Sigal

Jakup B. GJOÇA

Ministrja e re e Energjetikës Balluku, po luan lojëra të dyshimta për koncesionet e HEC. Sipas interesave politike dhe në varësi edhe me interesat e koncensionarëve, ministrja Balluku mban qëndrime të ndryshme, brenda një kohe shumë të shkurtër. Ministrja Balluku disa ditë më parë nga Holta i Gramshit deklaroi se do të ngrinte të gjitha projektet e dhëna dhe ato që shqyrtohen të koncesioneve të HEC-ve, ndërsa dje nga Labinot Mal deklaroi se do të skanonte këto projekte. Ministrja Balluku përdor në ligjëratat e veta edhe terma të paqarta ekonomike, sikurse “ kontrata jo operative”, ndërkohë,  pohon se Ministria e Energjetikës do të bëjë skanerin, nuk sqaron, se çfarë do të ndodhë me operatorët e ndërtimit të HEC, në pritje të kohës së ministria do të bëjë skanimin e koncesioneve.  Gjergj Buxhuku, kreu i Konfederatës, pyet ministren, se çfarë përfshin koncepti ligjor i kontratave “jo operative” dhe çfarë do të ndodhë me operatorët e tjerë të ndërtimit të HEC-ve në pritje të “skanimit” të paralajmëruar nga MIE. Pyetja është: Cilat interesa e detyrojnë ministren Balluku të mbajë qëndrime të ndryshme dhe të dyshimta për HEC-et? Do t’i pezullojë përgjithmonë? Përse  nuk i pezullon përgjithmonë, por do t’i skanojë koncesionet e HEC-ve,  kur banorëve në takimet që bën, në Holtë, në Labinot Mal, u jep të drejtën se ndërtimi i HEC-ve dëmtojnë natyrën, ujërat e lumenjve?  Nëse do të pezullojë përgjithmonë koncesionet e HEC-ve, a do të çojë në prokurori ata drejtues të ministrisë që firmosën këto koncesione, që  dëmin financiar, të ndërprerjes të një koncesioni, ta paguajnë ata dhe jo buxheti i shtetit? Apo ministrja Balluku luan lojërat e interesave të koncensionarëve, për të gënjyer banorët dhe për të manipuluar reagimet e aktivistëve të shoqërisë civile? Ndërkohë, që ministri Klosi, dje nga Labinoti, pranoi, që akoma ai nuk e ka kuptuar që vendimmarrja  për të dhënë koncesionet e HEC është e mirë apo e gabuar! Mark Crawford Kryetar i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, reagon duke thënë se “Kam parë një skizofreni sistematike midis lojtarëve politikë që përpiqen të tërheqin investitorët, pastaj t’i shtyjnë ata (shpesh duke çuar në padi publike të arbitrazhit) ose madje duke i përfolur ata në media”.

Lojërat e ministres Balluku me terma të pacaktuara

Ministrja  Balluku, në një deklaratë më 24 janar 2019 deklaroi se do të ngrijnë të gjitha kontratat jo operative, deri në përfundim të procesit të skanimit. Balluku u shpreh se vetëm 96 kontrata për HEC-et janë operative momentalisht. “Vetëm 96 kontrata për HEC-et të dhëna në vend janë operative. Jam këtu për të njoftuar nisjen e një procesi skanimi për dokumentacionin e çdo subjekti të licencuar”, deklaroi ministrja Balluku dhe sqaroi se procesi do të bazohet në dy kritere, nëse kompanitë e licencuara i kanë përmbushur kushtet teknike dhe afatet kohore si dhe kriteri i përputhshmërisë me kërkesat mjedisore. Ministrja Balluku deklaroi se qeveria është tërhequr nga PPP-të, të paktën përkohësisht duke kaluar fondin te “Pakti për Universitetin”. Rruga Thumanë-Kashar u fitua përmes një procesi prokurimi në vlerën 225.8 milionë euro, fituar nga “Gener 2”, e cila më herët kishte bërë edhe një ofertë të pakërkuar po për këtë segment. Ministrja Belinda Balluku nuk sqaroi, sa ishte fondi i saktë që kalonte te reforma e detyruar e arsimit nën presionin e protestave të studentëve, dhe arsyeja pse ishte pikërisht Thumanë-Kashar kontrata që u vendos të braktisej. Ajo nënvizoi në fjalën e saj, se në total janë 182 kontrata që i korrespondojnë 440 HEC-eve dhe vetëm 96 hidrocentrale janë operative. “Ato u përkasin 73 kontratave koncesionare. Përtej kësaj deklarate nuk ka pasur një udhëzim apo urdhër të publikuar nga ana e ministrisë ku të legjitimohet deklarata. Ajo që përflitet është ekzistenca e një urdhri të brendshëm, por që ka lënë në errësirë totale pjesën e prekur direkt që janë koncesionarët e hidrocentraleve. Pra, këtu fillon të kuptohet se deklaratat e Ballukut janë “show” i radhës.

