Në oborret e PD dhe PS, nisin pazaret me listat e kandidatëve për 61 bashkitë

517
Katër ditë më parë, gazeta “Telegraf” publikoi një listë me emrat e kandidaturave që kanë piketuar paraprakisht dy partitë politike PD e PS (pjesa kryesore e koalicionit), të cilat, pas seleksionimit, do të paraqesin nga 1 kandidat në garën për postin e kryetarit, në secilën prej 61 bashkive. Këto lista, janë hartuar nga strukturat e degëve të PD e PS në qytete. Janë seleksionuar nga degët e partive në rrethe, ku sipas informacioneve, rolin e përzgjedhësit dhe seleksionuesit e kanë pasur deputetët. Në zona, thonë se deputetët kanë qenë “sekserët” e listave, brenda të cilave ka nga 1-2 emra preferencialë, të caktuar privatisht e ilegalisht prej tyre, pa miratimin e strukturave të partive në rrethe. Prej andej, listat e përzgjedhura janë dërguar në kupolat qendrore të PD e PS, ku do të vendoset, se cilët do të jenë 61 emrat që do të përballen mes dy koalicioneve, për të fituar të drejtën e qeverisjes lokale në çdo zonë. Këto 61 emra, ende nuk janë shpallur zyrtarisht pranë KQZ-së, prej asnjë partie. Prej 20 ditësh, listat me emra gjenden në tavolinat e kryesive të PD e PS dhe po “përpunohen”. Sipas burimeve të “Telegraf”, listat emërore kanë krijuar debate e grindje të ashpra brenda strukturave të dy partive kryesore PD e PS, me pasojë konflikte të ashpra në nivele të tilla, si:
– Bazë partie-qendër partie
– Deputetë-qendër partie
– Bazë partie -deputetë
– Deputetë-deputetë
– Kryesi qendrore-deputetë
– Kryetarë partie-kryesi partie
– Kryesi rrethi-anëtarësi
– Kryesi rrethi-kryesi qendrore
– Anëtarësi-të deleguar qendre
– Ndarje në grupe të anëtarësisë
Klientelizmi i deputetëve dhe shpërfillja e strukturave, shkak i konflikteve
Shkaku i këtyre konflikteve është skema preferenciale klienteliste, korruptive dhe procesi i propozimit, përzgjedhjes e seleksionimit që po u bëhet kandidaturave në PD e PS. Anëtarë e të zgjedhur të PD-PS në rrethe dhe të eliminuar nga kandidimi, deklarojnë se propozimet dhe përzgjedhja e emrave është bërë me afera të pista e preferenciale të deputetëve, me prapaskena e urdhra prej të deleguarve qendrorë në zona, me votime klanesh brenda kupolave të partive në bazë, me presione prej “të fortëve” të zonave që kanë kontrollin edhe ndaj deputetëve, me preferenca të “anëtarëve të byrove politike” të PD e PS në qendër. Po cilët emra, janë dërguar për seleksionim e miratim, në kryesitë qendrore të PD e PS? Nëse shikon listën emërore të kandidaturave të propozuara nga strukturat e PD dhe të PS në zona, konstaton fakte, që tregojnë se kupolat e degëve të PD e PS në rrethe e në qendër, nuk po heqin dorë nga klientelizmi, nga synimi për drejtim fisnor të pushtetit vendor, nga grupazhet dhe interesat për të caktuar në krye të bashkive ata që u duhen për të sunduar dhe shfrytëzuar privatisht pushtetin lokal. Nga investigimi që ka bërë Gazeta “Telegraf” në qytetet e 40 bashkive të reja, ka konstatuar se në këto zgjedhje vendore, brenda strukturave politike të degëve të PD e PS në rrethe e qytete, ka shpërthyer një luftë e ashpër për të piketuar emrat e atyre që do të kandidojnë. Nga bisedat e bëra, evidentohet fakti që lufta e ashpër për emrat e kandidatëve, nuk ka asnjë lidhje “me merakun” për të qeverisur punët e zonës, por me synimin për të uzurpuar kolltukët e bashkive, tashmë “pashallëqe” më të mëdha në popullsi, territor e financime. 
Në 1162 emrat e propozuar nga PD-PS, janë vetëm… 19 femra (1.7%)!
