Ç’lidhje ka noteri Zhelegu, me Aktin Nr. 928 Rep. dhe Nr. 302, datë 19.02. 2008, me personazh Branislav Šaranovićin?

786
Aurel PASHKU
Drejtësia të nis hetimin për noterizimin e një biznesi fiktiv, pa adresë dhe pa numër pasaporte, të malazezit të skeduar nga drejtësia
Shumë reagime kanë ardhur në “Telegraf”, lidhur me veprimtarinë e noterit Julian Zhelegu, madje edhe nga biznese të ligjshme e të paligjshme, të cilët denoncojnë fakte nga “CV” e zullumeve të tij kur ishte doganier Portual në Durrës, denoncime të cilat do t’i publikojmë përditë, deri sa institucionet e drejtësisë e të “Veting”-ut shqiptar, sidomos Ministria e Drejtësisë të hap “dosjen” e veprimtarisë së tij, si noter certifikues kontratash e aktesh të çdo lloji, 99% e të cilëve (siç thuhet) kanë lidhje me botën e krimit ekonomik, financiar, shtetëror dhe për më tepër. E jo vetëm kaq, por siç thuhet edhe në denoncimet e ardhura nga brenda Dhomës së Noterëve Shqiptarë, shumë nga këto akte të noterizuara prej Julianit, kanë lidhje me “letra” të vulosura e firmosura edhe në favor të personazheve të botës së krimit brenda e jashtë Shqipërisë, kontrata që janë “legalizuar” edhe pa dokumentacionin e detyrueshëm ligjor. “CV” e Julian Zhelegut është rasti më skandaloz, që konfirmon se si mund të licencohet “Noter”, një ish-doganier i arrestuar për shpërdorim detyre, me akuzën konkrete “krim doganor në bashkëpunim në grup”, me objekt lejim dhe fshehje mallrash kontrabandë në Portin e Durrësit. Siç thuhet, me marifete i ka shpëtuar drejtësisë prej dënimit deri në 10 vit burg, për favorizim, bashkëpunim, lejim dhe fshehje të krimit të kontrabandës së mallrave të importit, me falsifikim aktesh shkresore e praktikash kontrolli fiktive, duke përdorur pozicionin si doganier në detyrë gjatë kontrollit doganor. Që administrata shtetërore në Shqipëri si policia, ushtria e deri parlamenti është mbushur me “tipa me damkë” penale siç është realisht noteri Julian Zhelegu, kjo dihet. Por është e patolerueshme, që “tipa” të tillë të tillë që vazhdojnë abuzimet edhe me detyrën e noterit, të lejohen të bëhen pjesë e shërbimeve publike në sektorin e drejtësisë, të certifikuar me falsitet dosjesh të pranuar prej vetë Ministrisë së Drejtësisë! Ky është një krim i rëndë dhe i turpshëm shtetëror, që duhet “pastruar” me urgjencë, për ta larguar nga shërbimi noterial ish-doganierin mbrojtës dhe lejues kontrabande, Julian Zhelegun, i cili prej shumë vitesh është paralelisht në dy pozicione: 

1. Noter i përzgjedhur dhe i përkëdhelur i institucioneve të larta të Shtetit Shqiptar. 
2. Noter i subjekteve e individëve të botës së krimit, madje edhe i shtetarëve e politikanëve të lartë që “kallajisin” abuzimet e tyre, deri me fshehje pasurish e “pastrim” llogarish bankare dhe aksionesh, siç është rasti i transaksioneve të financave të një deputeti “rilindës”, të cilin do ta publikojmë me çdo detaj “noterial” të gatuar prej Zhelegut! 

