“Në Ministrinë e Mbrojtjes ka abuzime me fondet publike, pronat, pasuritë publike”

487
Sigal

INTERVISTA/ Deputeti i PS-së, Ilir Gjoni: “Prona të FA-së u kanë kaluar interesave të individëve të lidhur me familjen e pushtetit”

Në Shqipëri, të gjitha çudirat, sidomos ato politike, e shumta, 1-2 ditë kanë jetëgjatësi. Pastaj, harrohen, duke u bërë pjesë e së …zakonshmes. Nuk mund të bënte përjashtim edhe zhurma e madhe që u shkaktua për moslejimin nga ministri i Mbrojtjes, për mbikëqyrjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Ministrinë e Mbrojtjes. Edhe pse u bë një seancë dëgjimore në këtë komision parlamentar, të vetë ministrit Imami. Deklarata e zotit Imami, sa mbaroi mbledhja, se ai nuk do të lejojë që asnjë kontroll parlamentar të kapërcejë limitet e kompetencave, ndoshta tregon n një realitet. Që këto limite të kontrollit parlamentar, nuk janë Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit që i përcaktojnë, por vetë… pushteti ekzekutiv. Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Ilir Gjoni, në intervistën për “Telegraf”, i jep përgjigje, pikërisht pyetjes së çudisë politike: Si ka mundësi që ministri i Mbrojtjes përcakton limitet e mbikëqyrjes të Parlamentit në Ministrinë e Mbrojtjes?

