Ministri i LSI shpërthen kundër PS: Rininë e ngjitët malit për hashash, mbushët burgjet me fukarenj

553
TIRANE- Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj që vjen nga radhët e LSI-së ka sulmuar sërish Partinë Socialiste.
Me anë të një statusi në faqen e tij të ‘Facebook’-ut, Dervishaj ka ‘shpërthyer’ në akuza ndaj PS-së, ndërsa theksoi se kjo e fundit mbushi vendin me kanabis dhe burgjet me të varfër.
Ai pohoi mes të tjerash se deri dje për socialistët e kishte fajin Saliu, ndërsa tani sipas tyre e ka LSI. “Mos e ngatërroni modestinë tonë me bujën e reklamave tuaja, se fasadave u del shpejt boja, njësoj si kallajit thotë populli”, i drejtohet socialistëve ministri i LSI-së.
MESAZHI I DERVISHAJT
Dhe shpifjet vazhdojnë.
Deri dje e kishte fajin Saliu. Pas çadrës e paska fajin LSI.
Po ju a ndjeni ndonjë peshë faji, që në këto katër vite e masakruat buxhetin e infrastrukturës rrugore dhe bujqësisë, për të bojatisur pallate e mbjellë pemë që thahen pa u dalë gjethja.
E megjithatë po punojmë.
Hidhini një sy rrugës Tiranë-Elbasan.
Hidhini një sy Unazës së Madhe në Tiranë.
Nuk po e bën Bashkia, por Ministria e drejtuar nga LSI.
Pyesni drejtuesit tuaj për by-passin e Fierit dhe Vlorës, se mund të mësoni diçka më shumë, se fajtorët I gjeni mes vetes.
Shihni fushat e punuara me mund nga bujqit, të kuptoni se kush flet në erë, e kush punon e u gjendet pranë.
Mos e ngatërroni modestinë tonë me bujën e reklamave tuaja, se fasadave u del shpejt boja, njësoj si kallajit thotë populli.
Për ne Shqipëria është numri 1, sepse shqiptarët kanë nevojë për dinjitet, stabilitet dhe punë të ndershme.
Hiqni dorë nga thasët me miell, se shqiptarët nuk hanë një herë në katër vjet, por kanë nevoje për mirëqenie të përditshme.
Kujtoni si u mbushën birucat me fukarenj e si e ngjitët rininë maleve për hashash.
Prandaj dhe shqiptarët do votojnë ata që flasin pak, e punojnë shumë.
Do zgjedhin numrin 1.
#LSINjëShansPërTëGjithë
#LSIForcëeParë
Sigal