Investitorët në panik, ngrirja në bllok, e pajustifikuar

Investitorët në sektorin e energjisë dhe që kanë kontrata koncesionare me qeverinë duket se janë gjetur të papërgatitur në lidhje me deklaratën e fundit. Sipas tyre, reagimi i ministres së re mbetet i paqartë dhe “ngrirja” e kontratave, evazive. Ata nënvizojnë se kjo fut frikën e një faze të re pasigurie për investimet që përsëritet sa herë ndryshojnë qeveritë, ndërsa këtë herë po përsëritet edhe brenda vetë qeverisë me ndryshimin e ministres. Ata kujtojnë se kjo u zbatua edhe në vitin 2014, kur erdhi ish-ministri i asaj kohe, Damian Gjiknuri.

Çdo të thotë koncepti ligjor i kontratave “jo operative?

Çdo të thotë koncepti ligjor i kontratave “jo operative, që përmend ministrja Balluku? Ministrja   duhet të sqarohet sa më shpejt, se çfarë përfshin koncepti ligjor i kontratave “jo operative”. Çfarë do të ndodhë me operatorët e tjerët ë ndërtimit të HEC-ve në pritje të “skanimit” të paralajmëruar nga MIE.

Deklaratat: Ministrja Balluku në Labinot Mal

Balluku tha: “Duhen respektuar kontratat, të cilat janë lidhur për krijimin apo zhvillimin e këtyre HEC-eve. Sepse shpesh ndodh, që duke vënë HEC-et në punë kanë ngelur fshatrat pa ujë; pa ujë për vaditje, pa ujë të pijshëm dhe sidomos për sa i përket blegtorisë. Ne kemi ngritur grupe pune, AKBN-ja, e cila ka tagrin për të monitoruar HEC-et, bashkë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë dhe me një grup të përbashkët nga Ministria e Mjedisit, kemi nisur punën për t’i skanuar të gjitha këto HEC-e”. Duke folur për kostot e këtij aksioni, ministrja Balluku theksoi: “Do jenë vendime, të cilat nuk mund t’i krijojnë kosto buxhetit të shtetit, pra ne nuk do të prishim kurrë në mënyrë arbitrare kontratat, por nga ana tjetër jemi të predispozuar plotësisht për të mbrojtur të drejtat e banorëve kudo që ato ndodhen dhe për të ruajtur pjesën mjedisore, e cila vitet e fundit ka marrë një rëndësi të veçantë edhe për vetë ju”.

Ministri Klosi: Pra, ne duam të kuptojmë nga biseda me ju, nëse vendimmarrja që është marrë deri tashmë për sa i përket HEC-it a është e drejtë apo e gabuar.

Ministrja Balluku në Holtë të Gramshit, në fundjanarin e 2019-s

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ministri Blendi Klosi në kanionin e Holtës kanë nisur me banorët e zonës diskutimin publik për mbrojtjen e pasurive natyrore nga zhvillimi industrial dhe nevojën për mirëkuptim paraprak mes komunitetit e qeverisë, në çdo proces vendimmarrës. Ministrja Balluku the se punimet janë pezulluar.

