Ndarja e mandateve, Lleshi dhe Biba raportojnë sot te Ligjet

467
Sigal

Komisioni i Ligjeve mori dje në shqyrtim kërkesën e KQZ-së për ndarjen e mandateve për zgjedhjet e 23 Qershorit

 Komisioni i Ligjeve mori dje në shqyrtim kërkesën e KQZ-së për ndarjen e mandateve për zgjedhjet e 23 qershorit. PS-ja është shprehur kundër ndarjes së mandateve nga Kuvendi, pasi sipas saj, kjo është në kompetencë të KQZ-së.  PS-ja thekson se në zgjedhjet e ardhshme, nuk duhet të shkohet me ndarjen e mandateve që është përdorur për vitin 2009. Deputeti i PD-së, Edi Paloka bëri përgjegjës anëtarët e PS-së në KQZ për dështimin e marrjes së një vendimi për ndarjen e mandateve. “KQZ-ja ka ezauruar rrugën administrative për ndarjen e mandateve.  Kuvendi nuk mund të lejojë që procesi zgjedhor të futet në kolaps.  Kuvendi nuk zëvendëson KQZ-në, por rruga e vetme është ndarja e mandateve si në vitin 2009”, ka theksuar Paloka. Ndërsa deputeti i PS-së Fatmir Xhafaj ka deklaruar se, marrja e shqyrtimit nga ana e Kuvendit e ndarjeve të mandateve është antiligjore dhe mund të ketë pasoja për procesin zgjedhor. “Sot po e fusin procesin në një precedent të rrezikshëm, me pasoja për vendin. Kemi hyrë në qorrsokak, pasi kjo tregon se ne nuk bëjmë dot zgjedhje të lira.  Nuk bëhet fjalë për një vendim të zakonshëm, por për themelin e procesit zgjedhor.  Ne po diskutojmë mbi asgjënë, me këtë Kuvendi përpiqet të zëvendësojë KQZ-në”,- tha Xhafaj. Xhafaj theksoi më tej se, KQZ-ja mund të marrë vendimin për ndarjen e mandateve pasi ka afat deri më 7 Mars, ndërsa kërkoi të thirret në komision për të sqaruar situatën edhe kryetarja dhe nënkryetari i KQZ-së. “KQZ-ja  nuk i ka ezauruar të gjitha hapat, nuk ka vendimmarrje nga ky institucion.  Kërkojmë të vijë në Komision kryetarja dhe nënkryetari i KQZ-së për të na sqaruar situatën. Të vijë në Komisionin e Ligjeve edhe Koalicioni i Vëzhguesve vendorë” shtoi Xhafaj. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kreut të Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmajli, i cili ka akuzuar opozitën se po bllokon procesin e ndarjes së mandateve, ndërsa pranoi kërkesën e PS-së për tu thirrur në komision kryetarja dhe nënkryetari i KQZ-së. “Nuk fitohen zgjedhjet duke bllokuar dhe duke shkelur ligjin. Është detyrë e Kuvendit të caktojë ndarjen e mandateve për zgjedhjet e qershorit. Të bëjmë detyrën që na cakton ligji, nuk duhet t’i nënshtrohemi presionit politik. Tre anëtarë të KQZ iu nënshtruan presionit politik.  Kuvendi e zhbllokon situatën për ndarjen e mandateve, në fund fare fiton ligji. Të vijë në Komision edhe Kryetarja dhe nënkryetari i KQZ-së dhe të thonë ku e kanë shkelur ligjin.  “Sot, në Komisionin e Ligjeve do të raportojë kryetarja dhe nënkryetari i KQZ-së si dhe Koalicioni i Vëzhguesve vendorë”,- ka theksuar Rusmajli. Ndërkohë, pak ditë më parë Koalicioni i Vëzhguesve vendorë nëpërmjet një letre të hapur i kërkoi KQZ të rishqyrtojnë procesin e ndarjes së mandateve duke ribërë ndarjen e mandateve mbi bazën e numrit të popullsisë në periudhën e tanishme. Sipas tyre, një ndarje mandatesh pa respektuar procedurat dhe kompetencat e përcaktuar qartazi në Kodin Zgjedhor, do të sillte si pasojë pesha elektorale të diferencuara të votave të qytetarëve nëpër qarqe, duke prodhuar një proces zgjedhor të vesuar (të metë) edhe sikur të gjitha standardet e tjera të plotësoheshin pa asnjë lloj vërejtjeje.