As në procesin përzgjedhës të kandidaturave nga baza e partisë, nuk u bë realitet “përbetimi” i krerëve të PD e PS, për barazinë gjinore në zgjedhjet vendore. Po të shikosh listat e propozuara nga këto dy parti, konstaton se femrat janë në numër simbolik. Ato janë propozuar nga degët e PD e PS vetëm në disa zona, madje ka edhe qarqe, rrethe e qytete, ku nuk janë propozuar kandidate femra. Ato mungojnë në listat e propozimeve në 51 bashki. Të vetmen provë të plotë për kandidime femrash e ka dhënë PS e Vlorës, duke kandiduar të parat në listë, dy drejtueset Brunilda Mersini e Etjona Hoxha. E po kështu PS e Tiranës, me kandidimin e Albana Dhimitrit e Lindita Nikollës, si dhe PS e Shkodrës me kandidimin e Keti Bazhdarit, PS e Burrelit me Adelina Farricin… Por vetëm kaq, mbasi në zona të tjera si Fieri, Durrësi, Korça, Kavaja, Tepelena, Kolonja, Përmeti, Saranda, Tropoja, Rrësheni, Peshkopia, Elbasani, Kurbini, Divjaka, Gramshi etj., nuk figuron asnjë emër femre! E po kështu edhe në listat e PD e cila në Shkodër ka propozuar vetëm 11… meshkuj! Por atë, që nuk e ka bërë PD e Shkodrës e ka bërë PD-ja në Malësi të Madhe, duke kandiduar 1 femër (Mimoza Rexhvelaj). Rekord i mos-kandidimit të femrave është PD e Elbasanit me 6 emra meshkujsh dhe PD e Librazhdit me 5 të tillë. E po kështu degët e PD në Berat, Kuçovë, Pogradec, Rrëshen, Librazhd, Gramsh, Kukës, Tropojë, Peshkopi, Kavajë, Fier, Tepelenë, Memaliaj (5 meshkuj), Lushnje, Lezhë, Burrel, Bulqizë, Gjirokastër, Vlorë etj. Jemi përballë këtij fakti: Në listat e propozuara prej PD e PS, figurojnë 1162 emra kandidatësh, por janë vetëm… 19 femra të propozuara nga bazat e partive si kandidate, ose vetëm 1.7% e numrit të kandidaturave të propozuara!
Kolltukëve të 61 bashkive u janë vërsulur 216 “agallarë” bashkish e komunash
Në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave, bie në sy fakti që kolltukëve të 61 bashkive, u janë vërsulur edhe 1173 ish-drejtorë e drejtorë aktualë, ish-kryetar e kryetarë aktualë të pushtetit lokalë, me ëndrrën për t’u bërë kryetarë të zonave të reja të qeverisjes vendore. Nga këta, 472 janë futur në listat e propozuara nga strukturat e PD dhe PS, dërguar në qendër si emrat më të “mundshëm për fitore”, por që do të seleksionohen e do të mbetet vetëm nga 1 kandidaturë për çdo bashki. Në listat që kanë propozuar PD e PS në qendër, janë futur edhe 216 kryetarë aktualë të komunave e bashkive. Këta janë gjendur përballë sulmit të anëtarësisë në rrethe, për të mos kandiduar më, por kanë qenë strukturat drejtuese, deputetët e zonave dhe “fermanët” e shefave politikë të PD e PS në qendër, që kanë hapur rrugën e tyre, për t’i futur në listat e emrave të përzgjedhur. Dukuri e veçantë e “ofensivës” së 216 kryetarëve të bashkive e komunave për të “kapur” edhe kolltukët e bashkive të reja është kjo: në zonat ku janë bashkuar nga 3-4 komuna e bashki në një bashki të vetme, kërkojnë të kandidojnë edhe 216 emrat, ose 65 % e kryetarëve aktualë. Mes krerëve aktualë që janë futur në lista e që presin seleksionimin, ka nisur një betejë e fortë bërrylash, klanesh politike, krahinore, aferash financiare të “bosët e partive” e deri betejë presionesh fizike. 
