NATO, Jonathan Moore: SHBA mbështet anëtarësimin në BE

175


TIRANË 
– Ka nisur në Tiranë konferenca e parë ndërkombëtare të organizuar nga “Albanian Policy Center” me temë “Bashkëpunimi transatlantik për paqen dhe sigurinë në Ballkan: Një axhendë e Shqipërisë për integrimin në BE dhe NATO”.

Në këtë konferencë pjesëmarrës është edhe Jonathan Moore, Drejtori i Politikës për Europën Qëndrore dhe Juglindore në Departamentin Amerikan të Shtetit.

ORA 10:35 TAHIRI: NATO ËSHTË SINONIMI I LIRISË SË KOSOVËS
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri ka deklaruar se, NATO është organizata që solli lirinë për popullin kosovar. “NATO është sinonimi i lirisë së Kosovës, pasi ishin forcat e saj që e çliruan. NATO dha provimin e saj, ku vendosi sovranitetin e popullit mbi atë të shteteve, vendosi vlerat e popullit mbi atë të diktaturave”, tha gjatë fjalës së saj Tahiri. Tahiri nuk ka lënë pa përmendur edhe faktorin shqiptar në rajon dhe sipas saj, ky shekull duhet të jetë shekulli i fuqizimit të shqiptarëve. “Shqipëria 5 vite në NATO, Kosova 6 vite e pavarur, shqiptarët e Maqedonisë kanë pozicion tjetër, çështja e Çamërisë ka dalë nga pluhuri i harresës. Shekulli i 20 ishte shekulli i shtypjes së shqiptarëve, ndërsa shekulli i 21 duhet të jetë shekulli i fuqizimit të shqiptarëve. Këtë paqe dhe siguri që kemi arritur sot, është e mirë por duhet bërë e qëndrueshme. Duhet të kemi kohezion mes vizionit euroatlantik dhe vlerave euroatlantike”, deklaroi në fjalën e saj, Tahiri. Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri tha se, shtetet e Ballkanit duhet të punojnë më shumë për shtetin ligjor. “Ajo që dua të them është se, në gjithë shtete e Ballkanit ende ka deficit në demokraci, probleme me zbatimin e ligjit, ekonomia është e dobët dhe ka korrupsion, që po kthehet në pengesë për qeverisje të mirë. Ne duhet të punojmë që të forcojmë vlera euroatlantike”, theksoi Tahiri. “Duhen investime në arsim. Të forcojmë Kombin tonë, duke njohur sistemin e vlerave. Duhet të njohim arritjet, por duhet që të vëmë re edhe problemet. Duhet të kemi më shumë njohje mes njëri-tjetrit. Ndarja 100 vjeçare na ka bërë që të mos njihemi me njëri-tjetrin”, deklaroi Tahiri. Sipas saj, “ka ende vende të BE-së që nuk e njohin Kosovën. Por njohja e Kosovës nuk është thjeshtë njohja e këtij shteti, por është forcimi i sigurisë në rajonin e Ballkanit. Kosova ka lindur si shtet i pavarur nga shpërbërja e një shteti artificial si ish-Jugosllavia”.

ORA 10:15 MAJKO: VETËMBURRJA PËR NATO-n, E VËRTETA E VONESAVE TONA HISTORIKE
Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, njëherësh ish-kryeministër i vendit, foli me një gjuhë të ashpër ndaj politikës shqiptare sa i përket qëndrimeve të mbajtura për anëtarësimin në NATO. Ai tha se veç kontributeve të pazëvendësueshme që ofron anëtarësimi në Aleancën e Atlantikut të Veritu, nxjerr në pah dhe “deformimet e brendshme të poltikës”, siç i cilësoi Majko. Sipas tij, NATO është bërë pjesë e vetëmburrjes sonë kombëtare, nuk e ka ndryshuar papërgjegjshmërinë e politikës shqiptare, duke i renditur këto faktorë si të vërtetat e vonesave tona historike. “Ky anëtarësim ka dy aspekte: Ka vënë në pah deformimet e brendshme të poltikës, produkt is ë kaluarës. Politika shqiptare ende padrejtësinë e lidh me varfërinë. NATO është bërë pjesë e vetëmburrjes sonë kombëtare. NATO ka qenë fjala më e përdorur nga politika shqitpare. Anëtarësimi në NATO nuk e ka ndryshuar papërgjegjshmërinë e politikës shqiptare. Kjo e vërtetë është kthyer në të vërtetë të vonesave tona historike.Marrëdhënia politike në Shqipëri mbetet një çështje e sigurisë në NATO. Tek mungesa e shtetit ligjor. Politikanët shqiptarë nuk janë naivë, mund të akuzohen për kufizimet për qëllimet e tyre. Qëllimet politike nuk njohin kufizimet e sigurisë në NATO. NATO përbën suksesin më të madh të Shqipërisë. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO mbetet një hap formal i një populli europian. Me NATO-n në krah shqiptarët zhgjidhën dilemat e tyre gjeopolitike përballë fqinjëve. Anëtarësimi i dha vendit një status të ri ndërkombëtar dhe përbën hapin më të rëndësishëm të shkëputjes nga tranzicioni postkomunist.NATO sot më shumë se më parë është pjesë e pandashme e shpresës për të ardhmen”, u shpreh ish-kryeministri Pandeli Majko.

