Nishani mbi shtyrjen e zgjedhjeve në Kavajë: Të vijojë dialogu

472
Tërheqjen e kandidatit socialist në zgjedhjet e parakohshme lokale për qytetin e Kavajës, të njoftuar nga kryeministri Rama vetëm pak minuta më herët përmes një konference për shtyp, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani e ka vlerësuar si një mundësi të radhës për të vijuar dialogun politik mes palëve.
Edhe pse dy tryezat e para të ftuara nga presidenti Nishani, duke vënë përballë njëri-tjetrit kryeministrin Rama dhe kreun e opozitës Basha, kanë dështuar në arritjen e një marrëveshjeje politike për t’i dhënë fund krizës politike në vend, Nishani vijon të nxisë mbajtjen hapur në vijimësi të dialogut mes palëve.
Ndërkohë, pak orë më parë, Basha kishte folur për atë që e kishte quajtur si “marshim të ushtrisë paqësore” në Kavajë, protestën në stacionin e parë të betejës finale sipas tij.
Reagimin e parë nga kampi i opozitës e ka bërë ish-kryeministri Sali Berisha.
“Fitoi Kavaja! Fitoi Shqipëria!” e nis statusin e tij në rrjetin social “Facebook” ish-kreu i PD-së, i cili shton më tej se “Kavaja mposhti Noriegën, që për karrigen e tij mbi drogën dhe krimin, do të asgjësojë votën e lirë dhe pluralizmin politik”. “Rroftë Çadra e Lirisë dhe revolucioni demokratik! Fitore!”, mbyllet statusi i Berishës.
Sigal