Babëzia/ 80% e emrave në listat PD-PS, ish-shtetarë lokalë e qendror
Mjafton të lexosh listën e emrave të përzgjedhur prej PD e PS, paraqitur për të qenë kandidatët e mundshëm për kolltukët e 61 bashkive dhe konstaton, se afro 80% janë ish-“agallarë” pushtetesh politike e ekzekutive të 23 viteve të fundit. Në lista e PD e PS, ka emra ish-drejtorësh të përjetshëm ndërmarrjesh, shkollash, institucionesh e shërbimesh publike në rrethe dhe qarqe. Ka ish-prefektë e zv/prefektë, ka ish-deputetë, ka kryetarë e ish-kryetarë të degëve të partive. Ka këshilltarë bashkish e komunash prej 23 vitesh në këto funksione. Afro 40% e atyre që janë futur në listat e PD e PS, rezulton se në 23 vitet e fundit kanë qenë nga 1, 2 e 3 herë kryetarë komunash e bashkish. Ka nga ata individë, të cilët kanë qenë nga 3 herë drejtues në shkolla, dogana, porte, spitale, pyjore, KESH, CEZ, naftë, zyra pune, hipoteka, përmbarim, noteri, avokati, kulturë, juristë, polici, burgje, ushtri, sigurime shoqërore, tatime, drejtori rruge, ujësjellës e kudo, duke mbushur institucionet me gra, dhëndurë, motra, vëllezër, nipër, mbesa, fise e krushqi. Brenda listave të kandidatëve, ka emra të cilët kanë qenë nga 2 herë kryetarë partie në mandate pushteti dhe kanë bërë “tregti” me vendet e punës ne zona, me tenderët, licencat. Janë individë, të cilët prej 23 vitesh nuk kanë pasur asnjë shkëputje me pushtetin politik e ekzekutiv, as në pozitë dhe as në opozitë. Afro 60% e kësaj liste ish-“agallarësh” të përjetshëm pushteti e politike, janë “majmur” me pushtetin që kanë pasur e përdorur privatisht, duke ndërtuar “saraje” e biznese në zona e jashtë tyre, kanë shkolluar fëmijët deri në SHBA, Angli e Australi. E këta, gjenden përsëri në listat e preferuara të partive, për të qeverisur pushtetin e ri lokal!!! Janë futur në këto lista edhe me “çek”, edhe me klane edhe me diktate prej degëve të partive në rrethe, prej deputetëve e prej “të fortëve” të zonave.
Në lista, 289 emra të lidhur me botën e krimit
Në listat e kandidaturave që kanë paraqitur PD e PS, ndesh emra drejtuesish aktualë, ish-drejtuesish e individësh të penalizuar për abuzime me detyrën, por edhe të lidhur me botën e krimit. Nga evidentimi i bërë, rezulton se 45% e drejtuesve aktualë lokalë kryetarë komunash, bashkie e institucionesh, që janë listuar për kandidim prej PD e PS, janë persona me precedentë penalë, janë zyrtarë të ndëshkuar nga drejtësia dhe institucionet ligj-zbatuese, për abuzime me detyrën, për vjedhje fondesh publike dhe fshehje të krimit. Po kështu, ka të propozuar edhe emra drejtuesish e ish-drejtuesish që janë të lidhur me botën e krimit. Kryesitë e dy partive, i kanë të “skeduar” emrat e propozuar të cilët kanë lidhje me botën e krimit e që janë të penalizuar. “Dosjet” e tyre janë dërguar edhe nga zonat prej anëtarësisë dhe prej emrave të eliminuar nga gara brenda partive. Por ata janë futur e tashmë gjenden në listat e përzgjedhura të propozimeve si kandidatë për kryetarë bashkie. Por mund të ndodh (siç ka ndodhur deri sot) që prej lidhjeve të tyre familjare, fisnore e kriminale me krerë të politikës në qendër, ata mund të përcaktohen e të shpallen kandidatë garues për bashkitë. Dhe ndodh, ajo që ka ndodhur në 25 vjet, që edhe pushteti i ri vendor, të futet në “kthetrat” e individëve të inkriminuar! Kjo do të ishte një shpërfillje ndaj rekomandimeve të BE e SHBA, për të pastruar politikën dhe shtetin nga zyrtarët e inkriminuar. Procesi i përzgjedhjes së kandidaturave për pushtetin lokal është një mundësi e plotë për seleksionimin e tyre. Nuk e dimë, nëse qendra e PD dhe PS, do të bëjnë këtë “dekriminalizim”, por dimë faktin, që në listat e kandidaturave të propozuara prej strukturave të PS, janë emrat e 121 zyrtarëve, drejtuesve e individëve të inkriminuar, ndërsa në listat e PD janë emrat e 168 zyrtarëve, drejtuesve e individëve të penalizuar e të lidhur me botën e krimit.
Box
Denoncimi publik/ 42% e kandidatëve të propozuar, me diploma false
Pas botimit të listës së emrave të dërguar në kryesitë e PD e PS, në gazetën “Telegraf” vërshuan denoncimet elektronike, telefonike e me letra, kundër atyre që janë futur në listat e kandidatëve të propozuar nga dy partitë politike. Sipas informacioneve të ardhura, rezulton se 42% e të propozuarve nga PD e PS janë me diploma universitare false. Madje denoncuesit, japin edhe detaje konkrete për secilin, se sa ku dhe sa vite klasë fillore, 8-vjeçare e të mesme kanë kryer dhe se në cilin gjimnaz e ka blerë dëftesën e shkollës mesme. Japin detaje, se në cilin vit e në cilin universitet shtetëror, apo privat e ka blerë diplomën e universitetit, dhe për cilin profil e ka falsifikuar diplomën e shkollës së lartë, që ka paraqitur kur është emëruar drejtor, nëpunës, prefekt, doganier, kryepolicë, jurist në institucione, apo kur është kandiduar për kryetarë komune, bashkie e këshill qarku. Në denoncimet e bëra, flitet me emra konkretë për kandidatët me diploma universitare e madje edhe diploma të shkollës së mesme false. Gazeta “Telegraf” disponon kopjet e diplomave të tyre dhe ka nisur investigimin në çdo shkollë të mesme e universitet që ka lëshuar këto diploma, për të vërtetuar nëse këto diploma janë apo jo të sakta dhe, do t’i bëjë publike pa asnjë tërheqje dhe diferencim. 