Sot po publikojmë një rast tjetër skandali nga veprimtaria e noter Julian Zhelegut, i cili “certifikon” biznesin fiktiv të një shtetasi malazez që sipas disa “letrave”, thuhet se është kontingjent i drejtësisë ndërkombëtare, duke shkelur gjithë procedurat ligjore të shërbimit noterial në Shqipëri. Ky akt noterial origjinal, që ka dalë nga dosjet e noter Zhelegut është bërë në mungesë të shtetasit malazez, pa adresë konkrete banimi, pa profesionin dhe pa numër pasaporte të malazezit të skeduar nga drejtësia, i pa shoqëruar nga nga asnjë dokument tjetër verifikues për statusin e tij, pranuar si “identitete” me një prokurë të bërë në Beograd, dhënë një shtetasi shqiptar. Pa bërë komente, po publikojmë disa faksimile, duke vijuar në numrat e ardhshëm me të tjera skandale nga “CV” e aktivitetit noterial të Julian Zhelegut, certifikuesit të disa akteve noteriale të disa personazheve të njohur të botës së krimit për transaksione financash, pasurish, dhurimesh e të drejtash përfaqësimi…
Ja çfarë detyron Ligji Nr. 7829, datë 1.6.1994 “Për Noterinë”, Ndryshuar edhe me Ligjin Nr. 131/2013, datë 29.4.2013
Neni 19 
Çdo zyrë noteriale duhet të jetë e pajisur me një listë që përmban identitetin e personave, të cilëve, me vendim të formës së prerë të gjykatës, u është hequr zotësia për të vepruar, janë deklaruar të falimentuar ose janë ndaluar të marrin detyra publike të caktuara. Në këto raste gjykatat u dërgojnë dhomave të noterëve në rrethe gjyqësore njoftimin përkatës. 
Neni 49 
Akti noterial hartohet nga noteri në prani të palëve dhe duhet të përmbajë: 
a) Ditën, muajin dhe vitin e redaktimit, llojin e aktit dhe kur është rasti, orën dhe minutën e fillimit dhe atë të mbarimit të tij; 
ç) Emrin dhe mbiemrin, emrin e atit, datëlindjen, profesionin dhe vendbanimin e palëve, emërtimin dhe qendrën, kur është fjala për person juridik
Denoncimi i publikuar në “Telegraf”, datë 3 prill 2017

Skandali i tjetërsimit të një pasurie të bllokuar
“… Nga noteri Julian Zhelegu, që pretendon se e zbaton ligjin në përsosmëri është lejuar, që në mënyrë të kundërligjshme të kryhet kalimi i një pjese të kuotave të kapitalit të Shoqërisë “A… D…” Shpk, nëpërmjet dhurimit nga F… Sh…, tek G… J… Me anë të veprimeve të tij, hapur në kundërshtim me ligjin, nga ana e atij që duhet të ruajë pronat tona nga hajdutët me kostume zyrtare, por që bëhet njësh me ta, janë konsumuar të gjitha elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, të parashikuar nga Neni 248 i Kodit Penal. Pavarësisht ndalimit për realizimin e veprimit juridik të transferimit të kuotave në Shoqërinë “A… D…” Shpk, ky noter ka vepruar duke mos e përfillur me paramendim dhe me qëllim, urdhrin e Zyrës Përmbarimore për vendosjen e masës “Sekuestro konservative”. Të mos dijë vallë noteri Zhelegu, të kryejë pjesën më elementare të detyrës së tij, siç është verifikimi në regjistrat publik të çdo institucioni, nëse kapitali që po certifikon për shitje në padijeninë e plotë të personave që kanë lidhje direkt me këtë kapital, nuk lejohet të shitet apo dhurohet, mbasi ligjërisht është e bllokuar?! Noter Zhelegu e njeh edhe ligjin edhe marifetet e shpërfilljes dhe moszbatimit të ligjit! Sepse ndryshe nuk do të linte pa zbatuar kriterin bazë të nisjes dhe finalizimit të një akti noterial me objekt pasuror (kapitale): Verifikimin në Qendrën Kombëtare të Biznesit edhe për shkak të faktit se këto kuota të kapitalit kanë qenë të bllokuara me urdhër nga Përmbaruesi Gjyqësor, për mos lejim të kryerjes së asnjë lloj transaksioni, të çfarëdolloj forme, nga ana e zyrave noteriale. 

Ja çfarë përcakton dhe detyron ligji për verifikimin e statusit të pasurive dhe kapitaleve 

UDHËZIM Nr. 2007/1, datë 2.3.2010 i Ministrit të Drejtësisë
Lista e transaksioneve, për rastet kur noteri është i detyruar të kërkoj informacion zyrtar të shkruar nga institucionet dhe shërbimet publike
1. Pika 8: Transaksione me objekt aksionet e një kompanie
2. Pika 11: Kontratë shitje apo cedimi të llogarive; (në kuptim të nenit 2 të ligjit nr.8537, datë 18.10.1999 “Për barrët siguruese”, të ndryshuar) 
3. Pika 12: Kontratë e shitjes me rezervë të mallrave; (në kuptim të nenit 2 të ligjit nr.8537, datë 18.10.1999 “Për barrët siguruese”, të ndryshuar) 
4. Pika 13: Kontratë posedimi; 
5. Pika 17: Kontrata që përmbajnë transferimin e titullit të pronësisë; 
6. Pika 18: Depozitë bankare, së bashku me interesat 
7. Pika 19: Transaksione të tjera të çdo forme apo emërtimi, që krijojnë barrë siguruese mbi sende të luajtshme ose pasuri të paprekshme apo mbi të drejtat e pronarit me anë të transferimit të titullit të pronësisë, posedimit me anë pengu apo me çdo mënyrë tjetër. 
(Botuar në ”Fletoren Zyrtare” Nr. 40, faqe 1479)
Sigal