Njazi Jaho: Domosdoshmëria e zgjedhjeve lokale, të kemi kandidatë të pakorruptuar

541
Konstitucionalisti Njazi Jaho është njëri prej ekspertëve më të njohur në Shqipëri për procedurat elektorale. Në intervistën ekskluzive për gazetën “Telegraf” shprehet se ndryshimet në Kodin Zgjedhor për zgjedhjet vendore duhet të ishin miratuar më parë (kur ende nuk janë miratuar në Kuvend) dhe ato duhet të jenë gjithëpërfshirëse. Zoti Jaho thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ligjin “Për ndarjen Territoriale dhe Administrative” duhet të pranohej si i detyrueshëm. Konstitucionalisti Jaho është kundër mendimeve se duhen shtyrë zgjedhjet vendore, sepse nuk ka argument ligjore. Sipas zotit Jaho, mos shpallja e listave, mos njoftimi me shkrim i çdo votuesi, siç e parashikon Kodi Zgjedhor, përbën problem. Secili zgjedhës, kur nuk e gjen veten e tij në lista, duhet t’i drejtohet gjykatës. Konstitucionalisti Njazi Jaho, së fundi, shprehet edhe për kriteret që duhet të zbatohen për përzgjedhjen e kryetarëve të Bashkive. Këta kandidatë duhet të jenë, mbi të gjitha, të ndershëm dhe të pakorruptuar. 
-Zoti Jaho, sipas kalendarit të punimeve të Kuvendit, ndryshimet në Kodin Zgjedhor, për zgjedhjet e 21 qershorit, janë planifikuar të miratohen në 2 prill. Mos vallë miratimi i këtyre ndryshimeve është disi i vonuar?
– Nuk jam në dijeni të këtij kalendari, por ndryshimet në Kodin Zgjedhor për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, kam mendimin, se duheshin miratuar më parë dhe se ato duhet të ishin gjithëpërfshirëse, pavarësisht se zgjedhjet e 21 qershorit janë lokale. Kjo vonesë në miratim, ka të bëjë, sigurisht, me atmosferën e tensionuar politike në parlamentin tonë. Zanafilla e këtij tensionimi politik, është e lidhur me ndarjen e re administrativo-territoriale.
– Ndarja e re administrative-territoriale u bë objekt shqyrtimi edhe në Gjykatën Kushtetuese, pas ankimimit të PD-së, e cila vendosi se kjo ndarje është në përputhje me Kushtetutën. Në këto kushte, si duhej vepruar?
– Të pranohej si i detyrueshëm për zbatim vendimi i mësipërm i Gjykatës Kushtetuese dhe të fillohej menjëherë nga diskutimi dhe debate i ndryshimeve, që i duheshin bërë Kodit Zgjedhor dhe ligjit mbi organizimin dhe funksionimin e organeve të qeverisjes vendore. Kjo, mendoj se nuk u bë për mungesë vullnetit politik dhe të pranimit formalisht të zbatimit të detyrueshëm të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. 
– Ka pasur zëra, se meqë jemi disi të vonuar dhe meqë nuk u arrit konsensusi, zgjedhjet të shtyhen pak më vonë, me synim që maxhoranca e opozita, duke pranuar ndarjen e re, të afrojnë qëndrimet e tyre në miratimin e ligjeve që përmendët. A keni ndonjë mendim për këtë mundësi?
– Zëra për shtyrjen e zgjedhjeve vendore mund të ketë pasur dhe mund të ketë, por argument ligjore nuk ka dëgjuar dhe në fakt nuk ka. Presidenti ka dekretuar datën e zgjedhjeve. Mandati i organeve të qeverisjes vendore është 4 vjet. Edhe Kuvendi zgjidhet çdo 4 vjet. A mundet që mandati i Kuvendit të zgjatet? Po, sipas nenit 66 të Kushtetutës mund të zgjatet vetëm në kohë lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo. Besoj se nuk ka nevojë për koment. 
– Thuhet se në projektin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor nuk janë pasur parasysh rekomandimet e OSBE/ODIHR-it lidhur me zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Ç’ mendim keni për këtë?
– Nuk jam njohur me projektin. Kam pasur dhe kam mendimin se disa nga këto rekomandime, që kanë lidhje edhe me zgjedhjet lokale, mund të ishin bërë objekt shqyrtimi. Megjithëkëtë, edhe sikur ato të mos jenë përfshirë në projekt, nuk besoj se cenojnë standardin e zgjedhjeve.