– Pavarësisht, divergjencave politike, midis palëve politike, çfarë produkti politik u arrit nga seanca dëgjimore e ministrit Imami në Komisionin e Sigurisë Kombëtare?
– Absolutisht asnjë gjë me dobi publike, veçse u konfirmuan ato çka kishte kohë që opinioni publik dhe media i kanë cilësuar si skandale të rënda të tjetërsimit të pronave publike të FA-së, që u kalojnë interesave të individëve të lidhur me familjen e pushtetit siç është rasti i Bishtit të Pallës, Akademisë Ushtarake, Spitalit Ushtarak, Porto Palermos etj., në emër të gjoja ristrukturimin të FA-së.
– Së pari, si ka mundësi, që zoti Patozi, të deklarojë në Komision, që Komisioni i Sigurisë Kombëtare nuk ka marrë asnjë vendim për të mbikëqyrë Ministrinë e Mbrojtjes? Cila palë politike nuk thotë të vërtetën e vendimit ose jo të kontrollit parlamentar në MM?
– Kuptohet që zoti Patozi kishte marrë urdhër atë ditë prej agait të vet, që të sabotonte punën e komisionit. Ai, si dhe shumë deputetë të tjerë të PD-së, është anëtar i më shumë se një komisioni parlamentar. Atë ditë, ndoshta për herë të dytë (hera e parë ishte kur deshën të amendonin ligjin e SHISH-it me synim zëvendësimin e Bahri Shaqirit), ai merrte pjesë në Komisionin e Sigurisë, e kuptohet kur nuk je i informuar, apo, kur urdhrat janë të tilla, do flasësh vetëm “marrina” siç ka qejf të thotë Jozefina. Dhe Patozi foli marrina. Vendimi i Komisionit të Sigurisë është i shkruar e zeza në të bardhë dhe është i publikuar edhe në faqen e uejbit të Kuvendit. Kështu, merr përgjigje dhe pjesa e pyetjes tuaj, se cila palë politike gënjen.
– Ministri Imami deklaroi, gjithashtu, pas seancës dëgjimore, që ai nuk do të lejojë të kapërcehen limitet e kompetencave të kontrollit. Ka vërtetë shkelje rregullash nga përpjekjet tuaja që tentuat 2 herë të shkonit në MM, apo ministri Imami do të thotë, që si ministër fuqiplotë, është ai që vendos rregullat e kontrollit parlamentar në MM?
– Këto janë banalitetet e pupacëve të qeverisë. Limitet nuk i vendos, as Imami e as Berisha. Ato i vendos ligji. Referencat e mbikëqyrjes janë nenet 18,34 e 102 të Rregullores së Kuvendit, Kushtetuta si dhe ligji për statusin e deputetit neni 7 i tij. Për më tepër, është parim i njohur i demokracisë, kontrolli dhe balanca e pushteteve, si dhe mbikëqyrja parlamentare, civile ndaj Forcave të Armatosura në veçanti dhe atyre të sigurisë në tërësi. Me mendjen e tij, Imami e Berisha do të bënin çfarë t’u tekej, por është pikërisht roli i opozitës ai i cili duhet t’u thotë ndal këtyre përpjekjeve për të përdorur shtetin për interesat e pushtetit të Familjes.
– Ju, si opozitë, keni fakte që janë katërcipërisht të faktuara për akuzat që i keni publikuar, dhe tashmë me kontrollin që kërkoni të ushtroni në MM, do t’i provoni, apo thjesht keni dyshime dhe kërkoni të ballafaqoni dyshimet?
– Së pari, ka një tendencë për të ngatërruar deputetët e Kuvendit me agjencitë inteligjente dhe agjentët tip 007. Jo, deputetët nuk kryejnë asnjë funksion të tillë. Ne veprimtarinë tonë e mbështesim vetëm në mbikëqyrjen e përputhshmërisë së ligjit, me veprimet konkrete të strukturave të Ekzekutivit. Ka agjenci të tjera të specializuara të shtetit, të cilat merren me hetimin, investigimin, dhe ndjekjen ligjore( në rastet kur ka shkelje të ligjit). Unë e kuptoj interesin tuaj si gazetar, por është mirë që gjithsekush të bëjë punën e tij, ju si gazetarë të investigoni e informoni opinionin publik dhe ne si deputetë, në një formë të ngjashme të mbikëqyrim zbatueshmërinë e ligjeve të prodhuara nga Kuvendi e të zbatuara nga Ekzekutivi. Siç e kam thënë në disa raste, qëllimi i mbikëqyrjes është zbatueshmëria e ligjit dhe jo thjesht për ato çështje, që janë bërë mediatike, por për një gamë të gjerë çështjesh, siç dhe është marrë vendimi i Komisionit dhe që kanë rëndësi jetike për FA-në dhe rritjen e standardeve të tyre për t’ju afruar parametrave të kërkuara nga NATO. Ne shpresojmë që ky dikaster t’i ketë zbatuar ligjet me përpikmëri, por fakti është dhe po provohet dita ditës se në Ministrinë e Mbrojtjes ka abuzime me fondet publike, pronat, pasuritë publike etj.. Ka tejkalime të ligjit në disa sektorë, sidomos në veprimtarinë e SHIU. Mënyra si e shtroni pyetjen, nënkupton që unë duhet t’ju them se cilat janë informacionet që ne kemi dhe taktikat, që do të përdorim për t’i bërë ato publike.
– Kjo është detyra e medias, të informojë opinionin, sidomos kur pretendohet se kemi të bëjmë me korrupsion politik dhe nuk interesohemi për informacione sekrete ushtarake.
– Kjo gjë nuk mund të ndodhë në këtë moment. Por, ju garantoj, se ne kemi indicie të besueshme, se ka shkelje të ligjit dhe padyshim, të gjitha gjetjet dhe rekomandimet e Komisionit të Sigurisë, do të jenë publike dhe transparente.
– Ligji i heqjes së imunitetit, a mund të jetë i mjaftueshëm për të luftuar korrupsionin?
– Heqja/Kufizimi i imunitetit është veçse hapi i parë që duhet të shoqërohet së pari me forcimin e pavarësisë të Gjykatave të Lartë e Kushtetuese, si edhe të prokurorisë, ndaj PS-ja kërkoi që në ndryshimet e kërkuara në Kushtetutë, të përfshihen edhe ndryshimet që përcaktojnë emërimet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Kushtetuese dhe Kryeprokurorin. Derisa Berisha nuk i pranon këto, dëshmon që ai i do këto institucione të jenë të varura nga politika e tij.
– Korrupsioni në Shqipëri nuk luftohet, jo sepse deri tani kanë munguar ligjet, por pandëshkueshmëria ka qenë vullneti i politikës. Mendoni se kjo reformë që kërkon me kaq ngulm Berisha ta miratojë-kështu siç është përgatitur- a do të luftojë edhe pandëshkueshmërinë e korrupsionit?
– Ju keni pyetur nga kush varet pandëshkueshmëria e korrupsionit? Dhe cilët janë ata që janë të pandëshkuar për korrupsionin që po ndodh në Shqipëri? Që gjykata dënon deputetin Saimir Tahiri, dhe po kjo gjykatë nuk e lejon që të grumbullojë e të paraqitë në gjykatë faktet e korrupsionit, a nuk është një përgjigje e pyetjeve të mësipërme? Ky ligj, kështu siç kërkon ta miratojë Sala në 6 gusht, do të shërbejë alibi për të fshehur korrupsionin e oborrit pushtetor të tij.
– Kryeministri Berisha e fton PS-në që të votojë në 6 gusht, meqë maxhoranca e tij ka pranuar 90 % të draftit socialist në draftin përfundimtar. Sa i pranueshëm është ky argumentim politik i Berishës?
– Kryeministri nuk pranon të njohë këtë realitetin mbi gjendjen e mjerueshme të institucioneve të së drejtës në këtë vend, sepse ky është vullneti i tij politik. Madje nuk pranon as të debatojë propozimet e opozitës për të garantuar një sistem të pavarur drejtësie. Ato që Berisha nuk pranon nga drafti i PS-së, janë pikërisht ato ndryshime që ne kërkojmë të bëjmë në Kushtetutë, për të rritur pavarësinë e sistemit të drejtësisë, të Gjyqësorit, të Prokurorisë.
– Përse PS-ja kërkon kohë më shumë në miratimin e reformës të imunitetit, derisa e ka miratuar draftin e përbashkët?
– PS-ja kërkon më shumë kohë që të debatojë ato propozimet, të cilat garantojnë një sistem të pavarur drejtësie.
– Ka mundësi që ministri Imami të shpërfillë kontrollin parlamentar, pa vënë më parë në dijeni Kryeministrin?

– Absolutisht Jo. Madje është e qartë se Berisha është i përfshirë direkt në moslejimin e ushtrimit të mbikëqyrjes parlamentare në Ministrinë e Mbrojtjes.

 – Ju faleminderit!