Gjergj Buxhuku Administrator i Përgjithshëm i Konfindustrisë

Konfindustria vlerëson, se vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës & Energjisë/MIE për të ngrirë në “grup” dhe në mënyrë të njëanshme të gjitha kontratat koncesionare të ashtuquajtuara “jo operative” të HEC rrezikon, jo vetëm të mos japë asnjë zgjidhje problematikës së rëndë së tashme, por gjithashtu edhe të prodhojë pasoja të rënda financiare për biznesin, buxhetin e shtetit, të shërbejë si shkak për subjektivizëm, korrupsion dhe rritje të pasigurisë së investitorëve në afatgjatë. Gjithashtu, duhet të sqarohet sa më shpejt, se çfarë përfshin koncepti ligjor i kontratave “jo operative” dhe cfarë do të ndodhë me operatorët e tjerëtë ndërtimit të HEC-ve në pritje të “skanimit” të paralajmëruar nga MIE.

Mark Crawford, Kryetar i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë: Skizofreni midis zyrtarëve dhe investitorëve

Kam parë një skizofreni sistematike midis lojtarëve politikë që përpiqen të tërheqin investitorët, pastaj t’i shtyjnë ata (shpesh duke çuar në padi publike të arbitrazhit) ose madje duke i përfolur ata në media. Investitorët amerikanë janë shpesh të etur për të ndjekur suksesin, prandaj kur një kompani si ABCom, e cila është në pronësi të fondit të investimeve të SEAF në Uashington DC, ankohet për vandalizëm të keq me 2018, ndihet nga investitorët amerikanë. Kur figurat e ndryshme politike përpiqen të fyejnë investitorin më të madh amerikan në Shqipëri, domethënë fondin amerikan NCH nga Nju Jork, apo projektet e tyre si Banka Amerikane e Investimeve.

Flet Anita Shushku kryetare e Bordit të AREA-s

Ngrirja e kontratave të HEC-eve e pabazuar në ligj, investitorët janë të frikësuar

A keni ju si shoqatë një informacion më të saktë, se çfarë do të thotë kjo nismë e re për “ngrirjen” e HEC-ve dhe ku konsiston ajo?

Ajo që kemi sot është një situatë e mjegullt dhe pa përgjigje. E vetmja gjë që ne kemi të qartë është ajo çka qëndron mes dy palëve, pra Ministrisë dhe kompanive që është kontrata e koncesionit. Praktikisht me deklaratën e bërë së fundmi, angazhimet e qeverisë  pwr kontratat e lidhura pwr ndërtimin e HEC bien poshtë. Një ndër pikat kryesore në këto kontrata është ajo ku thuhet se te detyrimet e autoritetit kontraktues është edhe që të sigurojë vazhdimësinë e kësaj kontrate pavarësisht ndryshimeve të objektivave të sektorit elektro-energjetik shqiptar. Ndërkohë deklarata e ministres, që thotë që unë do t’i ngrij të gjitha koncesionet që janë në ndërtim e sipër, është një rrufe në qiell të pastër për investitorët.

Cilat janë efektet që ka kjo situatë tek investimet dhe investitorët vendas apo të huaj?

Ka raste zvarritjesh pafund. Sigurisht, miratimi i tyre duhet, por nuk mund të zgjasësh procedura të tilla pafund. Me nismën e fundit, siguria juridike e koncesioneve dhe gjithë investimeve ka bërë shumë hapa pas. Tani ka pasur shqetësime nga shumë investitorë, të cilëve u është thënë të ndërpresin punimet apo se nuk iu zbardhen lejet, ndërkohë që janë në fazën finale të marrjes së tyre. Pezullimi gjithsesi është i pabazuar tërësisht. Ajo që ne na shqetëson është vendimi dhe bllokimi në bllok i këtyre kontratave që mund të jenë në proces ndërtimi apo zhvillimi. Monitorimi i kontratës nga ministria është detyrë normale dhe kjo mund të bëhet pa bllokuar punën e investitorëve.