– Aktualisht, çfarë mendoni se do të ishin urgjente për mbarëvajtjen e zgjedhjeve?
– Urgjent mendoj se do të ishin:
a) regjistrimi i subjekteve zgjedhore dhe koalicioneve zgjedhore
b) krijimi i KZAZ-ve, trajnimi dhe fillimi i tyre nga puna, për të kryer detyrat e parashikuara në dispozitat përkatëse të Kodit Zgjedhor.
– Ç’mendim keni për listat e zgjedhjeve, meqë për këtë çështje dhe në përgjithësi për Kodin Zgjedhor keni përvojë dhe njohuri të thella, madje, në të kaluarën, jeni shprehur edhe për çështje të rëndësishme dhe të debatueshme?
– E vërteta është se për saktësinë e listave të zgjedhësve në çdo zgjedhje janë bërë vërejtje. Në fund të fundit, kjo nuk është thjesht në interesat ë këtij, apo atij subjekti zgjedhor. Kjo është detyrë kushtetuese. Çdo shtetasi, që ka mbushur moshën 18 vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, duhet të garantohet e drejta për të votuar. Është kjo arsyeja që, sipas Kodit Zgjedhor, listat e zgjedhësve shpallen disa herë, deri në publikimin e listës përfundimtare. Qëllimi është që zgjedhësit të njihen me to dhe të ketë mundësi të kërkojë korrigjimin e tyre. KQZ-ja është e detyruar ta mbikëqyrë procesin e hartimit të listave të zgjedhësve, administrimin e zonave të qendrave të votimit. Listat e zgjedhësve shpallen nga kryetari i njësisë së qeverisjes vendore, që ka në juridiksion zyrën përkatëse të gjendjes civile. Media e datës 20 mars 2015, njoftonte se KQZ-ja ka gjobitur 11 kryetarë të qeverisjes vendore, sepse ende nuk kishin dorëzuar të dhënat për qendrat e votimit, së bashku me numrin përkatës të zgjedhjeve. Kjo është një shkelje flagrante dhe me pasoja të rënda të ligjit, megjithëse për këtë çështje KQZ-ja ka tërhequr disa herë vëmendjen. Në Kodin Zgjedhor thuhet se është detyrë e kryetarit të qeverisjes vendore, që të njoftojë me shkrim çdo zgjedhës në banesën e tij, se në cilën qendër votimi do të votojë dhe në cilin numër rendor të listës ndodhet emri i tij. 
– Praktikisht, kjo kërkesë e ligjit, nuk zbatohet. Sipas jush, cilat janë rreziqet e moszbatimit të ligjit?
– Këto njoftime i përgjigjen së vërtetës. Nuk mund të shprehem se në ç’masë është kjo mangësi (në fakt, ky është moszbatim i ligjit), por mund të them me siguri se mosnjoftimi i njerëzve në shtëpi, do të ndikonte negativisht në pasaktësinë e listave, ose në moskorigjimin e tyre. Ka mjaft persona, që deri më sot nuk janë njohur me këto lista, nuk e dinë se në cilën qendër votimi do të votojnë. Mirë do të ishte që të gjithë zgjedhësit të interesoheshim dhe të shkonin vetë dhe të shikonin këto lista. Arsyet përse nuk ndodh kjo, mund të jenë të ndryshme. Prandaj, edhe ligjbërësi në nenin 52 të Kodit Zgjedhor, ka parashikuar njoftimin me shkrim të zgjedhësve në banesën e tyre. 
– Ky njoftim, a mund të vazhdojë edhe pas kalimit të afatit ligjor që parashikon Kodi Zgjedhor?
– Për këtë, mendoj se nuk ka asnjë pengesë ligjore, aq më tepër kur kjo detyrë nuk është kryer. Përkundrazi, kam mendimin se neglizhenca në këtë drejtim, mund të ketë pasoja të dëmshme. Ekzistojnë mundësitë që ato të parandalohen.
– Kur duhet të shpallet lista përfundimtare e zgjedhjeve?
– Lista e zgjedhësve, pasi miratohet nga kryetari i njësisë përkatëse të qeverisjes vendore, jo më vonë se 45 ditë para datës së zgjedhjeve, i dërgohet në 3 formate KZAZ-së. KZAZ-ja e publikon listën e zgjedhësve pranë qendrës përkatëse të votimit, në një vend me akses të lirë për zgjedhësit, Kjo është lista përfundimtare.
