Ministrja Gjosha: Pergjegjshmeria dhe dialogu na afrojne me vlerat e BE-SE

439
Nis Projekti SMEI IV, 2 milionë euro. Asistencë në ngritjen e kapaciteteve të administratës për procesin e integrimit.
Ministrja Gjosha: Përgjegjshmëria dhe dialogu na afrojnë me vlerat europiane

Ministrja Gjosha: Integrimi nuk ka kthim pas, është garanci për të drejtat e çdo qytetari
Nis Projekti SMEI IV, Mbështetje për Ministrinë e Integrimit dhe ministritë e linjës. Ky projekt i cili fillon pikërisht në një fazë tepër kyçe të angazhimit të Shqipërisë, në rrugën e saj drejt BE-së, ka një vlerë prej 2 milionë euro dhe do të financohet nga Bashkimi Europian. 
Ministrja e Integrimit Europian, gjatë lancimit të këtij projekti theksoi se procesi i integrimit të vendit, është një proces pa kthim pas. “E them këtë, pasi asistenca që na ofrohet nga partnerët tanë europianë është tejet e rëndësishme, por nga ana tjetër na takon ne institucioneve shqiptare të tregojmë përgjegjshmërinë, angazhimin, profesionalizmin për të çuar përpara këtë proces”,tha Ministrja.
Ministrja Gjosha nënvizoi se Integrimi i Shqipërisë do të bëhet nga vetë shqiptarët. “Ndaj detyrimi ynë është shumëfish më i madh për të treguar vullnetin e palëkundur si një detyrim ndaj vendit, ndaj qytetarëve tanë, që janë mbështetësit më të fortë të këtij procesi”,tha Ministrja.
Ministrja theksoi se ndërtimi i shtetit të së drejtës, konsolidimit i demokracisë, dialogu i gjithanshëm për të ardhmen europiane të vendit duhet të jenë, themelet e punës sonë të përditshme. 
“Pa të gjitha këto, Shqipëria nuk mundet të bëhet një vend më i mirë dhe nuk mund të përparojë në rrugën e saj për rritjen e standardeve dhe krijimin e një modeli ti ri për brezat e ardhshëm duke i qëndruar larg retorikave. Dua sërish të theksoj se procesi i integrimit, është para së gjithash, ndryshim i mentalitetit të një shoqërie. Është garanci për të drejtat e çdo qytetari apo pakice”, u shpreh Ministrja, 
SMEI 4 do të ofrojë asistencë për ngritjen e kapaciteteve, përgatitjen e strukturave në kryerjen e një procesi screening sa më efikas dhe profesional.
Përmes këtij projekti, Shqipëria do të asistohet gjithashtu në ngritjen e kapaciteteve që kërkohen për një përafrim dhe harmonizim të legjislacionit vendas me atë të Bashkimit Europian.
“Kjo asistencë është shumë e rëndësishme, pasi trupa e teknicienëve, administrata publike është ajo që do të mbajë peshën më të rëndësishme të procesit. Shqipëria duhet të jetë e gatshme të bëhet pjesë e vlerave europiane, duke ndërtuar shtetin e së drejtës, duke i shpallur luftë korrupsionit, krimit të organizuar, duke respektuar të drejtat themelore të tjetrit që përbëjnë bazën e demokracisë”,tha Ministrja. 
Sigal