Cilat janë efektet ekonomike që ka kjo nismë, cilat janë disa prej tyre?

Efektet e bllokimit janë të shumta. Së pari, dëmtojnë ekonomikisht investitorët dhe ajo çfarë është më e keqja nën/kontraktorët. Janë me dhjetëra firma që ju pezullohet puna, pagat e punonjësve, duke lënë në fund hapësirë për abuzim. Krijohet edhe frika për abuzim nga ana e ministrisë se cila do ta kalojë këtë provë të re që shkon përtej kontratës. Së dyti, një tjetër efekt, është se shtyhet në kohë sasia e prodhimit të energjisë së këtyre HEC-eve, duke shkelur afatet e negociuara në kontratë për fillimin e punës dhe duke bërë që kjo sasi energjie të importohet, domethënë të tenderohet në të ardhmen duke lënë gjithmonë vend për abuzim. Së treti, frikëson me një efekt shumë të madh investitorët e tjerë potencialë, të cilët shikojnë se si trajtohen kontratat, tashmë jo vetëm kur ndërrohen qeveritë, por edhe kur ndryshohen ministrat brenda qeverisë. Kjo do të thotë më pak investime të huaja në vend.

Gjergj Bojaxhi: Qeveria po bën “show-n” e radhës

Gjergj Bojaxhi, në një intervistë për “Monitor” thekson se “ngrirja” e fundit e kontratave është thjesht një show mediatik dhe nuk pritet të ketë ndonjë rezultat konkret dhe nënvizon se në një kontratë me një investitor, shteti është palë dhe jo mbret, çka nuk i jep të drejtën të marrë masa të tilla.

 A ka një bazë ligjore sot që mbështet këtë nismë të ministres së Energjetikës Balluku, për “ngrirjen” e PPP-ve dhe HEC-ve?

Do të thosha që nuk ka asnjë bazë ligjore për të ashtuquajturën ngrirje të kontratave. Ose ka një kontratë ose nuk ka. Nëse ka kontratë, ka detyrime dypalëshe, që secila palë ose i ka respektuar, ose i ka shkelur. Kështu që deklarata për ngrirje kontratash është absurditet ligjor, i cili rrit kostot financiare të këtyre projekteve, për shkak të paqartësisë dhe pasigurisë ligjore që krijon për financimin për vazhdimin e tyre. Kjo kosto financiare në fund të ditës, përfundon si kosto më e lartë e energjisë elektrike dhe përfundon të paguhet nga taksapaguesit shqiptarë. Kjo përforcon opinionin negativ që kanë investitorët e huaj për qëndrueshmërinë e politikave sociale dhe sektoriale dhe rrit pasigurinë për të investuar në Shqipëri. Çdo ngrirje apo bllokim i një kontratë ekzistuese është më se normale, që do të shoqërohet me kërkesë nga pala private për dëmin në biznes. Ministria nuk ka të drejtë të bllokojë një biznes që të ushtrojë një kontratë legjitime që ka.Qeveria shqiptare ka një mungesë koherence në mënyrë që të vendosë prioritetet sipas zonave, pra se cilat janë zonat ku do të ketë përparësi veçanërisht mjedisi dhe turizmi dhe cilat janë zonat në të cilat duam të kemi zhvillim, qoftë me investimet hidrike apo në ndonjë industri tjetër. Është shqetësuese që po shohim se dhe në Parqe Kombëtare jepen leje koncesioneve. Më shqetësuese është se kanë kaluar 5 vjet dhe kjo qeveri s’ka marrë asnjë veprim konkret për të qartësuar se në cilat zona të mbrojtura nuk duhen ndërtuar hidrocentrale apo të bllokojë shtigjet ligjore që janë përdorur si justifikim dhe si mënyrë për të ndërtuar në Parqe Kombëtare.