ORA 10:10 BASHA: 5 VITE NË NATO, ASNJË HAP PARA PËR INTEGRIMIN NË BE
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili ishte ministër i Jashtëm, në kohën kur Shqipëria u bë vend anëtare e NATO-s tha se, me reformat e bëra aleanca e Atlantikut u bind që Shqipëria të anëtarësohej. Por Basha nuk ka lënë pa i bërë apel qeverisë Rama që të bashkëpunojë me opozitën për rrugën drejt integrimit në BE. “Kanë kaluar 5 vite nga anëtarësimi në NATO dhe nuk është bërë asnjë hap për integrimin në BE. Klima e nevojshme e konsensusit, vullneti për reforma dhe bashkëpunimi duhet të jetë shumë i qartë”, tha në fjalën e tij, kreu i PD-së dhe njëkohësisht edhe i Bashkisë së Tiranës. Duke folur për emocionet e asaj dite, Basha tha se, “kjo datë na gjen sërish të bashkuar, shqiptarë, amerikanë dhe vendeve të tjera të NATO-s dhe jo të të kësaj aleance. Në një nga takimet e para tonat në Bruksel, ish-ambasadorja e SHBA-së, Viktoria Nulan, na tha në 2007 se: Nëse do të ndodhë një votim sot për anëtarësimin tuaj në NATO, zor se merrni një gjysëm vote”. “Kur u kthyem në datën 2 prill të vitit 2009, ne ishim duke u kthyer në një vend tjetër. Ajo ishte Shqipëria që kishim lënë pak ditë më parë, por që kur e gjetëm ishte anëtare e NATO-s. 1 prilli i vitit 2009, nuk gjente vetëm Shqipërinë anëtare të NATO-s, por gjente edhe Kosovën një vend të pavarur”, tha Basha ne fjalën e tij. Sipas tij, “Shqipëria nuk u transformua ato dy ditë. Vendi e kishte nisur këtë rrugë dhe ishte transformuar që nga dita e parë që lindi aspirata për tu anëtarësuar në këtë aleancë”. Ndërkaq, kreu i opozitës nuk ka lënë pa përmendur edhe rrugën drejt integrimit në BE. Ai ka kërkuar nga mazhoranca që të bashkëpunojë dhe arrijë konsensusin për reformat që nevojiten për të marrë statusin dhe për tu integruar në BE.
“Vullneti nuk është i mjaftueshëm nëse nuk do bëheshin reforma të shumta. Dhe Shqipëria ishte e gatshme. Vendi i përfundoi reformat para se të merrte ftesën dhe i vazhduan edhe pas bërjes së vendit tonë anëtar i NATO-s. Puna e Shqipëri, mposhti kundërshtarët, pasi jo të gjithë e donin vendin tonë në këtë organizatë, bindi skeptikët dhe u bëmë anëtar”, tha Basha. “Shqiptarët, veç gëzimit si vend anëtar i NATO, Shqipëria u kthye në një vend të sigurtë për qytetarët dhe një vend të sigurtë për investime. Vendi është i vonuar në rrugën e integrimit në BE. Kanë kaluar 5 vite nga anëtarësimi në NATO dhe nuk është bërë asnjë hap për integrimin në BE”, deklaroi kreu i PD. “Klima e nevojshme e konsensusit, vullneti për reforma dhe bashkëpunim duhet të jenë shumë të qarta. Duhet besim dhe bashkëpunim për të ecur përpara në rrugën drejt BE-së. Konsensus politik, bashkëpunim për reformat e rëndësishme, konsolidim të mëtejshëm të institucioneve, jo përpjekje për ti uzurpuar, respektim të ligjit, etj. Rrugën e kemi bërë si opozitë edhe më të lehtë. Në Bruksel duhet të shkojmë së bashku, pasi siç kemi mësuar, në Bruksel shkohet me opozitën jo pa opozitën”, përfundoi fjalën e tij, kreu i PD-së, Lulzim Basha. Sipas organizatorëve, “kjo konferencë bëhet me rastin e 5-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe 5 vjetorit të ratifikimit të MSA-së. Konferenca do të trajtojë edhe çështjen e krijimit të një elite të re politike”. Përveç Moore, në konferencë marrin pjesë edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, Edita Tahiri, zëvendëskryeministre e Kosovës, Teuta Arifi nga Maqedonia, si dhe deputetët Pandeli Majko, Majlinda Bregu, Arta Dade e shumë të tjerë, theksojnë organizatorët e Konferencës