinë për t`i çuar përpara. Ky Forum është shprehje konkrete e këtij përkushtimi. Ai vjen pas Sesionit të Dytë të Komisionit të Përbashkët Ekonomik që u zhvillua në Ljubljanë më 16-17 qershor 2014 dhe që synoi të përcaktojë fushat e këtij bashkëpunimi. Të dyja palët u angazhuan për implementimin e protokollit që u nënshkrua. Mbështes rritjen e kontakteve, vizitave të të gjitha niveleve dhe plotësimin e bazës së nevojshme ligjore në fusha prioritare me interes reciprok si: energjia, infrastruktura, turizmi, bujqësia, transporti, kultura arsimi e shkenca. Ekonomia evropiane dhe, për rrjedhojë, edhe ekonomitë e vendeve të rajonit tonë, kanë filluar të japin shenjat e para të ringjalljes.” theksoi Nishani

Nishani: Shqipëria, kushte të favorshme biznesi
Më tej Presideti Nishani, ftoi sipërmarrësit të investojnë në Shqipëri, duke shtuar se vendi ynë ofron kushte të favorshme biznesi. Nishani theskoi se vendi ynë po bën përmirësime edhe sa i përket kuadrit ligjor, ndërsa e cilësoi Shqipërinë si një portë hyrëse në rajon. Kreu i shtetit u shpreh se Shqipëria ka veç të tjerash edhe një fuqi punëtore konkurruese.

“Tregu shqiptar, ndonëse i vogël, ofron mundësi të shumta falë pasurive të ndryshme natyrore, bukurive të bregdetit dhe maleve tona, kulturës dhe historisë së pasur, traditave dhe mikpritjes së njohur shqiptare. Ne po përmirësojmë infrastrukturën ligjore në favor të investimeve të huaja. Shqipëria është portë hyrëse në rajon, me mundësi lidhjeje dhe komunikimi me të gjithë pjesët e tij. Projektet madhore, si Trans Adriatic Pipeline (TAP) dhe Korridori Adriatiko-Jonian, janë bërë një domosdoshmëri nga pikëpamja, jo vetëm ekonomike, por, edhe gjeostrategjike, veçanërisht pas krizës në Ukrainë. Shqiptarët dhe sllovenët mund ta kuptojnë mirë njëri-tjetrin, sepse janë vende të vogla, me afërsi gjeografike, me histori të vonshme të ngjashme. Në sytë tanë, Sllovenia është shembulli pozitiv për tu ndjekur. Shqipëria ka një fuqi punëtore të re konkurruese, të kualifikuar brenda dhe jashtë vendit. Programet e “fondit të ekselencës” dhe “brain gain” kanë bërë një balancim të admirueshëm të largimit të trurit nga vendi, veçanërisht, në fillim të viteve 90-të. ” tha Presidenti

Nishani: Ballkani, drejt një tregu rajonal konkurues
Duke u ndalur tek zhvillimet në rajon, Presidenti i Republikës, vlerësoi samitin e Berlinit të mbajtur në gusht me iniciativë të kancelares gjermane Angela Merkel, ndërsa e cilësoi si një provë të bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit, si dhe një provë e përkushtimit të Bashkimit Europian ndaj politikës së zgjerimit.

Kjo frymë e re sipas Nishanit do ta shndërrojë Ballkanin në një treg rajonal konkurrues në kuptimin gjeoekonomik.

“Më 28 gusht 2014, kryeministrat e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Kroacisë e Sllovenisë, u mblodhën në Berlin, me nismën e Kancelares gjermane Angela Merkel. Takimi i Presidentëve, në të njëjtin format, në kuadër të Procesit të Brdo-Brijunit, ku morën bekimin e parë projekte të rëndësishme rajonale dhe më gjerë, është pararendës i Takimit të Berlinit. Ai është provë e përkushtimit të fortë të Bashkimit Evropian ndaj politikës së zgjerimit dhe është një test i seriozitetit tonë për bashkëpunimin rajonal dhe reformat e integrimit. Berlini përbën një pikë kthesë në avancimin e zhvillimit dhe prosperitetit rajonal, nëpërmjet zbatimit të projekteve madhore rajonale dhe më gjerë; të infrastrukturës, energjisë, transportit të naftës dhe gazit, turizmit, etj, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Kemi mundësinë, që nuk duhet dhe nuk do ta humbasim, për ta shndërruar Ballkanin Perëndimor nga një rajon në kuptimin gjeografik, në një treg rajonal konkurrues në kuptimin gjeoekonomik.” u shpreh Nishani

Në fund të fjalës së tij, Bujar Nishani vlerësoi përpjekjet e qeverisë për planin ekonomik, të cilin e cilësoi ambicioz, si dhe vullnetin për të reformuar administratën, luftën ndaj korrupsionit, dhe reformën në drejtësi.

“Klima miqësore ndaj biznesit ekziston dhe konsolidohet vazhdimisht. Besimin tim e mbështes te Plani Ekonomik ambicioz i Qeverisë dhe përpjekjet për të reformuar administratën në përgjithësi dhe atë fiskale në veçanti, në aftësinë e institucioneve për të luftuar informalitetin dhe korrupsionin, tek hapat e ndërmarra për një kualifikim më të mirë të forcës punëtore në përputhje me standardet e BE-së. Ne po reformojmë drejtësinë, përmes një procesi transparent, të bazuar në profesionalizëm dhe që synon ta ruajë atë nga presionet politike dhe nga grupet e interesit, me qëllim që ta bëjë më efikase në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Me Presidentin Pahor konstatuam vullnetin e fortë politik në të dyja vendet tona për të mbështetur dhe inkurajuar intensifikimin dhe shumëllojshmërinë e bashkëpunimit shumëplanësh ndërmjet Shqipërisë dhe Sllovenisë. Tani, fjalën e keni ju, njerëzit e biznesit. Suksesi juaj do të thotë më shumë punë dhe standarde më të mira jetese për qytetarët.” përfundoi kreu i shtetit.

Presidenti Nishani prej dy ditësh ndodhet në Slloveni, ku gjatë kësaj vizite, u takua me krerët më të lartë të shtetit slloven, mes të cilëve homologun e tij Borut Pahor, kryeministrin Miro Cerar dhe kreun e Kuvendit Milan Brglez. Po ashtu dje Presidenti zhvilloi një takim edhe me komunitetin shqiptar në Slloveni.