Box
“Ushtria” me 976 të spostuar nga partitë, në “sulm” si të pavarur
Janë dy kontingjente, që po u bëjnë presion dy partive PD e PS, për t’i kandiduar. Kontingjenti i parë, janë individët që figurojnë në listat emërore të dërguara në kryesitë qendrore të partive. Ndërsa kontingjenti i dytë, janë individët të cilët nuk figurojnë në listat emërore. Ata që janë në lista dhe përjetojnë frikën e seleksionimit, kanë nisur presionin e hapur ndaj krerëve të PD e PS në qendër e në bazë, se nëse nuk miratohen si kandidatë “do të dalin të pavarur, kundër kandidatit të partisë së tyre”! Ata që nuk janë futur në lista, tashmë kanë nisur fushatën si “kandidatë të pavarur”, duke “luftuar” hapur kundër emrave dhe strukturave të partive respektive. Brenda listave emërore, që janë dërguar për seleksionim e miratim në total janë 1162 kandidatura, nga të cilët 710 janë në listat e PD dhe 452 në listat e PS. Jashtë listave emërore, ka mbetur një tjetër “ushtri” individësh, të cilët nuk janë propozuar, ose janë spostuar nga deputetët dhe strukturat e dy partive në zona. Këta, ashtu si ata që gjenden në lista, janë zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë, drejtorë, ish-drejtorë, drejtues lokalë të dy partive, ish-kryetarë dhe kryetarë bashkie e komunash që janë shkrirë në bashkitë e reja të zonave. Kjo “ushtri” e lënë jashtë garës brenda partive, përbëhet nga 976 “luftëtarë” në të 61 bashkitë e reja. Pasi nuk kanë mundur të ndikojnë dot as me klane, as me “çeqe” e as me presion fizik mbi deputetët dhe strukturat e partisë në bazë e në qendër, për t’u futur në lista, këta kanë nisur “betejën” si kandidatë të pavarur. 
Box
Kandidatët në lista mësyjnë drejt Tiranës, pazare në oborret e PD dhe PS
Pas aksionit të vështirë, për të marrë votat e propozimit nga deputetët dhe strukturat e partive në bazë, 1162 kandidatët që janë futur në listat e përzgjedhjes nga qendra, janë vërsulur drejt Tiranës. Ata janë “instaluar” pranë kryesive qendrore të PD e PS, për të vijuar betejën brenda llojit me premtimin, shpresën dhe ëndrrën për të fituar kandidimin përfundimtar për kryetar bashkie në zona. Janë 710 kandidatura të cilët prej mëse 2 javësh kanë ngritur “fushimin” brenda lulishtes në oborrin e PD dhe 452 kandidatura, që po “gdhijnë” ditët e po “ngrysin” netët mbi tavolinat e bar-lulishtes së PS, në pritje e përpjekje për të takuar deputetë, drejtues politikë të partisë, sekserë të krerëve të kupolave të partive e pse jo edhe dy krerët e lartë të PD e PS, për t’u marrë atyre “votën” e kandidimit. Ata presin të shpallen emrat dhe deri në atë sekondë, ata do të qëndrojnë pranë selive të partive, duke bërë pazare, biografi e prapaskena ndaj kundërshtarëve brenda llojit, me qëllim që të fitojnë kandidimin. Gazeta “Telegraf”, ishte këto ditë në dy “fushimet” e kandidatëve pranë selive të PD e PS, ku “dergjen” kandidaturat e listës dhe dëgjoi biseda të tilla: “Më ka premtuar ministri….”, “ Pritet dhe firma e shefit të madh dhe merr fund…” “Unë kam investuar për dalë kandidat, kam mbështetjen e….”, “Deputeti më ka dhënë garanci…”, “Kryetari i rrethit ka çuar një listë tjetër tek shefi madh, ka hequr emrat e atyre që u ka premtuar deputeti….”, “Po dola unë kandidat, do ta shpërblej 1 milion herë ty si deputet dhe këtyre të qendrës, që po më ndihmojnë…” etj. Nga bisedat, kuptohet se përzgjedhja e kandidaturave për bashkitë ka nisur e po vazhdon me klane, klientelizëm, bërryla e pazare…
Sigal