– Çdo të thotë “akses të lirë”?
– Do të thotë që vendi ose lokali ku është shpallur lista e zgjedhësve, të mos jetë i hapur vetëm paradite dhe i kyçur pasdite, siç ka ndodhur në shumë rrethe në zgjedhjet e kaluara. Veç kësaj, listat e zgjedhësve të vendosen në mënyrë të atillë, jo vetëm në lartësi, që të lexohen lirshëm nga zgjedhësit, etj.
– Po në rastet kur zgjedhësi nuk e gjen emrin e tij edhe në listën përfundimtare, çfarë duhej të bëjë?
– Zgjedhësi mund t’i drejtohet gjykatës me një kërkesë të thjeshtë, bashkangjitur edhe vërtetimet përkatëse, se është banor i njësisë përkatëse, por emri i tij nuk figuron në listën e shpallur. Gjykata, kur pranon kërkesën, merr vendim. Me ketë vendim, zgjedhësi ditën e zgjedhjeve shkon në qendrën e votimit përkatës dhe voton ashtu si të tjerët që janë në listë. Nëse listat përfundimtare do të jenë sa më të sakta, më pak zgjedhës do t’i drejtohen gjykatës. 
– Deri tani, si paraqitet sensibiliteti i zgjedhësve për këto zgjedhje vendore të 21 qershorit 2015?
– Mendoj se deri më sot, ai paraqitet relativisht i dobët, megjithëse nga zgjedhjet na ndajnë afro 3 muaj. KZQ-ja mund të ketë planet e saj, për edukimin zgjedhor, por ai do të jetë mjaft i angazhuar me trajnimin e komisioneve të të gjitha niveleve. Përvoja e zgjedhjeve të kaluara në këtë drejtim ka qenë negative. Ajo kufizohej gjatë fushatës zgjedhore, ose ditët e fundit para zgjedhjeve, nëpërmjet disa spoteve televizive, se si votohet, etj. Megjithëkëtë, sensibiliteti i zgjedhësve nuk është vetëm detyrë e KQZ-së. 
– Faleminderit!
Cilësitë për të përzgjedhur kryetarin e Bashkisë
– Ka filluar puna për caktimin e kandidatëve për kryetar bashkie. A mund të shprehni ndonjë mendim për mënyrën e përzgjedhjes së tyre?
– Organizimi i ri administrative-territorial rrit përgjegjësinë e caktimit dhe zgjedhjes së kandidatëve për kryetar bashkie. Juridiksioni që do të administrohet, zgjerohet. Në këtë këndvështrim, jo vetëm për këtë, por edhe për shumë çështje të tjera, aftësitë drejtuese dhe menaxheriale duhet të jenë të niveleve që kërkohen. Ne kemi personalitete të tillë, por në disa raste nuk i shikojmë, ose nuk i vlerësojnë. Ka raste që na pëlqejnë dhe kemi konsiderata për ato që kemi pranë, ose për ata që rrethi i ngushtë shoqëror, apo miqësor, na sugjerojnë. Kësaj praktike, mendoj se duhet t’i jepet fund. Konsultimet, mendoj, se nuk duhet të kufizohen brenda kornizave partiake. Është e nevojshme që ato të shtrihen edhe më gjerë. Në këtë vështrim, mund të ketë mendime nga më të ndryshmet. Të gjithë duhen dëgjuar, ndërsa vlerësimi duhet të jetë i matur, objektiv dhe kritik. Flitet shumë kundër korrupsionit. Është rasti të tregohet së ne këtë drejtim, jemi të vendosur dhe konseguentë. Kryetari i zgjedhur i bashkisë, për edhe anëtarët bashkiakë, mbi të gjitha, ligjin duhet ta konsiderojnë autoritetin më të lartë, por jo me fjalë. Këtë do ta vërtetojnë veprimtaria e tyre në praktikë. Ata në vazhdimësi, do të jenë në provë. Ndershmëria dhe premtimet e tyre për të qenë në shërbim të popullit do të evidentohen në procesin e llogaridhënies dhe zgjidhjen e problemeve, në përputhje me ligjin dhe gjithmonë me paanësi. Zgjedhja e tyre në një detyrë kaq të rëndësishme, është vlerësim. Por kjo nuk është e lehtë. Shpërdorimi i detyrës, (raste të tilla ka pasur) nuk mund të mbetet pa u ndëshkuar.
Sigal