Muharrem Xhafa: Pas mohimit që Rama i bën LANÇ, pjesëmarrja jonë në zgjedhjet e 30 qershorit do të ishte e padenjë

494
Sigal

Intervista/ Flet Doc. Muharrem Xhafa, ish-Sekretar i PPSH: Pas mohimit që Edi Rama e PS-ja i bën LANÇ-it, pjesëmarrja jonë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit do të ishte e padenjë

Zërat kundër Ramës, brenda PS, janë zëra të vdekur

Albert Z. ZHOLI

“Bild” vazhdon zbardhjen e përgjimeve, ndërsa Rama vazhdon fushatën për zgjedhjet e 30 qershorit. Nga ana tjetër opozita po përpiqet të gjejë hapësira për mbështetje ndërkombëtare dhe rritjen e numrit të pjesëmarrësve në protesta. Në dukje Shqipëria paraqitet e amullt. Zgjedhjet shikohen me dyshim pa opozitën. Rama nga ana tjetër është përgjigjur prerë, se nuk jep dorëheqjen si kryeministër. Zhdekretimi i datës 30 qershor nga Presidenti Meta për ditën e zgjedhjeve ka sjellë diskutime të shumta. Askush nuk e ka të qartë se çfarë do ndodhë më 30 qershor. Ja disa nga përgjigjet që jep Doc. Muharrem Xhafa, ish-Sekretar i PPSH.

– Rama edhe pse pa kundërshtarë vazhdon fushatën madje me shoqërues të shumtë; si do ta quaje këtë fushatë?

Data e zgjedhjeve lokale është dekretuar 30 qershori nga Presidenti i Republikës. Një president i përgjegjshëm nuk e ndryshon (zhdekreton) datën e zgjedhjeve sipas qejfit e, jo e jo pa mendimin e partive kryesore pjesëmarrëse në zgjedhje. Unë mendoj se nuk është Rama ai që i përzuri kundërshtarët! Se ata deshën dhe ikën vetë nga Kuvendi. Po ashtu, deshën të mos merrnin pjesë në zgjedhje dhe nuk morën. Pra, gabimin duhet ta kërkojnë tek vetja, jo tek të tjerët! Presidenti e zhdekretoi datën e zgjedhjeve, (30 qershorin), pasi fushata zgjedhore kishte filluar, prandaj ajo juridikisht ajo është e rregullt! Kjo është kryesorja! Nëse Rama ruhet me forca të shtuara, kjo s’ka të bëjë me opozitën! Unë nuk e dua Ramën kryeministër, po ai nuk mund të bëhet fajtor për këto gjëra.

– Në këto situata, a do të zhvillohen normalisht zgjedhjet në 30 qershor, pa opozitën e parë? Po partia juaj a është pjesë e zgjedhjeve?

-Mirë do të ishte që në zgjedhjet e 30 qershorit të merrnin pjesë PD-ja me të vetët! Por kjo nuk do të thotë se zgjedhjet s’janë normale, meqë PD-ja nuk është pjesë e tyre. Është bëre me kohë e ditur se Partia e Punës nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Komiteti i saj Qendror vlerëson se, pas mohimit që Edi Rama e PS-ja i bënë LANÇ-it, duke i fshirë prapanicën (tradhtinë) kryekolaboracionistit të Shqipërisë, Mit’hat Frashërit, pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të 30 qershorit do të ishte e padenjë!

-Përgjimet e Bild, a do ndikojnë në uljen e përkrahësve të PS në përgjithësi dhe a do të ulin ato numrin e votuesve të PS, nëse do të kishim zgjedhje të rregullta?

Çfarë ka shkruar gazeta gjermane “Bild”, nuk do të thotë se kjo është e vërtetë! Ajo s’është gjykatë dhe mund të gënjejë tërë ditën e tërë natën! Populli s’ka pse të ndikohet nga “Bild-i” gjerman as për numrin e pjesëmarrësve në zgjedhjet e 30 qershorit, as për numrin e votuesve të saj! A do të jenë ose jo të rregullta zgjedhjet e 30 qershorit! Këtu unë flas për zgjedhje të rregullta, aq sa ato mund të jenë të rregullta në kapitalizëm! Dhe një fakt: Vlerësimin e zgjedhjeve s’e bën as pozita e as opozita, po e bëjnë organizmat ndërkombëtarë – OSBE – ODHIR, që, me sa di unë, kanë ardhur për vëzhgimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Kjo mua nuk më duket pak!

 – Në këto situata, a është i rrezikuar Rama si kryetar partie dhe a do të dalin zëra kundër tij? A do të hapen negociatat në fund të qershorit dhe pse?

-Sa e njoh PS-në, nuk shoh ndonjë situatë të rrezikshme për Ramën si kryetar i saj! Bile, do të ishte mirë që PS-ja të mos ishte siç është e nënshtruar para kryetar Ramës! Sa për zërat kundër, brenda PS, unë do të dëshiroja të ishin zëra socialistësh të vërtetë, po ata janë zëra të vdekur! Sa për negociatat, nuk e di a do të hapen ose jo këtë qershor, po di të them së Shqipëria është një vend kapitalist, i cili s’ka këllqe të qëndrojë jashtë BE-së!

– Veprimet e opozitës me anë të protestave a mbështeten nga ndërkombëtarët aktualisht dhe pse u ndërprenë protestat?

-Unë i ndjek me vëmendje situatat me ndërkombëtarët dhe më duket që organizmat zyrtarë ndërkombëtarë nuk i mbështesin protestat e opozitës. Zëra të veçantë opozitarë gjen e mund të gjesh gjithandej, sidomos po t’u japësh ndonjë “bakshish”! Për sa u përket protestave të opozitës, ato nuk janë ndërprerë, madje janë acaruar!

– Mendoni se në këto situata Rama do dorëhiqet si kryeministër duke u bazuar në kërkesën e patolerueshme të opozitës?

-Me sa shoh dhe kuptoj unë, Rama nuk ka ndërmend të dorëhiqet! Opozita është në të drejtën e saj të kërkojë dorëheqjen e Kryeministrit, të qeverisë etj., po ajo kaq ka të drejtë! Të bësh “kryeneçin”, kjo është shumë e dëmshme për një forcë politike.

-7. Si do ta komentonit zhdekretimin e datës 30 qershor nga Presidenti Meta për zgjedhjet vendore?

-Më lejoni ta komentoj pak më gjatë këtë pyetje tuajën! Unë kam ndjekur në 3-4 kanale të televizive mendime e analiza mbi dekretin e Presidentit Meta për zhdekretimin e 30 qershorit si datë të mbajtjes së zgjedhjeve vendore. Çfarë kam vërejtur? Kam vërejtur që në njërën anë të paneleve mbrohej deri në absurditet Presidenti dhe opozita, ndërsa ata të anës përballë kundërshtonin deri në absurditet Presidentin dhe opozitën! Pra, e ndarë politika, e ndarë media “e pavarur” (që për mua nuk ekziston), të ndarë opinionistët dhe gazetarët.